
Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/
Një rast unik në historinë ndërkombëtare
Republika e Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, mbetet një rast unik – sui generis në sistemin juridik dhe politik ndërkombëtar. Asnjë proces shtetformues në Evropën moderne nuk ka pasur një kombinim kaq të ndërlikuar ndërmjet ndërhyrjes humanitare, administrimit ndërkombëtar, vetëvendosjes demokratike dhe mbikëqyrjes ndërkombëtare.
Kosova nuk lindi nga ndarje etnike, as nga ambicie territoriale, por nga reaksioni i ndërgjegjes ndërkombëtare ndaj krimeve, spastrimit etnik dhe gjenocidit të ushtruar nga regjimi i Millosheviqit.
Në këtë kuptim, Kosova është produkt i drejtësisë ndërkombëtare, jo precedent për separatizëm.
Shtetësia që buron nga ndërgjegjja ndërkombëtare
Krijimi i Kosovës si shtet nuk është rezultat i një procesi klasik të vetëvendosjes, por një përjashtim me karakter ndërkombëtar.
Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999, e ndërtuar mbi parimin e mbrojtjes së popullsisë civile, u bë pjesë e një logjike të re në të drejtën ndërkombëtare: logjika e ndërhyrjes humanitare dhe e përgjegjësisë për të mbrojtur (Responsibility to Protect – R2P).
Pas ndërhyrjes, Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së krijoi një status të përkohshëm juridik – Kosovën nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, por me elemente të qarta të sovranitetit të kufizuar dhe të autonomisë kushtetuese. Kjo situatë e pazakontë përbën themelin e karakterit sui generis: një territor që funksionon si shtet, por që në fazën fillestare mbetet nën mbikëqyrje ndërkombëtare.
Plani Ahtisaari dhe legalizimi ndërkombëtar i shtetësisë
Në vitin 2007, Plani Gjithëpërfshirës i Martti Ahtisaarit vendosi arkitekturën juridike mbi të cilën u ndërtua pavarësia e Kosovës. Ky dokument, i hartuar nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara, parashikonte pavarësi të mbikëqyrur ndërkombëtarisht – një formulë që nuk ka ekzistuar më parë në praktikën ndërkombëtare.
Pikërisht ky plan i dha Kosovës legjitimitet ndërkombëtar dhe kushtetues për të ndërtuar institucione të pavarura dhe për të respektuar të drejtat e komuniteteve, si pjesë e standardeve më të avancuara të demokracive evropiane.
Pra, pavarësia e Kosovës nuk është shpallje e njëanshme, por përfundim i një procesi të gjatë ndërkombëtar të udhëhequr nga parimi i drejtësisë dhe i stabilitetit rajonal.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë – konfirmimi i legjitimitetit
Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e konfirmoi qartazi se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Ky opinion këshillimor i dha fund dilemave juridike: shpallja e pavarësisë nuk është në kundërshtim me Rezolutën 1244 dhe nuk bie ndesh me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare.
Me këtë vendim, Kosova mori një status juridik të veçantë, duke u bërë subjekt i së drejtës ndërkombëtare në mënyrë jo-konvencionale — pra, sui generis.
Integrimi ndërkombëtar – një proces që duhet të jetë po ashtu sui generis
Nëse shtetësia e Kosovës është sui generis, atëherë edhe proceset e saj të integrimit ndërkombëtar duhet të zhvillohen në të njëjtën logjikë.
Kosova nuk mund të trajtohet me të njëjtin standard që u aplikua ndaj shteteve të tjera të reja, sepse rrethanat e saj janë të papërsëritshme.
Në OKB
Kosova ka fituar njohje nga mbi 100 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara, por për shkak të vetos së Rusisë dhe Kinës, ende nuk është anëtare e plotë. Megjithatë, përmes anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, marrëveshjeve dypalëshe dhe pjesëmarrjes në konferenca globale, Kosova ka dëshmuar se është de facto pjesë e sistemit ndërkombëtar.
Prandaj, integrimi i Kosovës në OKB duhet të konceptohet si pranim i një realiteti të krijuar nga ndërkombëtarët vetë.
Një model i veçantë pranimi – sui generis, që ruan ekuilibrin ndërmjet parimit të sovranitetit dhe të drejtës për paqe dhe siguri ndërkombëtare, është zgjidhja më realiste për të ardhmen.
Në Bashkimin Evropian dhe NATO
Edhe në këto dy organizata, Kosova duhet të trajtohet në mënyrë të veçantë.
Pesë shtetet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj nuk mund të pengojnë një proces që është produkt i vetë politikës së jashtme evropiane.
Në këtë kuptim, Kosova duhet të ketë një status të veçantë integrues, një “Partneritet Evropian të thelluar”, që i mundëson pjesëmarrje të plotë në strukturat evropiane dhe euroatlantike, edhe pa anëtarësim formal të menjëhershëm.
Roli i Shteteve të Bashkuara – garancia e pavarësisë dhe e stabilitetit
Nuk mund të kuptohet rasti sui generis i Kosovës pa përmendur roli vendimtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
SHBA-të kanë qenë faktor themelor në:
-ndërhyrjen humanitare të NATO-s,
-ndërtimin e institucioneve demokratike,
-njohjen e hershme të shtetësisë së Kosovës,
-dhe mbështetjen për integrimin euroatlantik të saj.
Në këtë aspekt, Kosova mbetet projekti më i pastër i ndërgjegjes demokratike amerikane në Ballkan – një model që mishëron lidhjen ndërmjet vlerave të lirisë, drejtësisë dhe ndërhyrjes humane.
Përfundim: Kosova, model i drejtësisë ndërkombëtare – jo precedent
Rasti i Kosovës nuk është precedent për ndarje apo për separatizëm.
Përkundrazi, është model i ndërhyrjes humane, i ndërtimit të shtetit demokratik dhe i drejtësisë ndërkombëtare funksionale.
Kosova është shteti i parë i krijuar mbi bazën e parimit të përgjegjësisë për të mbrojtur popujt e kërcënuar, dhe për këtë arsye, ajo do të mbetet rast i veçantë dhe i pashoq në historinë e së drejtës ndërkombëtare.
Siç është e veçantë lindja e saj, ashtu duhet të jenë edhe procedurat e integrimit të saj në organizatat ndërkombëtare — me logjikë, me ndjeshmëri, dhe me respekt ndaj një realiteti që lindi nga vuajtja, por që sot simbolizon fitore të drejtësisë dhe të ndërgjegjes njerëzore.