-Oda Amerikane në Kosovë: Inovacioni, ndër faktorët kryesorë të zhvillimit ekonomik/
-Kosova në një të ardhme afatmesme duhet të ketë edhe Ministrinë e Inovacionit/
PRISHTINË, 26 Janar 2017-Gazeta DIELLI/ Në tryezën e organizuar sot nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me temë “Inovacioni dhe Zhvillimi Ekonomik” u diskutua rreth inovacionit dhe ndikimeve të tij në zhvillimin e bizneseve dhe zhvillimin ekonomik të vendit.Në tryezë, ku u prezantua edhe anketa me biznese për inovacionin, ministri kosovar i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka vlerësuar se inovacioni është faktori kryesor i ndryshimeve të ritmit të zhvillimit ekonomik në vend, prandaj të gjitha institucionet duhet të orientohen drejt mobilizimit të kapitalit njerëzor në këtë fushë.
Ai tha se Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka përfshirë në axhendë krijimin e një fondi me anë të së cilit do të financohen bizneset e reja dhe ato ekzistuese si dhe bizneset e orientuara në eksport, duke shtuar se Kosova në një të ardhme afatmesme duhet të ketë edhe Ministrinë e Inovacionit.Më tej Stavileci ka prezantuar faktorët e brendshëm që ndikojnë në zhvillimin e teknologjinë informative në Kosovë (TIK), si fushën kryesore në kuadër të inovacionit, respektivisht si promotor i zhvillimit ekonomik.“Pesë faktorët të cilët mund të zhvillojnë TIK-un në Kosovë: E para është se 34 për qind e qytetarëve të Kosovës janë nën moshën 18 vjeçare; pika dytë është adoptueshmëria në teknologji të informacionit; e treta është njohja e gjuhëve të huaj si të domosdoshme ( gjuha angleze dhe gjuha gjermane); pika e katërt është shmangia e shkollimit konvencional dhe orientimi drejt aftësimit të shpejtë profesional që bazohet në kreativitet, dije dhe guxim dhe pika e pestë, por jo më pak e veçantë që shkakton barriera tek ne është liberalizimi i vizave”, ka thënë Stavileci.Nga Oda Amerikane, Era Jashari, zyrtare për marëdhënie me qeverinë tha se inovacioni mbi të gjitha përfshin procese të reja, sisteme të reja të biznesit e metoda të reja të menaxhimit, të cilat kanë një ndikim të rëndësishëm në rritje të produktivitet e rrjedhimisht në zhvillim ekonomik.
Ndërsa Vanesa Gashi nga zyra për komunikime prezantoi të gjeturat e anketës mbi inovacionin, të kryer me anëtarët e Odës Amerikane, ku mes tjerash u vlerësua se ofrimi i lehtësirave dhe diskutimi më i madh politik në promovimin e inovacionit përmes stimujve monetar dhe jomonetar si dhe qasja në kredi për bizneset e reja janë të domosdoshme për të nxitur investimet në inovacion.Arben Ymeraga nga kompania anëtare e Odës Amerikane, Melita & Partners tha se mbështetja institucionale dhe promovimi i inovacionit janë të rëndësishme për rritjen e biznesit, duke theksuar se angazhimi i qeverisë është i domosdoshëm në këtë aspekt.Drenusha Shala themeluese e kompanisë Baruti diskutoi rreth rëndësisë së zhvillimit të inovacionit në Kosovë dhe përvojës së saj si ndërmarrëse. Ajo theksoi se edhepse në Kosovë ka vende të lira të punës, mungesa e njerëzve të kualifikuar profesionalisht paraqet problem kyç në punësim.Ndërsa, Rron Cena njëri ndër themeluesit e kompanisë Formon vlerësoi se baza themelore e zhvillimit të inovacionit në vend është edukimi dhe aftësimi profesional, në mënyrë që këto aftësi të përmbushin kërkesat e tregut./b.j/