-Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi: Do të jemi bashkë në bashkimin evropian sepse ëndërra jonë është evropiane. Shqipëria dhe Kosova, dy shtete – një komb/
-Kryeministri Ramush Haradinaj: Pavarësia e Shqipërisë – 28 Nëntori na bëri zot shtëpie në një pjesë të atdheut tonë. Pavarësia e Kosovës na bëri zot shtëpie në Kosovë/PRISHTINË, 24 Nëntor 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Ambasada shqiptare në Kosovë shënoi 105 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, me një ceremoni në Prishtinë me shumë të ftuar, mes të cilëve kryeministri Ramush Haradinaj e kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë e politikë.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka pritur të ftuarit dhe ka uruar gëzuar festën për jetë e mot.
“Do të jemi bashkë në bashkimin evropian sepse ëndërra jonë është evropiane. Shqipëria dhe Kosova, dy shtete por një komb, japin shembullin e tyre të një bashkëpunimi, të qëndresës për të qenë pjesë e familjes evropiane”, u shpreh ai në ceremoninë e zhvilluar mbrëmë.Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se gjaku, gjuha dhe flamuri na kanë bërë shqiptarë me mijëra vjet dhe na mbajnë edhe sot.
“Pavarësia e Shqipërisë, 28 Nëntori na bëri zot shtëpie në një pjesë të atdheut tonë. Pavarësia e Kosovës falë sakrificës shekullore të popullit të Kosovës, shqiptarëve kudo që janë, dhe luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të prirë nga komandantit legjendar Adem Jashari na bëri zot shtëpie në Kosovë”, theksoi ai.
Kryeminsitri Haradinaj u shpreh se ajo që sot më bën krenar si shqiptar është fakti se kemi përcaktimin tonë euroatlantik, përcaktim i cili na bashkon rrugës.
“Gjaku, gjuha dhe flamuri na kanë mbajtur të bashkuar dhe do të na mbajnë gjithnjë, por edhe organizimet tjera që i kemi si shqiptarë do të na ofrojnë”, tha kryeministri Haradinaj, i lumtur që po festohet Dita e shqiptarëve, 28 Nëntori.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka shkruar në ‘facebook’ për pjesëmarrjen “në pritjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, për Festën e 28 Nëntorit”, duke theksuar se “105 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë i gjen shqiptarët si komb më të fortë se kurrë, më të konsoliduar dhe më të sigurt për të ardhmen euro-atlantike”.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke u bazuar në Ligjin për festat zyrtare, ka vendosur që 28 Nëntorin, si ditë e shqiptarëve, ta shpallë ditë pushimi.
“Kryeministri Haradinaj e shpallë ditë pushimi 28 Nëntorin që njihet tradicionalisht si Dita e Flamurit, për t’i respektuar vlerat historike dhe kulturore si dhe traditat e mira familjare e shoqërore”, theksonte njoftimi i dërguar dje pasdite nga qeveria e Kosovës.
Ligji për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, i miratuar në Kuvend në 21 maj 2008, ditën e 28 Nëntorit e përcakton si “Dita e shqiptarëve”- një nga “ditët memoriale” e jo si një nga festat zyrtare, kur pushohet.
Dekretimi i këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari-Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, e cila është miratuar nga Kuvendi para 9 vitesh në 9 prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Në Kosovë 28 Nëntori i Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditë e Flamurit Kombëtar është festuar tradicionalisht edhe kur ishte e ndaluar, e tash festohet edhe për Pavarësinë e Kosovës të shpallur në 17 Shkurtin historik 2008.
Në vitin1968 në Kosovë 28 Nëntori festohej edhe me demonstrata në Prishtinë e qytete tjera kosovare me kërkesa për Kosovën Republikë, për Kushtetutë, për Universitet e të tjera për të drejtat e shqiptarëve.