-Viti 2021: Kosova dy palë zgjedhje – parlamentare dhe lokale… Sukses historik në lojërat Olimpike në Tokio me dy kampione – medalje të arta të xhudisteve Distria Krasniqi e Nora Gjakova… “Marjan Cubi – urëlidhës mes Kosovës dhe Amerikës”, dokumentari i ardhur nga Nju Jorku u shfaq premierë në Prishtinë, në sallën e Katedralës Shën Nënë Tereza. Agim Rexhaj, President Nderi i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, ka përshëndetur edhe në emër të Kryetarit të VATRËS Elmi Berisha…/
-Viti 2022 në Kosovë dhe për të gjithë shqiptarët kudo është i festave të mëdha kombëtare të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe 23 vjetorit të lirisë e 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës…/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 1 Janar 2022/ Në Kosovë u prit gëzuar Viti i Ri 2022 nën shkëlqimin e fishekzjarreve, më shumë në ambiente familjare e më pak në sheshe nën masa kufizuese në këtë kohë pandemie. U prit edhe duke punuar në institucionet ku puna nuk ndalet kurrë. Në vitin 2022, që në minutën e parë, djalë lindi fëmija i parë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ku mjekët, infermjerët e punonjësit tjerë kanë punuar edhe në natën e Vitit të Ri.
Në 31 Dhjetor 2021 Komuna e Prishtinës njoftonte se, duke u bazuar në vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës për mbajtjen e rregullave të njëjta për parandalimin e përhapjes të variantit të ri të virusit Omicron, anulohen përformancat live në aktivitetin e organizuar nga Drejtoria e Kulturës “Prite n’shesh” me qëllim të ruajtjes së shëndetit të përgjithshëm publik.
Gjithsesi, aktivitetet tjera të “Prite n’shesh” vazhdojnë deri në orën 21:30, ndërsa bizneset në fushën e gastronomisë do të operojnë deri në orën 23:00, theksonte komunikata e dërguar.
Viti 2022 në Kosovë dhe për të gjithë shqiptarët kudo është i festave të mëdha kombëtare të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe 23 vjetorit të lirisë e 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës… Si një dhuratë për festat për të gjithe fëmijtë shqiptarë do jetë Abetarja e përbashkët e botar nga Shqipëria e Kosova, për çka është nënshkruar marrëveshja pas mbledhjes së përbashkët të shtatë të dy qeverive mbajtur në Elbasan, ku u nënshkruan 13 marrëveshje, mes të cilave Memorandum bashkëpunimi për ndërtimin e lidhjes hekurudhore Durrës-Prishtinë.
Qeveritë e Shqipërisë e Kosovës mbajtën mbledhjen e shtatë të përbashkët në Elbasan në 26 Nëntor 2021, pas të gjashtës në Tiranë në 2 Tetor 2020.
Më parë, Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë në 26 Nëntor 2018 në qytetin e Pejës zhvilluan mbledhje të përbashkët, të pestën, pas të parës historike në Prizren në 11 Janar 2014, të dytës në Tiranë në 23 Mars 2015 , të tretës në 3 Qershor 2016 në Prishtinë dhe të katërtës të zhvilluar në 27 Nëntor 2017 në Korçë.
Ngjarje viti në 2021-tën ishin dy palë zgjedhje – parlamentare në 14 Shtator e lokale në 17 Tetor, të dyjat të tetat në liri – pas hyrjes shpëtimtare në Kosovë të forcës më të madhe ushtarake planetare – NATO-s prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Qershorin e vitit të lirisë 1999.
Një tjetër ngjarje e madhe ishte Kosova e artë me dy medalje të arta të kampioneve olimpike, xhudisteve Distria Krasniqi e Nora Gjakova në Lojërat Olimpike në Tokio, ku në ceremonitë e dorëzimit të medaljeve Flamuri i Republikës së Kosovës nën tingujt e Himnit Shtetëror u ngrit në majën më të lartë për të artat historike në festën botërore të sportit.
Në 2021-tën kishte edhe një ngjarje viti në Kosovë të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra: “Marjan Cubi – urëlidhës mes Kosovës dhe Amerikës”, dokumentari i ardhur nga Nju Jorku u shfaq premierë në Prishtinë, në sallën e Katedralës Shën Nënë Tereza, të premtën e 13 Gushtit 2021. Filmi dokumentar për Marjan Cubin që nga fëmijëria në vendin e lindjes në Drenoc të Klinës e deri në ditët e sotme është histori e njeriut e patriotit shqiptar, e atdheut shqiptar, e mërgimtarit shqiptar, e familjes dhe e rrënjëve shqiptare…,ishin mendimet, përshtypjet e vlerësimet në ceremoninë e shfaqjes që ishte edhe festë.
Shqiptarë nga trojet etnike e nga mërgata, miqë të shumtë, të ardhur në promovimin e dokumentarit ka pritur e përshëndetur Marjan Cubi veprimtar i shquar i komunitetit shqiptaro-amerikan, anëtar i Kryesisë dhe arkatar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, i shoqëruar si gjithmonë nga shoqja e jetës – bashkëshortja Dila.
