-Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, i udhëhequr nga kryesuesi Petrit Gashi, mori vendim që të formojë Komisionin për analizën preliminare të kërkesave kreditore si dhe Komisionin për përgatitjen e termave të referencës për studimin e fizibilitetit për Trepçën me orientime strategjike për zhvillimin e kësaj ndërmarrje/
-Gazeta tradicionale e historike e Kosovës Rilindja në 30 dhjetor 2008: Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 3 Shkurt 2016/ Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, i udhëhequr nga kryesuesi Petrit Gashi, në dinamikën e vazhdueshme të punës, diskutoi për një numër çështjesh të përcaktuara me axhendë. Sot bëhet e ditur se, me konsensus zgjodhi Bajram Zejnullahun zëvendës kryesues Bordi, ndërsa diskutoi lidhur me pozitat vakante në menaxhmentin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe me këtë rast aprovoi komisionin, rregulloren dhe procedurat e rekrutimit të menaxhmentit, si dhe përshkrimet e vendit të punës dhe mori vendim për shpalljen dhe publikimin e konkursit për pozitat vakante të drejtorit dhe zëvendësdrejtorit menaxhues.
Bordi u informua edhe për zhvillimet lidhur me ndërmarrjen Trepça dhe kërkesat ligjore rreth riorganizimit dhe afatit ligjor për dorëzimin e Planit të riorganizimit. Bordi mori vendim që të formojë Komisionin për analizën preliminare të kërkesave kreditore si dhe Komisionin për përgatitjen e termave të referencës për studimin e fizibilitetit për Trepçën me orientime strategjike për zhvillimin e kësaj ndërmarrje.
Më tutje, në mbledhje, Bordi diskutoi për zhvillimet lidhur me punën e aktivitetet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe shqyrtoi Raportin Vjetor të Punës për vitin 2014. Vendosi që ky raport t’i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës sipas kërkesave të Ligjit mbi Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Poashtu, Bordi shqyrtoi raportet e punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për periudhën deri në 31 nëntor 2015.
Bordi diskutoi edhe për procesin e privatizimit dhe të likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore, sfidat dhe nevojat e Agjencisë dhe me këtë rast emëroi disa komisionie. Bordi diskutoi dhe miratoi emërimin e anëtarëve të Komitetit të Auditimit dhe zgjati mandatin e Komisionit për Shitjen e Banesave në pronësi të ndërmarrjeve shoqërore tek palët me të drejtë të shfrytëzimit.
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) nisi vitin 2016 me Bordin e Drejtorëve, të ri, të munguar në 2015-tën. Për Agjencinë Kosovare të Privatizimit emërimi i Bordit të Drejtorëve të saj në fundin e seancës përmbyllëse të sesionit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës dhe konstituimi i këtij Bordi në ditën e fundit të vitit 2015 është një ngjarje e rëndësishme dhe e pritur gjatë.
“Gjatë vitit 2015 Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk ka realizuar asnjë shitje të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore për shkak të mungesës së Bordit të Drejtorëve”, ka theksuar në konferencën vjetore për shtyp Avni Jashari, ushtruesi i detyrës së zëvendësdrejtorit menaxhues të kësaj Agjencie, e cila në mungesë Bordi kishte mbetur pa drejtor menaxhues.
Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në 31 dhjetor, pak orë para ardhjes së Vitit të Ri 2016, ka mbajtur mbledhjen e parë, konstituive, të udhëhequr nga Petrit Gashi, kryesues i Bordit, ku u diskutua për një varg çështjesh të përcaktuara me axhendë bazuar në mandatin ligjor të Agjencisë.
Për vitin 2016, menaxhmenti i Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka përcaktuar 20 objektiva kryesore të punës, të cilat ka paralajmëruar se do të bëhen të ditura pas miratimit nga Bordi i Drejtorëve.
Në kuadër të procesit të ligjshëm të privatizimit pritet e kërkohet edhe ridalja e gazetës së përditëshme tradicionale të Kosovës Rilindja, e cila ka nisë të dalë në Prizren para 71 vitesh, në 12 shkurt 1945. Gazeta historike e Kosovës Rilindja, e cila ka filluar të dalë në frymën e Konferencës së Bujanit e me anagzhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, është mbyllur detyrimisht me dëbim të kundërligjshëm e të padrejtë nga Pallati i saj në Prishtinë nga administrata e UNMIK para 14 vitesh në 21 shkurt 2002. Pas kësaj date gazeta Rilindja ka dalë me numra protestues të jashtëzakonshëm, të kohëpaskohshëm.
Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008 dhe për njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave protestues në 30 dhjetor 2008, me numrin e festës së Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: “Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë”.