Shkruan: Eneida Jaçaj
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008, është ngjarja e dytë më e madhe historike jubilare pas aktit vendimmarrës për lirinë dhe pavarësinë e trojeve të Arbrit, nga personaliteti i shquar, Ismail Qemali, i cili hodhi bazat e para të themelimit të shtetit shqiptar. Pavarësia e Kosovës është një akt kurorëzimi shumë thelbësor, domethënës, politik, për lirinë e territoreve të saj, ndërtimin e shtetit të pavarur me institucionet demokratike respektive, respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të popullit shqiptar, çlirimin nga pushtimi barbar serb shekullor, apo i ashtuquajturi Holokausti Jugosllav, moment i cili mbart nën vete një rrugë të gjatë, shumë të mundimshme, me plot sfida dhe gjakderdhje. Populli shqiptar i Kosovës ka përjetuar nën lëkurë masakra dhe tortura nga më çnjerëzoret; në fushë të betejës kanë dhënë jetën djem e bija nënash, me fjalët “liri” e “pavarësi”, të gdhendura në shpirt dhe në zemër, ku famëkeqi Sllobodan Millosheviç, me ‘makinën e tij të vdekjes” nuk kurseu as foshnjet në barkun e nënës. Sa gjak është derdhur për liri, sa lotë nënash janë tharrë, e sa tortura e masakra barbare ka përjetuar dhe parë populli i Kosovës, pasojat e të cilave ndihen edhe sot në familjet shqiptare! Mbi gjakun e të rënëve u kurorëzua Pavarësia e Kosovës; me gjakun e dëshmorëve u shkrua fjala “liri”, të cilët u larguan nga kjo botë duke marrë me vete merakun dhe dëshirën e paepur për një Kosovë të lirë dhe të begatë! Ikën me nder dhe lavdi, se sakrifikuan për brezat e rinj që të kenë një të ardhme të ndritur, ikën me amanetin e madh, përcjellë gjeneratave të reja, që të mos shiten dhe as blihen për interesa, pasi kombi dhe gjuha i jep njeriut dinjitet, respekt dhe të drejtën për të ekzistuar! Mbi gjakun e dëshmorëve erdhi liria, u themelua Republika e Pavarur e Kosovës, u thurrën shumë ëndrra për një të ardhme të ndritur plot begati. Ushtria serbe ka zhvilluar krime nga më të rëndat dhe ka ndërmarrë politika shoviniste, për copëtimin e trojeve dhe robërimin e shqiptarëve. Populli shqiptar duhet të mbajë qendrim dhe duhet të veprojë, që zëri i tij të dëgjohet deri te kancelaritë e huaja, në mënyrë që të dënohen të gjithë përgjegjësit e genocidit serb, por edhe atij malazez e grek. Amerika ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm dhe të pakthyeshëm, në të gjithë procesin që kulmon me Pavarësinë e Kosovës. SHBA-të janë “prometeu i lirisë” për Kosovën, pika më e fortë strategjike, mikja besnike, ku shqiptarët janë mbështetur pasi kanë gjetur një shpatull të ngrohtë, e cila kurrë nuk i braktisi në kohë të errëta. Shumë personalitete dhe veprimtarë të shquar, si brenda dhe jashtë vendit, punuan fort për ardhjen e kësaj dite, por do të doja të nxirrja në pah emrin e Martti Ahtisarit, i cili i dha goditjen e fundit politikës serbe. Kujtoj se, më 2 shkurt të 2007, i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit të pavarur.Dialogu Kosovë-Serbi Pavarësisht përpjekjeve të mëdha për shpalljen e pavarësisë, Kosova në ditët e sotme gjendet përballë sfidave politike të brendshme dhe të jashtme. Ajo që merr më shumë vëmendje krahas problemeve të brendshme, është dialogu Kosovë-Serbi, marrëveshje e cila synon të rrisë sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Një propozim franko-gjerman është hedhur në tryezë, ku fton të dyja palët, Kosovë-Serbi, ta pranojnë dhe ta shfrytëzojnë në zhvillimin e marrëdhënieve mes tyre, si dhe për të ofruar dhe garantuar paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Ky propozim përmban respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë. Dy garantet e sigurisë në botë, SHBA dhe BE, po ushtrojnë trysni ndaj dy shteteve për të shkuar në një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, pasi, nëse vijohet me polemika dhe kundërshtime, ajo që do të përfitojë për të shtuar dhe nxitur konfliktet në Ballkan, është Rusia. Cari i Kremlinit, Vladimir Putin, derisa t’i vijë fundi, do të përdorë çdo lloj strategjie për të mbështetur Serbinë në qëllimet e saj ndaj Kosovës, për të zhvendosur vëmendjen nga lufta në Ukrainë, por edhe për të arritur qëllimet e kahershme për të pasur influencë në Ballkan. Zyrtarët e lartë të Kosovës, në mënyrë të përsëritur, janë shprehur se dialogu me Serbinë nuk ka kuptim pa njohje reciproke. Por dialogu Kosovë-Serbi, i monitoruar nga SHBA dhe BE, fillimisht ka për qëllim të çojë në bashkëpunim ekonomik dy shtetet, duke hedhur pas konfliktet e vjetra, e, më pas, të shkohet në etapën përfundimtare, njohjen e Kosovës, nga Serbia. Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, ndryshe nga zyrtarë serbë të mëparshëm të jetës politike, ka treguar angazhim për arritjen e një dialogu, por ai gjendet edhe përballë trysnisë së popullit serb, të cilët janë kundër dialogut dhe e shohin Kosovën ende pjesë të territorit serb. Kështu, grupet pro-ruse të krahut të djathtë kanë kërkuar që Beogradi të ndalojë të gjitha negociatat për Kosovën, por Vuçiç ka thënë se kjo do të nënkuptonte fundin e integrimit të Serbisë në BE dhe izolimin ndërkombëtar. Kalvari i negociatave, mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, ka nisur që më 2011, por situata duket e tensionuar dhe me nota skeptike për të arritur një marrëveshje përfundimtare. Përpos kësaj situate, Kosova po përballet me një presion tjetër që vjen nga Uashingtoni, për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në veriun e Kosovës. Kosova e kundërshton pasi do të kemi një situate të ngjashme me Republikën Serbe të Bosnjes. Britania e Madhe e mbështet Kosovën në këtë pikë. Ndërkaq, Kosova po haset edhe në sfida të tjera të brendshme, e cila do të duhet të hartojë politika ekonomiko-sociale për të ulur papunësinë, të punojë fort për luftën kundër korrupsionit, i cili është armiku kryesor që nuk lejon zhvillimin e një shteti. Festimet në Filadelfia dhe më gjerë Pavarësia e Kosovës, në përvjetorin e 15-të të saj, si brenda viseve të shtetit amë, ashtu edhe nga mërgata shqiptare anë e mbanë botës, është festuar me shumë ovacione, muzikë, këngë dhe valle shqiptare. Komuniteti shqiptar, sidomos ai përtej oqeanit, i cili ndodhet më larg, por me kokën mbrapa, të përmalluar për atdheun, kanë zhvilluar festime madhështore në çdo shtet të Amerikës, ku gjenden shqiptarët. Shqiptarët janë mbledhur së bashku dhe kanë festuar deri në orët e vona të mëngjesit, për Kosovën e lirë dhe të pavarur. Gëzimi dhe hareja është parë në fytyrat e tyre të qeshura, duke demonstruar me këngë e valle, se ruajnë me fanatizëm kulturën dhe traditat shqiptare, edhe pse të larguar prej shumë vitesh nga atdheu i dashur. Anë e mbanë Amerikës u vendosën billboards për ditën e pavarësisë së Kosovës, nga një kompani shqiptaro-amerikane që vepron në SHBA dhe Kosovë. Në të gjitha festimet që janë bërë, do të veçoja festimet madhështore të organizuara nga Shoqata “Bijtë e Shqipes” në Filanbz delfia, në bashkëpunim me gazetaren e talentuar, Eva Dori, e cila është bërë një zë i veçantë për komunitetin shqiptar, duke pasqyruar aktivitetet kulturore, me synim promovimin dhe ruajtjen e vlerave kulturore shqiptare. Për herë të parë u ngrit flamuri zyrtar i shtetit të Kosovës, në mjediset e Bashkisë së Philadelphias. Shoqata “Bijtë e Shqipes” caktoi Ambasadorin e Shtetit të Kosovës, Shkëlqesinë e tij z. Ilir Dugolli, që të jetë flamurtari i ditës së pavarësisë, i shoqëruar nga dy, ish-nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” Philadelphia, zonjusha Jona Hajrullahu e Drini Hamza, të cilët ishin përfaqësuesit e brezit më të ri të Kosovës. Pas fjalëve përshëndetëse, kryetari i Shoqates “Bijte e Shqipes” z. Bujar Gjoka, dha vlerësim nga Këshilli drejtues i shoqatës për z.Ahmet Zeka, për kontributin e vyer që ka dhënë në ndihmë të popullit kosovar. Atdhetari Enver Parllaku shtoi një drekë për të gjithë të pranishmit në La Fontana Della Citta, duke ruajtuar kështu traditën e mrekullueshme vit pas viti. Kosova ta gëzojë përjetë ditën e pavarësisë, duke shpresuar që të përarojë në politikën e saj të brendshme, por të arrihet edhe një dialog me Serbinë, pasi konfliktet nuk u shërbejnë dy shteteve dhe cënojnë stabilitetin në rajon.