-Në Kosovë festohet Bajrami, drejtuesit institucionalë, politikë e fetarë në mesazhet e tyre urojnë paqe, solidaritet dhe mirëkuptim, mirësi, siguri e prosperitet, duke theksuar vlerat e tolerancës ndërfetare dhe ndërkulturore/
PRISHTINË, 21 Gusht 2018-Gazeta DIELLI/ Në Kosovë festohet Fitër Bajrami, manifestimi qendror u mbajt në mëngjes në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ku u bë edhe falja.Namazit të Kurban Bajramit i priu Hfz. Xhelal Kaloshi, ndërsa hytben e Bajramit e mbajti kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu, Naim Tërnava, i cili edhe iu drejtua opinionit të gjerë me mesazhin për këtë festë.
“Kurban Bajrami është sinonim i shkëputjes dhe ndarjes fizike dhe shpirtërore të besimtarit me të keqen dhe të ligën, që cenon të drejtat dhe liritë, vlerat dhe virtytet, njeriun dhe njerëzinë”, u shpreh ai.
Drejtuesit institucionalë, politikë e fetarë në mesazhet e tyre urojnë paqe, solidaritet dhe mirëkuptim, mirësi, siguri e prosperitet, duke theksuar vlerat e tolerancës ndërfetare dhe ndërkulturore.
Bashkësisa Islame e Kosovës ka organizuar pritje përurimi dhe u ka uruar festën e Bajramit të gjithë qytetarëve, besimtarëve në vend dhe bashkëatdhetarëve kudo që janë në mërgatë.
Presidenti Thaçi viziton Bashkësinë Islame të Kosovës, uron besimtarët për Bajramin.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e festës së Kurban Bajramit ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës, ku është pritur nga myftiu Naim Tërnava.
Presidenti Thaçi, me këtë rast ka uruar Myftiun Tërnava dhe të gjithë qytetarët kudo që jetojnë në Kosovë, në diasporë dhe anë e kënd botës.
“Sot është një festë e mirëkuptimit, e solidaritetit, e dashurisë dhe e respektit të njerëzve, e vizitave të ndërsjella. Prandaj, uroj që edhe sot, edhe çdo herë të ketë sa më tepër harmoni mes njerëzve, në shoqërinë tonë, prej besimtarëve tanë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit ka thënë se Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet tolerante dhe në harmoni të plotë në mes besimeve.
Sipas tij, këtë e ka dëshmuar gjithmonë dhe do ta dëshmojë edhe në të ardhmen.
“Roli i Bashkësisë Islame ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm”, ka theksuar presidenti.
Ai ka thënë se sot jemi të gjithë të bashkuar në shpirtin dhe frymën e mirëkuptimit, dhe të solidaritet.
Kryeministri Haradinaj: Ndjenja e solidaritetit e të qenit bashkë na shoqëroftë edhe tutje.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga anëtarët e kabinetit qeveritar dhe bashkëpunëtorë të tjerë, ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës, për të uruar Festën e Kurban Bajramit.
Kryeministri Haradinaj me këtë rast ka uruar Myftiun Naim Tërnava, Bashkësinë Islame të Kosovës dhe të gjithë qytetarët e besimit islam për këtë festë.
“Shfrytëzoj rastin që t’ju uroj Myftiut Tërnava, Bashkësisë Islame të Kosovës, popullit tonë mysliman, të gjithë atyre që na e duan të mirën, me fat dhe urime Festa e Kurban Bajramit.
Kjo ndjenjë e solidaritetit e të qenit bashkë na shoqëroftë edhe më tutje në ato që na presin”, tha kryeministri Haradinaj.
Veseli për Bajram: Paqe, dashuri dhe solidaretit midis nesh
Sot, me rastin e Festës së Kurban Bajramit, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, vizitoi Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK).Gjatë kësaj vizite, kryetari Veseli u prit nga myftiu Naim Tërnava dhe drejtues të tjerë të BIK-ut, të cilët i uroi për këtë ditë feste dhe nëpërmjet tyre, të gjithë besimtarëve islamë në Kosovë.
“Uroj për paqe, dashuri dhe solidaretit sa më të madh midis nesh. Faleminderit myftiut dhe të gjithë atyre imamëve të cilët po përcjellin te besimtarët tanë mesazhin e drejtë për kombin tonë, mesazhin e drejtë për fenë dhe për humanizmin”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Ai falënderoi Bashkësinë Islame për kontributin e jashtëzkonshëm dhe solidaritetin.
Veseli tha se kombi ynë do të ecë përpara dhe do të ketë perspektivë e mirëqenie më të madhe, edhe për faktin se është popull solidar, që kultivon paqen, dashurinë dhe respektin.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, ndërkaq, falënderoi kryetarin Veseli për këtë vizitë dhe urimet për Festën e Bajramit. /b.j/