-Presidenti i UEFA-së, Aleksander Ceferin viziton Kosovën, thekson përkrahjen për futbollin/
PRISHTINË, 17 Gusht 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Presidenti i Federatës Evropiane të Futbollit – UEFA-s, Aleksander Ceferin, mbërrriti sot në Prishtinë, ku gjatë vizitave e takimev e shprehu përkrahjen e UEFA-s për futbollin e Kosovës edhe në të ardhmen.
Presidenti Ceferin vlerësoi, po ashtu, punën që institucionet e Kosovës po bëjnë në rregullimin e infrastrukturës sportive dhe në përkrahjen e futbollit duke premtuar mbështetje konkrete të UEFA-s.Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim presidentin e UEFA-së, Aleksander Ceferin, i cili po viziton Kosovën.
Të pranishëm në takim ishin edhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, zyrtarë të tjerë të UEFA-s dhe të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Kryeministri Mustafa e falënderoi presidentin e UEFA-s për përkrahjen gjatë anëtarësimit por edhe mbështetjen e madhe që UEFA po vazhdon të jap për Kosovën.

Po ashtu, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e Qeverisë për përkrahjen e futbollit, konkretisht për vazhdimin e trajtimit me prioritet të investimeve në infrastrukturën sportive, në infrastrukturën ligjore, fuqizimin e sportit dhe përkrahjen e drejtpërdrejtë për futbollin e Kosovës.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, sot mbërriti për vizitë zyrtare në Federatën e Futbollit të Kosovës, i shoqëruar nga zyrtarët e UEFA-s Zoran Lakoviç, Luka Zajc dhe Zlatko Pavlica. Në aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë i priti dhe mirëseardhje u dëshiroi presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri, i cili ka falënderuar presdientin Çeferin për këtë vizitë që për futbollin e Kosovës është historike dhe shumë domethënëse.Në takim, presidenti Vokrri e njohu presidentin Çeferin për zhvillimin e futbollit, përparësitë dhe vështirësitë me të cilat po ballafaqohet FFK-ja. “Pas pranimit në UEFA dhe FIFA gjendja dukshëm është përmirësuar dhe po vazhdon të përparojë falë edhe ndihmës që po japin këto dy institucione”, u shpreh ai.
FFK-ja, vijoi Vokrri, po punon fort në përmirësimin e kushteve, përmirësimin e infrastrukturës si dhe në organizimin dhe ngritjen profesionale të zyrtarëve, gjyqtarëve e trajnerëve, e poashtu po punohet edhe në zhvillimin e futbollit të femrave dhe futsallit.
“Ju falënderoj për gjithë mbështetjen që keni dhënë si president i UEFA-s, por edhe sa ishit president i Federatës së Futbollit të Sllovenisë”, theksoi ai.
Nga ana e tij, presidenti i UEFA-s Aleksander Çeferin tha se, ndihet shumë i privilegjuar që kishte mundësinë ta vizitojë Kosovën si federatë dhe përgëzoi presidentin Vokrri për angazhimin, ndërsa theksoi se këtu po shihte një vullnet për zhvillimin e futbollit.
“UEFA do të jetë mbështetëse e fortë dhe ne jemi të vetëdijshëm se si Federatë e pranuar vonë keni nevojë për shumë gjëra e ne do të jemi gati gjithmonë t’u dalim në ndihmë për të ecur para”, tha ai.
Në vazhdim, delegacioni i UEFA-s vizitoi stadiumin e Prishtinës, i cili po renevohet për t’u përgatitur për ndeshjet ndërkombëtare. Presidenti Çeferin u nda i kënaqur me nivelin e punimeve si dhe me cilësinë e ndërtimit. UEFA ka dhënë kontributin e saj me mbikëqyerjen dhe këshillat rreth ndërtimit. Presidenti i UEFA-s me bashkëpunëtorët e tij vizitoi edhe Muzeun Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, afër Stadiumit të Qytetit.
Në pritjen e shoqërimin e delagacionit të UEFA-s ishin edhe zyrtarë të tjerë të Federatës së Futbollit të Kosovës – nënpresdienti Agim Ademi, anëtari i KE Agron Mustafa dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu.
Presidenti Çeferin dhe delagacioni i UEFA-s në selinë e FFK-së vizituan të gjitha zyrat dhe takuan edhe zyrtarët e tjerë.
