-PRITET DEKRETIMI I ZGJEDHJEVE NË KOSOVË/
-Kosova drejt zgjedhjeve, Kuvendi 120 anëtarësh votoi vetëshpërndarjen me 89 deputetë pro. Presidenti i Republikës pritet të caktojë datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat sipas Kushtetutës së Kosovës duhet të mbahen brenda 45 ditëve/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 22 Gusht 2019/ Kuvendi i Kosovës 120 anëtarësh pak më parë votoi vetëshpërndarjen me 89 vota pro dhe sot a nesër Presidenti i Republikës pritet të caktojë datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat sipas Kushtetutës duhet të mbahen brenda 45 ditëve. Pritet që 6 tetori 2019 të jetëdata e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, sipas burimeve të shtypit të sotëm të Prishtinës. Në momentin e votimit për vetëshpërndarje në sallën e Kuvendit të Kosovës ishin 106 deputetë.
“Shqyrtimi i propozimit të Grupit të deputetëve për shpërndarjen e Legjislaturës së gjashtë (6) të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ishte në axhendën e seancës, ku fillimisht u ratifikua me 103 vota pro Marrëveshja Financiare për IPA 2018 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Para seancës së sotme, presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, ka pritur dje në takim kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, ku është biseduar për përgatitjet për organizmin e zgjedhjeve, pas paralajmërimit te partive politike parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
“Duhet të bëhen të gjitha përgatitjet teknike, profesionale si dhe të sigurohen mjetet buxhetore, për të organizuar një proces zgjedhor, i cili përmbush kriteret më të larta demokratike”, ka theksuar presidenti Thaçi.
Në takim u bë e ditur se në KQZ tashmë kanë filluar të bëhen përgatitjet teknike për organizimin e zgjedhjeve demokratike në Kosovë, pas shpërndarjes së Kuvendit dhe pas dekretimit të datës së zgjedhjeve nga ana e Presidentit.
Kosova shkon në zgjedhjet parlamentare të shtata në 20 vjet liri, të katërta në 11 vjet pavarësi e të tretat të njëpasnjëshme të parakohshme, pasi në 19 korrik 2019, kryeministri Ramush Haradinaj në mbledhjen e 111-të të qeverisë që nga zgjedhja e tij, njoftoi vendimin për të dhënë dorëheqje të parevokueshme, pas ftesës që kishte marrë nga Gjykata Speciale në Hagë, për intervistimin që u zhvillua në 24 korrik.
Kuvendi i Kosovës që sapo u vetëshpërnda kishte këtë përbërje të grupeve parlamentare: Lidhja Demokratike e Kosovës 25 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 23, Lëvizje Vetëvendosje 19, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 12, Partia Social Demokrate 12, Lista Serbe 10, Nisma Socialdemokrate 8 dhe Grupi 6+ (i komuniteteve pakicë) 6. Ndërsa, pa grup parlamentar janë 5 deputetë.
Në mbledhjen e paralajmëruar për 26 korrik 2019 qeveria e Kosovës në detyrë nuk ka proceduar me rendin e ditës, por vetëm ka diskutuar për ligjshmërinë e proceduarve të takimeve dhe vendimmarrjes së qeverisë pas dorëheqjes së kryeministrit e më pas nuk është mbajtur asnjë mbledhje tjetër.
Qeveria e Kosovës e zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, e votuar në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit në 9 shtator, nisi punën para më pak se dy viteve – në 11 shtator duke mbajtur në mbrëmje mbledhjen e parë, ku u bë konstituimi dhe u shqyrtua programi qeverisës, pasi gjatë ditës fillimisht u bë pranim-dorëzimi i detyrave në Kryeministri dhe nëpër ministri.Me kryeminitër Haradinajn, Qeveria e Kosovës në bilancin e punës së saj ka edhe dy mbledhje të përbashkëta me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë – në 27 nëntor 2017 në Korçë, e cila ishte e katërta, dhe në 26 nëntor 2018 në Pejë, e cila ishte e pesta. Këto dy mbledhje të qeverive Shqipëri-Kosovë pasonin të parën historike në Prizren në 11 janar 2014, të dytën në Tiranë në 23 mars 2015 dhe të tretën në 3 qershor 2016 në Prishtinë.
***
SË SHPEJTI DEKRETIMI I ZGJEDHJEVE NË KOSOVË
-Deklaratë e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi/
PRISHTINË, 19 Gusht 2019- Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ Nga Presidenca sot na u dërgua kjo Deklaratë e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi:
Shpërndarja e sotme e Parlamentit të Republikës së Kosovës, përshpejton hapat e organizmit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës dhe në mungesë të gatishmërisë së partive politike parlamentare për të krijuar një qeveri të re.
Tani është në interes të qytetarëve të Kosovës që pas një procesi zgjedhor demokratik të kemi sa më shpejt një qeveri funksionale dhe llogaridhënëse, e cila i përballon sfidat që na presin si shtet dhe shoqëri.
Brenda kompetencave të mia kushtetuese, ligjore dhe në përputhje të plotë me vendimin e sotëm të Kuvendit, së shpejti do të marr vendim për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës.
Këto zgjedhje duhet të jenë mirë të organizuara, profesionale, për të siguruar një proces fer, demokratik, që mundëson një monitorim të plotë të organizatave ndërkombëtare dhe atyre vendore.
Pavarësisht shpërndarjes së Parlamentit, Republika e Kosovës vazhdon t’i ketë institucionet funksionale dhe te qëndrueshme, duke garantuar vazhdimin e punës së institucioneve në përmbushjen e nevojave të qytetarëve të Kosovës.