-Grupi Regjional i Evropës Kontinentale (RGCE), trup i Rrjetit Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji Elektrike (ENTSO-E), vendosi që Marrëveshja e re e Kyçjes, e nënshkruar më 30.06.2020, në mes të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe ENTSO-E, të hyjë në fuqi, me ç’rast e bën të mundur pavarësimin energjetik të Kosovës/
-Nga historiku i “autostradës” energjetike Shqipëri-Kosovë: Në 21 Dhjetor të vitit 2013, në hapësirat e Lidhjes Shqiptare në Prizren, në një ceremoni solemne, është nënshkruar kontrata për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri…/
-Marrëveshja në mes KOSTT dhe ENTSO-E – pavarësim elektro-energjetik i Kosovës nga Serbia. Republika e Kosovës del nga Blloku rregullues Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut, për t’iu bashkuar Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri/
PRISHTINË, 29 Shtator 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, njoftoi sot se Grupi Regjional i Evropës Kontinentale (RGCE), trup i Rrjetit Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji Elektrike (ENTSO-E), vendosi që Marrëveshja e re e Kyçjes, e nënshkruar më 30.06.2020, në mes të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe ENTSO-E, të hyjë në fuqi, me ç’rast e bën të mundur pavarësimin energjetik të vendit tonë.
Më tej, kryeministri Hoti tha se ENTSO-E, vlerësoi që KOSTT ka plotësuar të gjitha kushtet e parapara me marrëveshje dhe është e gatshme të operojë e pavarur nga Serbia, si Zonë Rregulluese brenda Bllokut Rregullues Kosovë – Shqipëri.
“Nga e drejta jonë dhe mbështetja e miqve u bë i mundur pavarësimi energjetik”, tha kryeministri Hoti.
Kosova dhe Shqipëria lidhen edhe me “autostradë” energjetike – ky është historiku:
Në 28 Qershor 2016 është finalizuar ‘autostrada’ energjetike, projekti më i rëndësishëm energjetik – Linja e interkoneksionit 400 kV Shqipëri-Kosovë, e cila ka një gjatësi totale prej 241.1 km, nga të cilat 151.1 km shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 km në territorin e Kosovës, duke i hapur kështu rrugë tregut të përbashkët të energjisë.
Ceremonia e inaugurimit u zhvillua në kryeqytetin shqiptar – në Nënstacionin Tirana 2, me pjesëmrrjen e përfaqësuesve të Shqipërisë e Kosovës.
Projekti ka vlerën 75 milionë euro dhe u financua nga Qeveria Gjermane përmes bankës KfW nëpërmjet kredive të zhvillimit. Me linjën e interkoneksionit 400 kV, Shqipëria dhe Kosova do të mund të përfitojnë për shkak të kombinimit të burimeve të prodhimit të energjisë. Shqipëria e bazon prodhimin e energjisë në 95 për qind nga hidrocentralet, ndërsa Kosova nga termocentralet.
Në 17 Dhjetor 2015, në Kosovë u bë inaugurimi i Projektit “Rregullimi Sekondar Frekuencë-Fuqi Kosovë-Shqipëri” dhe përfundimi i punimeve në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë. Inaugurimi u bë pasi në “autostradën” energjetike të Kosovës drejt Shqipërisë u bë edhe energjizimi testues i linjës së re interkonektive të tensionit të lartë 400 kV deri në kufi, e cila lidhë nënstacionet Kosova B dhe Tirana 2, duke kaluar nëpër territorin kosovar në zonat e 8 komunave – Obiliq, Vushtrri, Drenas, Malishevë, Rahovec, Gjakovë, Deçan e Junik dhe të mëse 45 fshatrave.
Në linjën interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri, në pjesën kosovare në fund të muajit Shtator 2015 u përfundua me ngritjen e të gjitha shtyllave elektrike. Ngritja e shtyllës së fundit elektrike – 239 u bë pranë kufirit në Qafë Morinë, ndërkohë që ishin shtruar mbi 50 km përçues elektrikë.
Në 21 Dhjetor të vitit 2013, në praninë e ministrit të Energjetikës dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, ministrit të atëhershëm të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Fadil Ismajli, dhe ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë në atë kohë, Peter Blomeyer, në hapësirat e Lidhjes Shqiptare në Prizren, në një ceremoni solemne, është nënshkruar kontrata për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri.
Në Forumin e Nivelit të Lartë me temën “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, i zhvilluar në Prishtinë në fillim të Marsit 2016, organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës dhe mbështetur nga USAID-i, pjesëmarrësit u pajtuan se një komponentë shumë e rëndësishme për stabilitetin e furnizimit dhe operimit të sistemit është tregu i përbashkët i energjisë elektrike me Shqipërinë.
“Plotësimi i gjenerimit të energjisë elektrike të Shqipërisë – i bazuar kryesisht në hidro dhe i gjenerimit të Kosovës – i bazuar kryesisht në thëngjill, është konsideruar si alternativa më e lirë dhe e sigurt për furnizim të përbashkët të dyja vendeve, duke eliminuar kështu mungesën sezonale”, u theksua në përfundimet e Forumit të Nivelit të Lartë “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, në Prishtinë.
MINISTRJA HARADINAJ STUBLLA PËRSHËNDET PAVARËSIMIN ENERGJETIK TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj.Meliza Haradinaj Stublla, ka përshëndetur votimin e suksesshëm në takimin e sotëm midis RGCE – ENTSO-E, i cili jetëson pavarësimin energjetik të Republikës së Kosovës.
Në këtë takim u votua hyrja në fuqi e marrëveshjes së kyçjes në mes Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Rrjetit Europian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë (ENTSO –E), e nënshkruar më 30 qershor 2020.
“Sukses i plotë, u jetësua pavarësimi energjetik të Republikës së Kosovës. Me këtë rast, shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë operatorët nga shtetet mike, por edhe nga ato që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që votuan dhe na përkrahen në kuadër të Grupit Regjional të Evropës Kontinentale, që nga sot marrëveshja të hyjë në fuqi”, tha Ministrja Haradinaj Stublla.
Kryediplomatja tha se jetësimi i pavarësisë energjetike për Republikën e Kosovës, është një lajm i rëndësishëm për popullin dhe shtetin e Kosovës, zhvillimin ekonomik dhe plotësimin e subjektivitetit ndërkombëtar.
“Shpreh mirënjohjen e thellë Gjermanisë, Francës, Italisë dhe gjitha vendeve anëtare të Grupit Regjional të Evropës Kontinentale. Ky sukses vjen pas një fushate të fuqishme dhe intensive të realizuar me sukses bashkë me miqtë e aleatët tanë. Urime Kosovë e dashur!”, ka deklaruar Ministrja Haradinaj Stublla.