
Dr. Blerim Myftiu, neurolog, asistent profesor ne degën e Neuropsikiatrisë Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti i Prishtinës, Klinika e Neurologjisë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës, rrëfen Kosovën në përballje me pandeminë globale Covid-19. Në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, mjeku Myftiu analizon mjekësinë në Kosovë dhe shprehet se numri i diagnozave të çrregullimit të ankthit, të çrregullimit të stresit posttraumatik dhe i depresionit ka shënuar rritje gjatë kësaj periudhe. Me Dr. Blerim Myftiun bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.
KOSOVA NË PËRBALLJE ME PANDEMINË GLOBALE
Kosova po kalon në një situatë të rënduar sa i përket pandemisë së koronavirusit të ri (SARS-CoV-2). Sikur që numri i të të infektuarve dhe i të të shtrirëve në spitale në mbarë rajonin dhe Evropën është në rritje, ashtu edhe në Kosovë shifrat janë duke u rritur. Krahasuar me muajt e parë të pandemisë ku raportoheshin deri në 250 raste të reja të infektimeve në ditë, tani kjo shifër ka arritur në mbi 600 dhe nuk do të ishte befasi po qe se arrin edhe numra katërshifrorë. Kjo rritje e numrave mund të arsyetohet deri diku me shtimin e numrit të testeve (nga rreth 400 që bëheshin në mars e prill tani në mbi 1600), por kjo nuk është i vetmi aryetim. Ka ditë që çdo i treti i testuar del pozitiv. Pra gjithsesi kemi rritje absolute të numrit. Apo thënë ndryshe, po të bënim shumë shumë teste, do të kishim edhe numër më të madh. Gradualisht me këtë, dalëngadalë po shënohet edhe rritja e pacientëve të shtrirë nëpër spitale rajonale dhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovë. Tanimë kapaciteti i Klinikave Infektive dhe të asaj të Sëmundjeve të Mushkërive është mbushur, prandaj nga mesi i kësaj jave edhe pjesë të Klinikës Interne kanë filluar të mbuhen apo të destinohen për trajtimin e pacientëve me Covid-19. Kosova nuk ka numër të madh të shtretërve të Kujdesit Intensiv. Përkundër paraqitjeve të mëhershme mediale të zyrtarëve shtetërorë se janë siguruar me dhjetëra respiratorë, realiteti në terren gjatë valës së parë ka qenë ndryshe. Ngase për funksionalizimin e respiratorëve na duhet furnizimi i tyre me kapacitet të mjaftuehëm të oksigjenit, si edhe nevojitet një numër i caktuar i anesteziologëve që do të operojnë me këto aparatura. Uroj të gabohem, por duket e afërt dita kur pacientët në nevojë për intubim apo ventilim mekanik nuk do të kenë një respirator apo një mjek të trajnuar që ta bëjnë këtë. Sa u përket masave të Qeverisë, ajo e jona po tregohet më e përmbajtur në imponimin e ndonjë mase të shprehur kufizuese në drejtim të mbylljes apo imponimit të kufizimit të lëvizjes. Kufizimi i punës së restoranteve dhe të qendrave tregtare deri në 21 më duket se është masë më tepër kozmetike dhe e padobishme, ngase nuk shoh ndonjë dallim në punën e tyre deri në 21 apo 24. Së fundmi Qeveria gjatë vikendit e ka ndalur punën plotësisht të restoranteve dhe qendrave tregtare. Megjithatë, autoritetet shtetërore janë treguar të paaftë që bizneset me frekuencë të lartë takimesh dhe njerëzish, siç janë restorantet, baret, qendrat tregtare t’i edukojnë, qoftë edhe me gjoba, që të tregojnë kujdes për masat sanitare, higjienike dhe numrin e përgjithshëm të vizitorëve.
ÇRREGULLIMIT TË STRESIT POSTTRAUMATIK DHE I DEPRESIONIT KA SHËNUAR RRITJE
Ekzistojnë raportimet kudo në botë që dy fenomene kanë shënuar rritje gjatë mbylljes së imponuar të pandemisë. Fenomeni i parë ka qenë rritja e dhunës në familje dhe numri më i madh i raportimeve të dhunës sidomos ndaj grave në stacionet policore dhe institucionet tjera përkatëse. Nga ana tjetër, po ashtu në bazë të raporteve të shteteve më të zhvilluara, numri i diagnozave të çrregullimit të ankthit, të çrregullimit të stresit posttraumatik dhe i depresionit ka shënuar rritje. Kësisoj edhe përshkrimi i barnave antidepresive dhe anksiolitike ka shënuar shtim gjatë periudhës së pandemisë.

