-Në pritje të institucioneve të reja, shtypi raporton refuzime partishë për takime paszgjedhore/
*“E refuzojnë Haradinajn”, “Refuzohet Haradinaj” dhe “Ymeri e Mustafa refuzojnë takimin me Haradinajn”, janë kryetituj ballinash të tre gazetave të sotme në Kosovë./

-Rezultatet e zgjedhjeve nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm të formojë qeverinë/
PRISHTINË, 11 Korrik 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Refuzohen takime partishë të paralajmruara për sot, pikërisht një muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit, ndërkohë që ende nuk ka ndonjë datë për konstituimin e Kuvendit e zgjedhjen e qeverisë së re të Kosovës.
“E refuzojnë Haradinajn”, “Refuzohet Haradinaj” dhe “Ymeri e Mustafa refuzojnë takimin me Haradinajn”, janë kryetituj ballinash të tre gazetave të sotme në Kosovë.
Raportohet se, i nominuari për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, u ka nisur ftesa zyrtare për konsultime Lëvizjes Vetëvendosje dhe koalicionit LDK-AKR-Alternativa.
“Por përgjigjja e krerëve të LVV-së dhe LAA-së ka qenë negative, të cilët me Haradinajn kanë thënë se mund të bashkëpunojnë vetëm pasi ta ketë braktisur PAN-in”, thekson shtypi.
Rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm të formojë qeverinë e ardhshme të Kosovës.
Sipas rezultateve të certifikuara nga KQZ, në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh koalicioni PDK-AAK-Nisma me 33,74% të votave ka 39 deputetë, Lëvizja Vetëvendosje që garoi e vetme me 27,49% të votave – 32 deputetë, ndërsa koalicioni LDK-AKR- Alternativa me 25,53% të votave – 29 deputetë.
Nga subjektet e komuniteteve pakicë, më së shumti deputetë – 9, me 6,12% të votave, ka Lista Serbe. I 10-ti deputet serb është nga Partia e Pavarur Liberale, e cila ka 0,49% të votave, ndërsa edhe 10 deputetë janë të komuniteteve tjera pakicë.
Sipas matematikave që koalicionet paszgjedhore i bëjnë të domosdoshme, koalicioni parazgjedhor PDK-AAK-Nisma edhe me të gjithë 20 përfaqësuesit e pakicave arrinë numrin prej 59 deputetësh, por nuk mund të arrijë 61 votat e minimumit të nevojshëm për krijimin e qeverisë. Numri i nevojshëm mund të arrihet me kalime individuale të së paku 2 deputetëve nga parti tjera në anën e koalicionit PDK-AAK-Nisma.
Ndërsa, edhe pa pakicat numrin prej pikërisht 61 votave mund ta arrijnë dy subjektet tjera, Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni LDK-AKR- Alternativa.
Kryetari i Listës Serbe, deputeti Slavko Simić, ka thënë për shtypin e sotëm të Prishtinës se ende nuk kanë biseduar me asnjërën nga partitë shqiptare për koalicion paszgjedhor, por ai është treguar i gatshëm të bisedojë me të gjitha partitë për formimin sa më të shpejtë të institucioneve.
Një muaj para zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, në 10 maj, Kuvendi i Kosovës u vetëshpërnda me kalimin me shumicë votash, të opozitës e edhe të partisë më të madhe të maxhorancës – PDK, të mocionit të mosbesimit për qeverinë e udhëhequr nga LDK të zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë me vonesë gjashtë muajshe pas zgjedhjeve të 8 qershorit.