-AAK: Kosova ka nevojë për një front të përbashkët për zgjidhjen e krizës politike/
PRISHTINË, 18 Janar 2016/ Kosova ka nevojë për një front të përbashkët për zgjidhjen e krizës politike, deklaroi sot partia opozitare AAK, e udhëhequr nga kryetari Ramush Haradinaj.
“Kriza politike që ka përfshirë Kosovën, asnjëherë nuk ka qenë më e thellë se sa sot. Shumë nga politikanët, intelektualët, opinionistët, gazetarët dhe qytetarët e zakonshëm, por edhe partnerët ndërkkombëtarë, po përpiqen të jenë pjesë e zgjidhjes, qoftë me ide, qoftë me veprime konkrete.
Do të duhej që pjesë e zgjidhjes të bëhën edhe ata që e kanë shkaktuar këtë krizë, e jo të provojnë që ta thellojnë atë akoma më shumë, me shpresë se vetë do të jenë të kursyer”, shprehet AAK në deklaratën e dërguar.
Më tej shtohet se, idetë që të krijohen dofarë komisionesh që do ta intepretonin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për Asociacionin, apo thirrja eventuale e seancave plenare të Kuvendit, nuk i kontribuojnë zgjidhjes së kësaj krize.
“Prandaj të gjithë ata që janë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm, nuk do të duhej të ndërmerrnin veprime që e rëndojnë situatën, por që janë në funksion të zgjidhjes së krizës politike që e ka përfshirë vendin”, theksohet më tej.
AAK shprehet se, do të jetë e përkushtuar të japë gjithçka nga vetja, që vendi ta kapërcejë këtë krizë./b.j/