PANDEMIA GLOBALE DHE PROBLEMET NEUROLOGJIKE
Rreth 35 shtetër të Klinikës së Neurologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka shërbyer gjatë korrikut dhe gushtit si njëra prej reparteve ku janë trajtuar pacientët me Covid-19. Ajo ka qenë një periudhë ku në mënyrë alternative gjysma e neurologëve të Klinikës u ka shërbyer këtyre pacientëve, derisa kapaciteti i shërbimit për sëmundjet neurologjike është përgjysmuar. Gjatë asaj periudhe intensive të punës me pacientët neurologjikë dhe me Covid-19, po ende edhe tani, shohim që infeksioni me koronavirusin e ri po shoqërohet me disa probleme neurologjike. Çrregullimi i vetëdijes, koma, humbja e orientimit, dobësimi i komunikimit, pastaj infarktet apo gjakderdhjet akute trunore janë zakonisht simptomat neurologjike nga të cilat pacientët me Covid-19 po vuajnë. Për shkak të problemeve mushkërore dhe metabolike, shumë çrregullime të tilla janë të dukshme. Por nga ana tjetër, edhe rastet që në shikim të parë janë raste “të pastra” neurologjike (p.sh. me infarkt në tru) që në paraqitje apo brenda disa ditësh shprehin simptoma infektive të cilat na bëjnë të dyshojmë për Covid-19 dhe pas testimit del që janë të infektuar, duke na shtyrë të mendojmë nëse vallë manifestimi neurologjik ka qenë në të vërtetë i nxitur nga infeksioni i cili ka qenë i heshtur apo në prapaskenë. Rehabilitimi nga komplikimet neurologjike të Covid-19 po paraqitet i vështirë. Këtë e tregojnë edhe raportimet ndërkombëtare të cilat tregojnë që pacientët me çrregullime njohëse apo intelektuale, ata që bëhen për respirator dhe asistim në frymëmarrje, kanë më pak mundësi që të rehabilitohen apo ta rikthejnë gjendjen e tyre neurologjike apo njohëse para infektimit. Dua të cek këtu që pacientët neurologjikë, si edhe të gjithë të tjerët, kanë vuajtur nga një dozë e moskujdesit të paqëllimshëm gjatë pandemisë. Duke qenë se fokusi i sistemit shëndetësor dhe i punëtorëve të tij ka qenë i orientuar nga pacientët me Covid-19, shumë ambulanca specialistike dhe shërbime elektive nuk kanë funksionuar diku 4-5 muaj në tërësi gjatë vitit 2020. Pas adaptimit në rrethanat e reja, që prej shtatorit si Klinikë e Neurologjisë duam të tregohemi të vendosur që përkundër të gjitha sfidave, pacientëve neurologjikë të vazhdojmë t’u ofrojmë shërbimin bazik të kujdesit. E kam fjalën këtu sidomos për aktivizimin e Qendrës së Sëmundjeve Cerebrovaskulare për trajtimin e infarktit trunor dhe projektin tjetër kombëtar të vlerësimit dhe të trajtimit të pacientëve me sklerozë multiple.
FRIKË EKZISTENCIALE NË PRISHTINË
Ekziston një qetësi e përgjithshme në Prishtinë. Në kohën e represionit më të madh serb në vitet 1997-1999, dhe sidomos kur afrohej por dihej saktë fushata ajrore çlirimtare e NATO-s, ekzistonte një atmosferë heshtjeje dhe zymtësie ku jeta të dukej se rridhte shumë ngadalë, ku dendësia e njerëzve në sheshe e rrugë ishte shumë e ulët, kurse pas errësimit vështirë dalloje dikë jashtë. Tani nuk është se nuk sheh njerëz nëpër rrugë apo se ekziston një frikë ekzistenciale, por është një mungesë e përgjithshme e shijes apo e gjallërisë së mësuar. Shërbimet tash për tash funksionojnë, restorantet sikur që ceka në fillim po punojnë me orar të kufizuar. Shkollat në varësi të numrit të nxënësve apo të mësimdhënësve të infektuar varirojnë nga mësimi fizik deri te ai online. Jeta vazhdon me një ritëm më ndryshe.
MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA
Si rrallëherë, po ballafaqohemi me një problem universal. Tashmë jemi mësuar me idenë e zgjatjes së pandemisë edhe së paku disa vite. Kemi një program vaksine i cili nuk është i sigurt nëse do të rezultojë me një vaksinim efektiv. Prandaj, gjatë kësaj kohe, përveç kujdesit për shëndetin, mbajtjes së maskës, shmangies së takimeve dhe të tollovive të panevojshme, nuk duket se kemi diçka më tepër në dorë, si njerëz të zakonshëm të kësaj bote.