Në tribunën e ceremonisë festive të promovimit të dokumentarit për Marjan Cubin ka folur edhe miku i tij i shumë viteve Agim Rexhaj, President Nderi i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, i cili ka përshëndetur edhe në emër të Kryetarit të VATRËS Elmi Berisha e të gjithë vatranëve, si dhe të gazetës së VATRËS – DIELLIT – editorit të saj mëse 12 vjet Dalip Greca dhe editorit të ri Sokol Paja.
Agim Rexhaj, i dekoruar nga Presidenti i historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në Prill 2004 dhe Nderi i Kombit – i dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë Nishani në Nëntor 2014 gjatë një ceremonie të veçantë të zhvilluar në Institucionin e Kreut të Shtetit, pjesë e lëvizjes e luftës për lirinë e pavarësinë e Kosovës, mik e bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik Rugova, themelues e udhëheqës i LDK-së në SHBA, për shumë vite vatran, edhe në fjalën e tij në promovim, si edhe në dokumentar, kujton edhe takimet me Presidentin Rugova bashkë me Marjan Cubin.
“Marjan Cubi, besnik dhe përkrahës i madh i Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, mik dhe zbatues i filozofisë Rugoviane… Marjani ka kontribuar dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës… Marjan Cubi është patriot dhe atdhetar i shquar”, shprehet Rexhaj, Presidenti i Nderit i Vatrës Shqiptare në Amerikë.
Agim Rexhaj përkujtoi se bashkë me Marjan Cubin ishin edhe në festën kur gurthemeli i Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë është vënë nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në 26 Gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë…
Marjan Cubi ishte kryetar i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales. Shqiptarët nga Amerika – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar.
Në verën 2021, më 1 Gusht, Agim Rexhaj, i ardhur në Kosovë-vendlindje nga Amerika-Nju Jorku, ishte edhe në Lojërat Tradicionale të Rugovës, që u mbajtën në edicionin e 30-të jubilar në fshatin Stankaj të komunës së Pejës.
Duke folur për median e Kosovës nga Lojërat Tradicionale Rugova 2021 Agim Rexhaj kishte edhe këtë mesazh: Kjo traditë duhet çdo herë të vazhdojë dhe me ardhë shqiptarët nga të gjitha viset shqiptare, të bëhet edhe më e hapur – një manifestim i përbashkët…
“NË ROBËRI PRITET VEÇ FESTA E LIRISË” DHE “SHPRESË SE S’NDËRROJNË VEÇ VITET” ISHIN RAPORTIMET NGA KOSOVA QË I BËJA NË FUNDVITET E PARA 1999-ës
Pritja në sheshe e ndërrimit të moteve është tradicionale që nga viti i madh i lirisë së Kosovës, hyrjes së forcave paqeruajtëse shpëtimtare të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në pranverën e 1999-ës. Në mbrëmjen e 31 Dhjetorit 1999 qinda mija njerëz për herë të parë të lirë ishin në sheshet kryesore të Prishtinës e të qyteteve tjera kosovare në pritjen e Vitit të Ri 2000.
“Afro 100 000 qytetarë e pritën Vitin e Ri në sheshet e Prishtinës”, ishte titulli i raportimit që kam bërë para 22 viteve për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë në 1 Janar 2000, ku theksoja se, “Kryeqyteti i Kosovës, që festoi Vitin e Ri për herë të parë në liri,
ishte një nga pesë qytetet e botës prej nga qendrat më të mëdha televizive bënë transmetime të drejtpërdrejta”.
Ndërsa “Në robëri pritet veç festa e lirisë” dhe “Shpresë se s’ndërrojnë veç vitet” ishin raportimet që bëja nga Kosova në fundvitet e para 1999-ës, në vitet e shtetrrethimeve ushtarako-policore, luftës, masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit të Serbisë kundër shqiptarëve.
LAJMI QË KAM RAPORTUAR NGA KOSOVA PARA 22 VITEVE NË 1 JANAR 2000:
Afro 100 000 qytetarë e pritën Vitin e Ri në sheshet e Prishtinës
PRISHTINE, 1 janar /ATSH- B. Jashari/ – Afro 100 000 qytetarë në
Prishtinë e pritën Vitin e Ri në sheshe dhe rrugët e mbushura me borë në
shoqërinë e koncerteve dhe programe të ndryshme festive.
Kryeqyteti i Kosovës, që festoi Vitin e Ri për herë të parë në liri,
ishte një nga pesë qytetet e botës prej nga qendrat më të mëdha televizive
bënë transmetime të drejtpërdrejta.
Një mesazh solidariteti, me kërkesën për lirimin sa më të shpejtë të
7 000 djemve dhe vajzave kosovare, që vazhdojnë të mbahen peng në burgjet e
Serbisë, u lexua në sheshin kryesor “Nënë Tereza” të Prishtinës.
/dast/
[02] Some 100 000 citizens welcome New Year on Prishtine Squares
PRISHTINE, January 1 (ATA)-By B. Jashari, Nearly 100 000 citizens of Prishtine received the New Year on snow covered squares and streets in the company of various festive concerts and programmes.
The capital of Kosova, which celebrated the New Year for the first time in freedom, was one of the five cities of the world from which the biggest TV centers carried live broadcasts.
A message of solidarity, appealing for the rapid release of 7 000 Kosovar sons and daughters, who continue to be held hostage in Serbia’s prisons, was read at the main square “Mother Teresa” of Prishtine. /dast/lm/
D’Arc Avenue 23, Tirana, Albania E-Mail: