

-Në konkursin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës janë pranuar rreth 600 fotografi dhe dhjetëra shkrime/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 8 Dhjetor 2017/ Fotografia e shkrepur derisa po shkruhej në pergamenë Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, ndonjë orë para shpalljes në 17 Shkurtin historik 2008, ku shihet artisti Shyqri Nimani duke bërë kaligrafinë e tekstit, e autorit Agon Nimani, dhe ajo e Armend Nimanit nga performanca e këngëtares, Rita Ora, me rastin e shenjtërimit të Nënës Terezë në Vatikan, kanë ndarë çmimin e parë në konkursin e Ministrisë kosovare të Punëve të Jashtëme.
Konkursi për përzgjedhjen e fotografive dhe shkrimeve më të mira për promovimin e Kosovës për vitin 2017 është hapur në 18 tetor 2017, ndërsa mbrëmjen e djeshme u shpallën fituesit në një ceremoni organizuar në Muzeun Kombëtar të Kosovës, në Prishtinë. Çmimi i dytë u është ndarë autorit Bleron Caka për fotografi veshjesh tradicionale dhe Armend Nimanit për fotografinë ku shihet sportistja shqiptare e Kosovës, Majlinda Kelmendi, duke festuar medaljen e artë olimpike.
Çmimi i tretë i është dhënë autorit Ardit Qeriqi për fotografinë që paraqet një nga sportet më të reja në Kosovë – ngjitja (hiking).
Për shkrimet më të mira, fitues të çmimeve janë: Të parit “Stacioni ku përplasen kohët”, i autorit Artan Krasniqi, të dytit “Gëzuar në Rahovec”, i autorit Uran Haxha, ndërsa të tretin e kanë ndarë dy autorë: Azra Deshiq për “Ilir Tafa, aktori që po i rikthen namin Kosovës” dhe Labinot Konushevci për “Intervistë me Ibrahim Berishën”.
Me çmime të tjera janë shpërblyer edhe 20 autorë të fotografive.
“Këto fotografi dhe shkrime janë bërë për njerëzit që e duan Kosovën”, tha zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, ku kishte shumë të ftuar nga mediat, përfaqësues vendorë e dilpomatë të akredituar në Prishtinë, mes të cilëve ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi.
Kryediplomati kosovar tha se këto fotografi e shkrime do shihen e lexohen edhe “gjithandej në botë, ku Kosova ka miq, aty ku janë njerëzit e Kosovës dhe në holle të tjera të institucioneve me rëndësi dhe ndikim”.
Gjatë ceremonisë u bë edhe promovimi i ueb-faqes së re re kosovoabc.com, e cila, siç u shpreh kryediplomati Pacolli, do të përmbajë informata të azhurnuara dhe fotografi në kategorinë e atraksioneve turistike, natyrore, muzikës, sportit, filmit, historisë, ekonomisë, marrëdhënieve ndërkombëtare, sistemit politik, kuzhinës tradicionale dhe intervistave me ndërkombëtarët, që jetojnë apo kanë investuar në Kosovë. “Themeluam faqen e re në Wikipedia. Jemi në themelim e sipër të Grupit të Përdorimit në Wikimedia. Kemi nisur bisedimet për jetësimin e idesë tonë të projektit të jashtëzakonshëm Virtual Kosovo”, tha ministri i Jashtëm kosovar.
Përzgjedhjen e fotografive dhe shkrimeve e ka bërë juria profesionale e përbërë nga: Eliza Hoxha, Sylejman Kllokoqi, Gianluca Serrago, Adriatik Kelmendi dhe Rrahman Paqarizi. Në konkursin e promovimit të Kosovës 2017, sipas Ministrisë së Jashtme, janë pranuar rreth 600 fotografi dhe dhjetëra shkrime.Në Konkursin për përzgjedhjen e Fotografive dhe Shkrimeve më të mira për promovimin e Kosovës për vitin 2017 të shpallur në 18 tetor, me iniciativën e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, Ministria e Punëve të Jashtme u bëri thirrje publike të gjithë fotografëve dhe gazetarëve profesionistë, ekspertëve të këtyre fushave si dhe të gjithë qytetarëve të zakonshëm, që të marrin pjesë në garën për përzgjedhjen e fotografive dhe shkrimeve më të mira për Vitin 2017, që kanë për qëllim promovimin e imazhit të Kosovës.
Konkursi, fokusohej në kategoritë që përfshinë, por, nuk kufizohen vetëm në çështjet si më poshtë:Trashëgimi kulturore dhe fetare (Shkrime dhe fotografi që ndërlidhen me promovimin e objekteve kulturore dhe fetare);Atraksionet turistike natyrore (Shkrime dhe Fotografi mbi bukuritë natyrore të Kosovës);
Muzikë (Fotografi dhe shkrime në kontekst të cilës përshkruhen yjet brenda dhe jashtë Kosovës dhe që kanë dhënë kontribut në ngritjen e imazhit të Kosovës);
Sport (Fotografi dhe shkrime që përshkruajnë ngritjen dhe zhvillimin e sportit vendor si dhe të yjeve të sportit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, që kanë dhënë kontribut në ngritjen e imazhit të Kosovës);
Film (Shkrime dhe fotografi, që ndërlidhen me zhvillimin e kinematografisë kosovare, si dhe sukseset e filmit dhe yjeve të filmit kosovar si në aspektin kombëtar ashtu edhe atë ndërkombëtar);
Histori (Fotografi dhe shkrime nëpërmjet të cilave tregohen vlerat historike të Kosovës dhe personalitete kombëtare, që kanë kontribuar në historinë e Kosovës);
Ekonomi (Fotografi dhe shkrime që përfshinë zhvillimin dhe ngritjen e ekonomisë së Kosovës, sektorët më atraktiv për bërje të biznesit si dhe bizneseve të suksesshme vendore dhe atyre ndërkombëtare, që kanë investuar në Kosovë);
Kuzhina Tradicionale (Fotografi dhe shkrime mbi kuzhinën tradicionale);
Veshjet tradicionale (Fotografi dhe shkrime nëpërmjet të cilave tregohet historia e veshjeve tradicionale).
Aplikuesit në këtë garë përfshijnë edhe shtetasit e huaj që jetojnë në Kosovë, por, pa dyshim edhe të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës që jetojnë jashtë vendit. Të gjithë pjesëmarrësit duhej të aplikonin me fotografitë dhe shkrimet e tyre autoriale.