-Kosova para 26 viteve, zgjedhje për liri e pavarësi me pjesëmarrje 89.32 përqind, zgjodhi President të parë Dr. Ibrahim Rugovën/
-Në Kosovë 24 maji, me simbolikë shtetformuese, shënohet si Dita e Presidentit të Republikës/
-Presidenti Thaçi: Me presidentin Rugova e bindëm botën për të drejtën tonë për liri dhe shtet/
-“Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës”, është ekspozita historike që u hap sot, në 24 maj 2018, në Muzeun e Kosovës në Prishtinë dhe do jetë e hapur deri në muajin shtator, që gjatë verës të kenë mundësinë ta shohin edhe bashkëatdhetarët – shqiptarët që vijnë në atdhe – në tokat shqiptare nga gjithë bota/
-Raportimet që bëja për zgjedhjet e para pluraliste të 24 majit 1992 shënonin fillimet e korrespondenturës së Agjencisë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë në Kosovë/
SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/*
PRISHTINË, 24 Maj 2018/ Kosova para 26 viteve, në 24 maj 1992, mbajti zgjedhjet e para pluraliste, presidenciale e parlamentare, të lëvizjes për liri e pavarësi, në rrethana të rënda okupimi e shtetrrethimi nga regjimi i dhunës serbe.
Ishin ato zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht Republikën e shpallur të Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e 26 deri 30 shtatorit 1991, në të cilin për shtet sovran dhe të pavarur u deklaruan 99,87 përqind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 përqind.
Në Kosovë 24 maji, me simbolikë shtetformuese, shënohet si Dita e Presidentit të Republikës së Kosovës, pas zgjedhjes në këtë ditë të para 26 viteve të Presidentit historik Ibrahim Rugova.
“Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës”, është ekspozita historike që u hap sot, në 24 maj 2018, në ora 13:00, në Muzeun e Kosovës në Prishtinë dhe do jetë e hapur deri në muajin shtator, që gjatë verës të kenë mundësinë ta shohin edhe bashkëatdhetarët – shqiptarët që vijnë në atdhe – në tokat shqiptare nga gjithë bota.
“Me presidentin Rugova e bindëm botën për të drejtën tonë për liri dhe shtet”, thaPresidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në hapjen e ekspozitës.
Kreu i shtetit theksoi se duke qenë bashkë të gjithë, në emër të Kosovës, u arrit përkrahja dhe mbështetja e botës perëndimore për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.
”Presidenti Rugova dhe unë kemi qenë së bashku në Konferencën e Rambujesë, pastaj në të gjitha zhvillimet e pasluftës, si dhe në Ekipin e Unitetit. Së bashku përgatitëm Kosovën për t’u bërë e pavarur. Së bashku ishim në Uashington, në Bruksel, në Vatikan e kryeqendra tjera botërore. Për ta bindur botën për të drejtën tonë për liri dhe shtet. Ndërtuam miqësi të përjetshme me partnerët tanë strategjikë”, u shpreh Thaçi.
Para anëtarëve të familjes Rugova dhe përfaqësuesve të tjerë shtetërorë, presidenti Thaçi tha se pavarësia e Kosovës nuk erdhi si incident apo aksident politik, por u fitua me vetëmohim dhe sakrificë të pashoqe.
Ai shtoi se mosbindja civile kundër Serbisë ishte monumentale në lëvizjen politike botërore, derisa UÇK-ja ishte lëvizja çlirimtare me e suksesshme politike dhe ushtarake në historinë botërore.
“Kombinimi e këtyre dy komponentëve të lëvizjes kombëtare, nuk kishte si të mos rezultonte me unitetin qytetar, me përkrahjen masive ndërkombëtare, për të kulmuar me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, tha presidenti Thaçi në hapjen r ekspozite.
Bashkautorë të ekspozitës janë Dr. Sadik Krasniqi dhe Ma. Besnik Rraci.
“Ky eveniment bëhet me rastin e Ditës së Presidentit të Republikës së Kosovës!”, theksuan drejtuesit e Muzeut. Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj, ka mirëpritur e përshëndetur pjesëmarrësit e shumtë në hapje të ekspozitës, ku ishte i pranishëm dhe foli edhe ish-kryeministri në ekzil, Bujar Bukoshi.
