-Kosova në mesnatën mes të premtës e të shtunës nisi heshtjen parazgjedhore, të dielën votohet për kryetarët e asambleistët e komunave/
-Nga 38 komunat e Kosovës, 27 janë me shumicë shqiptare, në 11 të tjerat shumicë janë komunitetet pakicë – në 10 serbët e në 1 turqit/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI, i akreditur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
TABELA
NUMERI I VOTUESEVE 1, 890,952-NUMRI I QENDRAVE TE VOTIMIT 890-NUMRI I VENDVOTIMEVE 2505, Shihe Tabelen per detaje per çdo komune/
PRISHTINË, 21 Tetor 2017/ Kosova sot është në heshtejn parazgjedhore të nisur në mesnatë para votimeve të së dielës së 22 tetorit për kryetarët dhe asambleistët e 38 komunave.Në këto zgjedhje lokale, të gjashtat në liri e të tretat në pavarësi, garojnë 91 subjekte politike, prej tyre 35 parti, 30 iniciativa qytetare, 25 kandidatë të pavarur dhe 1 koalicion, ndërsa fushata elektorale njëmuajshe e përfunduar me ditën e djeshme ka nisur në 21 shtator.Të dielën, nga ora 7:00 deri në 19:00, në gjithë Kosovën do të jenë të hapura 899 qendra votimi me 2.505 vendvotime, ndërsa numri i votuesve të regjistruar është 1.890.952.Do të jënë të të angazhuar mëse 18 mijë anëtarë të këshillave të vendvotimeve, 2 mijë të tjerë rezerveë, ndërsa janë trajnuar 17.635 komisionerë.“Për komunën tënde. Voto” është sllogani i Zgjedhjeve Lokale 2017, për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar planin operacional.Zgjedhjet e nesërme në të gjitha komunat e Kosovës do monitorohen nga më shumë se 33.000 vëzhgues të akredituar.
Gazeta DIELLI, organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, me korrespondentin në Kosovë është akreditur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve edhe për zgjedhjet e lokale të 22 tetorit, sikur edhe për ato parlamentare të 11 qershorit 2017.Bashkimi Evropian ka dërguar misionin me rreth 100 vëzhgues edhe për zgjedhjet lokale, ashtu si në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit të këtij viti.Koalicioni Demokracia në Veprim në fillimin e fushatës së zgjedhjeve lokale ka mobilizuar 61 vëzhgues afatgjatë për të përcjellë nga afër aktivitetet në kuadër të fushatës 30 ditëshe, ndërsa për në ditën e 22 tetorit ka rekrutuar mbi 2 500 vëzhgues, të cilët do të jenë në të gjitha komunat dhe vendvotimet në Kosovë.Misioni i OSBE-së në Kosovë dërgon 220 përfaqësues në komunat veriore me shumicë serbe, të cilët do t’u ofrojnë këshilla teknike komisioneve komunale të zgjedhjeve lokale. Nga gjithësej 38 komunat e Kosovës, 27 janë me shumicë shqiptare dhe më e madhja është e kryeqytetit, Prishtinës, ku janë të regjistruar 188.341 votues.Ndërsa, 10 komuna, kryesisht nga më te voglat, janë me shumicë serbe, 5 prej tyre të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Martti Ahtisaari – emisarit special tëOKB-së.Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija nëveri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.
Një komunë, Mamusha, është e banuar me shumicë nga komuniteti turk, që është një nga minoritetet tjera në Kosovë.
Zgjedhjet lokale të 22 tetorit mbahen në afat të rregullt, katër vjet pas zhvillimit të tyre në 3 nëntorin 2013, kur sipas rezultateve të shpallura nga KQZ i Kosovës, që në raundin e parë janë zgjedhur kryetarët në 13 komuna, ndërsa në 24 komuna kishte balotazh në 1 dhjetor, e në 16 nëntor në Mitrovicën Veriore kishte rivotim në tre qendra, ku incidentet e sulmeve kishin ndërprerë votimet.
Në Kosovën e lirë nga qershori 1999, zgjedhjet e para për pushtetin lokal janë mbajtur në 28 tetor të vitit 2000, të dytat në 26 tetor 2002, të tretat në 17 nëntor 2007, të katërtat në 15 nëntor 2009, të pestat në 3 nëntor 2013, ndërsa zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017 janë të gjashtat.
Zgjedhjet lokale në Kosovë të vitit 2007 janë mbajtur në të njëjtën ditë me zgjedhjet parlamentare – në 17 nëntor.
Ndërsa, zgjedhjet lokale të 15 nëntorit 2009 ishin të parat pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 17 shkurtin historik 2008.
Kosova në në 2017-tën mbajti edhe zgjedhje parlamentare, të parakohshme, poashtu të gjashtat në liri e të tretat pas pavarësisë së njohur deri tani nga 114 shtete anëtare të OKB-së.
Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 % serbë, 1.08 % turqë, etj.
Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen në regjistrimin e popullsisë të katër komunave veriore të Kosovës, ku serbët e kanë refuzuar.
Numri i votuesve në këto katër komuna veriore me shumicë serbe, sipas regjistrit të KQZ-së, është: Mitrovicë e Veriut – 21.797, Leposaviç – 17.747, Zveçan – 9.069 e Zubin Potok – 8.400.Nga komunat me shumicë shqiptare numri më i vogël i votuesve ëshë në Junik – 5.590, nga komunat me shumicë serbe në Kllokot – 3.742, ndërsa në komunën e vetme me shumicë turke Mamushë – 3.935.Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka hapur zyrtarisht Qendrën Mediale, e cila është një hapësirë e veçantë për mediat e akredituara në Ditën e Zgjedhjeve Lokale të 22 tetorit dhe pas saj, e ku do mbahen edhe konferenca për shtyp.