-Që nga mesnata nisi fushata e zgjedhjeve lokale të 22 tetorit, të cilat do zhvillohen në 38 komuna/
NGA BEHLUL JASHARI-KORRESPONDENT I DIELLIT NE KOSOVE/
-Deklaratë nga ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë,
Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës: Për fushatë të lirë, me respekt dhe të qetë/
PRISHTINË, 21 Shtator 2017-Gazeta DIELLI / Ka nisur sot në Kosovë, që nga mesnata, fushata e zgjedhjeve lokale që do mbahen pas një muaji, në 22 tetor, në 38 komuna për kryetarët dhe kuvendet e tyre. Garojnë gjithësej 91 subjekte politike, prej tyre 35 parti, 30 iniciativa qytetare, 25 kandidatë të pavarur dhe 1 koalicion.Gjatë ditës së sotme, Lëvizja Vetëvendosje zhvilloi aktivitete në Prishtinë, Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë e Ferizaj, ku morën pjesë kandidatët nga të gjitha komunat.Pasditen e sotme, Lidhja Demokratike e Kosovës në Sallën “1 Tetori” në Prishtinë hapi fushatën me prezantim të kandidatëve për kryetarë komunash. Në të njëjtën orë Aleanca për Ardhmerine e Kosoves në Sheshin 21, në Prishtine, bëri hapjen e fushtës për zgjedhjet lokale 2017. Partia Demokratike e Kosovës në Prishtinë bëri hapjen solemne të fushatës së zgjedhjeve lokale pikërisht në minutën e parë pas mesnatës së kaluar, për të vazhduar gjatë ditës në Mitrovicë…
AMBASADAT E QUINT: QYTETARËT MERITOJNË NJË PROCES ZGJEDHOR TË HAPUR DHE TRANSPARENT
Në fillimin e fushatës për zgjedhjet komunale sot në Kosovë ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ftojnë të gjitha partitë politike dhe kandidatët e tyre që të angazhohen për fushatë të lirë, me respekt, dhe të qetë.“Qytetarët meritojnë një proces zgjedhor të hapur dhe transparent ku të gjithë kandidatët kanë të drejtën që të dëgjohen nga votuesit, ku pjesëtarët e mediumeve kanë të drejtën që – pa kërcënim ose dhunë – të shpërndajnë informata për zgjedhjet, dhe ku të gjithë votuesit kanë të drejtën që të marrin vetë vendimet e tyre pa presion”, thekson deklarata e përbashkët dërguar nga ambasada e SHBA.Ne, shprehen ambasadat e Quint-it, ritheksojmë se liria për përkatësi politike dhe liria e fjalës janë të drejta të garantuara në një shoqëri demokratike, dhe ne fuqimisht dënojmë çdokend që tenton të ndikojë procesin zgjedhor, apo që përmes frikësimit, kërcënimit dhe presionit tenton të ndikojë në zgjedhjet e bëra nga votuesit.“Ne presim nga udhëheqësit e Kosovës dhe nga ata që kanë ambicie për udhëheqësi që të flasin fuqimisht kundër këtij lloji të sjelljes, dhe ne përkrahim përpjekjet e policisë vendore dhe prokurorëve që të hetojnë çdo raport të frikësimit, kërcënimeve, dhe detyrimit, dhe që të ndjekin penalisht këto nëse ka fakte”, theksojnë ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.Ambasadat presin nga kandidatët që t’ju përmbahen këtyre standardeve gjatë gjithë fushatës, dhe i nxisin votuesit që të zgjedhin mençurisht ata kandidatë të cilët më së miri do t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve dhe të shtetit gjersa shteti synon vazhdimin e rrugëtimit drejtë integrimeve Euro-Atlantike.
KOSOVA 38 KOMUNA, 27 ME SHUMICË SHQIPTARE
Kosova ka gjithësej 38 komuna, 27 janë me shumicë shqiptare dhe më e madhja është e kryeqytetit, Prishtinës.Ndërsa, 10 komuna, kryesisht nga më te voglat, janë me shumicë serbe, 5 prej tyre të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Martti Ahtisaari – emisarit special të OKB-së.Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.Një komunë, Mamusha, është e banuar me shumicë nga komuniteti turk, që është një nga minoritetet tjera në Kosovë. Zgjedhjet lokale të 22 tetorit mbahen në afat të rregullt, katër vjet pas zhvillimit të tyre në 3 nëntorin 2013, ndërsa në këtë vit – 2017-tën në Kosovë kishte edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në 11 qershor, 3 vjet pas atyre të 8 qershorit 2014.Zgjedhjet lokale të 22 tetorit në Kosovë do kenë një numër të madh monitoruesish, 100 prej të cilëve të Misionit të Bashkimit Evropian. Koalicioni Demokracia në Veprim në fillimin e fushatës së zgjedhjeve lokale ka mobilizuar 61 vëzhgues afatgjatë për të përcjellë nga afër aktivitetet në kuadër të fushatës 30 ditëshe, ndërsa për në ditën e zgjedhjeve, 22 tetor, ka rekrutuar mbi 2,500 vëzhgues të cilët do të jenë në të gjitha vendvotimet në Kosovë.Në zgjedhjet lokale 2013, sipas rezultateve të shpallura nga KQZ i Kosovës, që në raundin e parë, në 3 nëntor, janë zgjedhur kryetarët në 13 komuna, ndërsa në 24 komuna kishte balotazh në 1 dhjetor, e në 16 nëntor në Mitrovicën Veriore kishte rivotim në tre qendra, ku incidentet e sulmeve kishin ndërprerë votimet.
21 September 2017
STATEMENT BY EMBASSIES OF FRANCE, GERMANY, ITALY, THE UNITED KINGDOM AND THE UNITED STATES
As the local elections campaign season opens, the Embassies of France, Germany, Italy, the United Kingdom and the United States call all political parties and their candidates to commit to free, respectful, and peaceful campaigning. Citizens deserve an open and transparent election process where all candidates have the right to be heard by the voters, members of the media have the right to share information about the election free from threats or violence, and all voters have the right to make their own decisions free from any pressure.We reiterate that freedom of political affiliation and free speech are guaranteed rights in a democratic society, and we strongly condemn anyone attempting to influence the election process or the voters’ choices through intimidation, threats, and pressure. We expect Kosovo’s leaders, and those aspiring to leadership, to speak out strongly against this type of behavior, and we support the efforts of local police and prosecutors to investigate any reports of intimidation, threats, and coercion and to prosecute if the facts justify it.The Embassies expect the candidates to hold themselves to these standards throughout the campaign season, and encourage the voters to choose wisely those candidates who will best represent the interests of citizens and of the country as it aspires to continue the path of Euro-Atlantic integration.