Para 26 viteve, në mbledhjen 2 majit 1992 Kuvendi kosovar shpalli zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat partitë politike angazhoheshin jo për rivalitete mes tyre, por të gjitha së bashku për vendosjen e pushtetit të Kosovës në Kosovë, të lirisë e demokracisë, në vend të pushtetit të Serbisë, të okupimit e imponimit.
Partia e parë e pluralizmit kosovar, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ishte angazhuar edhe për formimin e partive të tjera, në 8 maj 1992 deklaronte se, “duke qenë se zgjedhjet e 24 majit, të shpallura nga Kuvendi i Republikës së Kosovës i konsideron jo si luftë të partive politike të Kosovës për pushtet, por si përpjekje e organizuar e masive për të mos pranuar strukturat e pushtetit dhe statusin që po përpiqet të na imponojë Serbia, LDK-ja do të përpiqet që fushata parazgjedhore, organizimi dhe realizimi i zgjedhjeve të zhvillohen në frymë të bashkëpunimit të plotë, në mënyra e forma të ndryshme, në mes të të gjitha partive politike e të subjekteve të tjera politike”.
“Këshilli Qendror i Lidhjes Demokratike të Kosovës vendosi që LDK-ja, si parti politike vetë ose në bashkëpunim me partitë e tjera, të paraqesë kandidatët për deputetë në të 100 njësitë zgjedhore, kurse kryetarin e LDK-së dhe të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare, Dr.Ibrahim Rugova, ta kandidojë për kryetar të Republikës së Kosovës”, theksohej në Konkluzionet e Këshillit Qendror të LDK-së për zgjedhjet shumëpartiake në 1992.
Raporti i Komisionit Qendror për Zgjedhjet në Kosovë theksonte se ato janë mbajtur sipas sistemit të kombinuar zgjedhor, dhe në vazhdim konstatonte:
“Nga së paku 130 vende për Parlament, 100 janë zgjedhur përmes votimit të drejtpërdrejtë, pra, në bazë të sistemit të shumicës, ndërsa 30 vende janë zgjedhur përmes sistemit proporcional.
Zgjedhjet u mbajtën më 24 maj të vitit 1992. Vendvotimet ishin të hapura prej orës 7 deri në 19. Kandidatët për deputetë në Parlamentin e Kosovës i paraqitën 22 subjekte politike, të cilat kandiduan 490 kandidatë.
Lidhja Demokratike e Kosovës paraqiti kandidaturën e Dr.Ibrahim Rugovës për Kryetar. Kandidimi i tij është përkrahur edhe nga partitë e tjera politike shqiptare si dhe nga Partia për Aksion Demokratik dhe nga Partia Popullore Turke.
Regjistrin zgjedhor të Kosovës e përbënin 853.432 votues, prej të cilëve 762.257 kanë dalë në vendvotime, pra 89.32 përqind të votuesve të regjistruar. Nuk kanë dalë në votime 80.791 votues, ndërsa 10.384 fletëvotime ishin të pavlefshme.
Në zgjedhjet e drejtpërdrejta kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës fituan 574.755 vota, që do të thotë 76.44 përqind; kandidatët e Partisë Parlamentare të Kosovës morën 36.594 vota, ose 4.86 përqind; kandidatët e Partisë Fshatare të Kosovës 23.682 vota, ose 3.15 përqind; kandidatët e Partisë Shqiptare Demokristiane 23.303 vota ose 3.10 përqind; kandidatët e pavarur (jopartiakë) fituan 24.702 vota ose 3.29 përqind.
Subjektet e tjera zgjedhore që morën pjesë në këto votime fituan më pak se 1.87 përqind të votave, andaj ata nuk fituan të drejtën për të marrë pjesë në shpërndarjen proporcionale të vendeve në Parlament.
Shqiptarët, muslimanët, turqit, romët, kroatët dhe një numër i vogël serbësh dhe malazezësh poashtu morën pjesë në zgjedhjet e 24 majit.
Pasqyra e vendeve në Parlament është si vijon: Lidhja Demokratike e Kosovës 96 deputetë, Partia Parlamentare e Kosovës 13 deputetë, Partia Fshatare e Kosovës 7 deputetë, Partia Shqiptare Demokristiane 7 deputetë, Kandidatët e Pavarur 2 deputetë.
Pjesëtarët e etnitetit musliman, në bazë të përqindjes së popullsisë dhe shpërndarjes proporcionale kanë katër deputetë, ndërsa një kandidat i këtij etniteti fitoi me votimet e drejtpërsëdrejta.
Në përbërjen e re të Parlamentit të Kosovës janë dy deputetë të etnitetit turk, të cilët u zgjodhën si kandidatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në Parlamentin e Kosovës kanë mbetur 14 vende të zbrazëta, të cilat sipas përqindjes së popullsisë së Kosovës dhe shpërndarjes proporcionale të vendeve në Parlament u takojnë pjesëtarëve të etnitetit serb dhe malazez.
Zgjedhjet për Kryetarin e Kosovës janë mbajtur në Kosovë dhe jashtë saj, në vendet ku shqiptarët nga Kosova janë të punësuar. Në Kosovë për Dr.Ibrahim Rugovën për Kryetar të Kosovës votuan 762.257 votues, (fletëvotime të pavlefshme dhe “kundër” ishin 3.812), ndërsa jashtë Kosovës votuan 105.300 votues. Gjithsej 867.557 votuan për Kryetarin e Republikës së Kosovës.
Në disa vendvotime policia serbe ndërhyri për të ndërprerë procesin zgjedhor. Në dy sosh policia konsifkoi një pjesë të materialit zgjedhor.
I tërë materiali zgjedhor i zgjedhjeve të 24 majit i është dorëzuar Parlamentit të Republikës së Kosovës.
Zgjedhjet në Kosovë u mbikëqyrën nga 8 grupe vëzhguesish nga SHBA dhe nga shtetet evropiane. Këto zgjedhje i përcollën 82 ekipe gazetarësh apo të agjencive të lajmeve nga mbarë bota.
Subjektet politike që morën pjesë në zgjedhje, Komisioni Republikan për Zgjedhje (kryetar Tadej Rodiqi), grupet e huaja vëzhguese, si dhe shumë raporte dhe artikuj të gazetarëve të huaj dhe të Kosovës, të cilët përcollën në tërësi procesin e zgjedhjeve, kanë raportuar për korrektësinë e votimeve.
Kosova ishte vendi i fundit në Evropë ku janë mbajtur zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat populli i Kosovës dëshmoi përcaktimin e tij për liri dhe demokraci”, përfundonte Raporti i Komisionit Qendror për Zgjedhjet Shumëpartiake Presidenciale dhe Parlamentare në Republikën e Kosovës, i prezantuar në Prishtinë në 15 qershor 1992.
Vëzhguesit e huaj në një konferencë shtypi të mbajtur në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve në Prishtinë, deklaruan përshtypjet e tyre rreth zgjedhjeve të 24 majit në Kosovë.
Dr.Majkëll van Vajt Prag, sekretar i përgjithshëm i UNPO-s (Organizata e Kombeve të Papërfaqësuara në OKB) vlerësoi se zgjedhjet ishin organizuar në mënyrë korrekte dhe me rregullsi. Ai tha se, gjatë këtyre vëzhgimeve nuk ka hasur në ndonjë parregullsi, derisa veçanërisht e ka impresionuar organizimi i vendvotimeve rezervë.
Delegacioni i Fondacionit të Kongresit Amerikan për të Drejtat e Njeriut, i përbërë nga Konrad Hubers, Pol Berens, Çarls Braun, Debora Xehkobs, Rom Pameir, Maks Primorac, Karl Roads dhe Kevin Tin, theksoi se ishte madhështore pjesëmarrja e votuesve dhe dëshira e tyre për të shfaqur vullnetin politik përmes votimit. “Zgjedhjet janë mbajtur me efikasitet të madh, na ka impresionuar fakti se gjithkund ishin organizuar edhe vendvotimet rezervë, që viheshin në veprim kur policia ndërprente votimin në vendvotimet e para. Policia i ka penguar mjaft votimet edhe duke arrestuar njerëz”, thanë vëzhguesit nga SHBA. Poashtu theksuan se, grupi që vëzhgoi zgjedhjet në Prizren, gjatë kohës që u mor në polici, kishte parë në stacion policor të arrestuar dhe material votues e flamuj të konfiskuar.
Konrad Hubers, që i printe Delegacionit të Fondacionit të Kongresit Amerikan për të Drejtat e Njeriut, vlerësoi se këto zgjedhje janë një moment historik për Kosovën.
Debora Xehkobs tha se katër anëtarët e delegacionit amerikan që vizituan Pejën, kanë fituar një përvojë të shkëlqyer nga vëzhgimi i këtyre zgjedhjeve.
“U mrekulluam nga mjeshtria e shqiptarëve për organizimin e zgjedhjeve”, u shpreh ajo.
Një anëtar tjetër i këtij delegacioni theksoi se ajo që na interesoi dhe mahniti ishte vetorganizimi i njerëzve. “Çdo gjë u bë në mënyrë vullnetare, duke u nisur nga shërbimet dhe punët që janë bërë këtu, e deri te njerëzit që kanë organizuar zgjedhjet në çdo pjesë të Kosovës”, theksoi ai.
Vlerësimet e vëzhduesve dhe gazetarëve nga bota ishin se zgjedhjet ishin të mira, të rregullta dhe fer. “Vëzhguesit dhe gazetarët e huaj i çmojnë shumë edhe mënyrat alternative të organizimit të zgjedhjeve, ngase bota di se çka do të thotë okupimi, prandaj edhe këtu ata e shohin aftësinë e këtij populli që dëshiron të fitojë dhe të jetë i lirë. Ky popull nuk kërkon asgjë tjetër pos shansit për t’u realizuar si popull, e të cilin nuk e ka pasur kurrë”, theksonin raportimet e kohës së zgjedhjeve të para pluraliste të Kosovës.
Po para 26 viteve, në 24 majin 1992, raportimet me lidhje telexi, e vetmja e mundshme atëherë nga Prishtina në Tiranë, për zgjedhjet e para pluraliste kosovare, shënonin fillimet e korrespondenturës së ATSH në Kosovë. Raportimet i bëja nga zyra e telexit që u bë edhe zyrë e ATSH-së në Pallatin e Shtypit Rilindja – ambientet e gazetës së rezistencës “Bujku”, të vetmes së përditshme shqipe kosovare në atë kohë, me orientim e përcaktim të fuqishëm demokratik perëndimor euroatlantik e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, e që kishte nisë të dalë nga 18 janari 1991 dhe sfidonte ndalimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja dhunshëm me ndërhyrje policore nga regjimi okupues i Beogradit. Që atëherë nisëm edhe bashkëpunimet me ATSH-në, nga e cila merreshin informacione e botoheshin në gazetën “Buku” dhe kështu u themeluan bashkëpunimet e para të mediave Shqipëri-Kosovë.
Zyra e telexit – e ATSH në Pallatin Rilinda u bë edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë.
Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive, të parën të një presidenti kosovar dhënë Agjencisë Telegrafike Shqiptare para 24 viteve, të cilën e cilësonte edhe si një hap në politikën globale të shqiptarëve, si edhe vazhdimisht, falenderonte dhe vlerësonet ATSH-në për informimin nga Kosova e për Kosovën.
“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive derisa bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.
Ishte vit i kohëve të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova, në intervistën ku fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.Zgjedhjet e dyta parlamentare e presidenciale Kosova i ka mbajtur në kohë lufte në 22 mars 1998.Pas luftës së përfunduar në qershor 1999, Kosova ka mbajtur 12 palë zgjedhje, 6 parlamentare e 6 lokale, gjysma prej tyre pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008, së njohur seri tani nga 116 shtete anëtare të OKB-së.
PRESIDENTI THAÇI: ME PRESIDENTIN RUGOVA E BINDËM BOTËN PËR TË DREJTËN TONË PËR LIRI DHE SHTET
Prishtinë, 24 maj 2018 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaci, sot ka marrë pjesë në hapjen e ekspozitës për kontributin e presidentit Ibrahim Rugova në shtetformimin e Kosovës, të organizuar nga Muzeu i Kosovës.Presidenti Thaçi ka thënë se kushdo që do ta vizitojë këtë ekspozitë, do të ketë mundësinë që të bëjë një kthim apo një udhëtim në kohë të viteve të rënda dhe tragjike të vendit, të cilat pashmangshëm lidhen edhe me emrin e presidentit Rugova.
Lëvizja për pavarësinë e Kosovës, sipas presidentit Thaçi, si në dimensionin politik, ashtu dhe ushtarak, bëri bashkë politikanë, intelektualë, ushtarakë, gra dhe burra, pleq dhe të rinj, me një qëllim të vetëm.
“Këtij populli liridashës dhe kryengritës, i cili ka qenë dhe mbetet populli më proamerikan dhe më properëndimor në këto anë të Evropës, t’i jepet e drejta për të qenë i lirë dhe për të pasur shtetin e vet”, u shpreh presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit ka thekuar se duke qenë bashkë të gjithë, në emër të Kosovës, u arrit përkrahja dhe mbështetja e botës perëndimore për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.
”Presidenti Rugova dhe unë kemi qenë së bashku në Konferencën e Rambujesë, pastaj në të gjitha zhvillimet e pasluftës, si dhe në Ekipin e Unitetit. Së bashku përgatitëm Kosovën për t’u bërë e pavarur. Së bashku ishim në Uashington, në Bruksel, në Vatikan e kryeqendra tjera botërore. Për ta bindur botën për të drejtën tonë për liri dhe shtet. Ndërtuam miqësi të përjetshme me partnerët tanë strategjikë”, ka thënë ai.
Para anëtarëve të familjes Rugova dhe përfaqësuesve të tjerë shtetërorë, presidenti Thaçi ka thënë se pavarësia e Kosovës nuk erdhi si incident apo aksident politik, por u fitua me vetëmohim dhe sakrificë të pashoqe.
Ai ka shtuar se mosbindja civile kundër Serbisë ishte monumentale në lëvizjen politike botërore, derisa UÇK-ja ishte lëvizja çlirimtare me e suksesshme politike dhe ushtarake në historinë botërore.
“Kombinimi e këtyre dy komponentëve të lëvizjes kombëtare, nuk kishte si të mos rezultonte me unitetin qytetar, me përkrahjen masive ndërkombëtare, për të kulmuar me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi në hapjen e kësaj ekspozite.
I pari i vendit ka theksuar se Ibrahim Rugova ishte njeri komunikativ, i dialogut dhe negociatave, njeri i durimit dhe pajtimit.
“Në parti e koncepte të ndryshme politike, qëllimi ynë madhor ishte realizimi i vullnetit të popullit tonë për liri dhe pavarësi të Kosovës. Prandaj ndjehem mirë për këtë bashkëpunim. Sot, çdo parti dhe lider politik duhet të shikojë të ardhmen stabile dhe perspektiven euroatlantike të Kosovës, para interesave të adresave të caktuara të partive politike”, ka shtuar ai.
Presidenti Thaçi ka thënë se sot çdo qytetar i Kosovës kudo që jeton, në Kosovë apo diasporë, është liridashës dhe çlirimtar, derisa Kosova është shtet, ka simbolet e veta: flamurin, himnin, stemën.
“Kosova ka identitet kombëtar dhe shtetëror. Kosova ka identitet evropian. Secili duhet të ndihet krenar me Kosovën. Shteti i Kosovës është mbi të gjithë ne. Të gjithë ne duhet të jemi në shërbim të vendit tonë”, ka thënë presidenti Thaçi.Presidenti Thaçi i ka përgëzuar organizatorët për këtë ekspozitë, e cila midis tjerash shpreh vlerësim institucional të të gjithë neve, për rolin historik të presidentit Rugova.
PRESIDENTIT IBRAHIM RUGOVA MEDALJA PRESIDENCIALE JUBILARE E DHJETËVJETORIT TË PAVARËSISË SË KOSOVËS
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkruar në ‘facebook’: Presidentin Rugova do ta kujtojmë si njeri me vizion, si njeri të dialogut, të durimit dhe pajtimit. Për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, presidentin Ibrahim Rugova, e dekorova (pas vdekjes) me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë. Si rikthim në kohë, duke çmuar lart punën dhe angazhimin e presidentit Rugova, në Muzeun e Kosovës e hapëm edhe një ekspozitë në shenjë nderimi dhe kujtimi për veprimtarinë e tij. HTH
*Per me shume foto shkoni ne facebook(dielli vatra)