Kalimi në kuvend i marrëveshjes së demarkacionit ka nxjerrë në pah dallimet brenda koalicionit. Partnerët ndërkombëtarë: kuvendi duhet ta ratifikojë marrëveshjen. Analistët: mosratifikimi vë në pikëpyetje qeverinë.
Kuvendi i Kosovës ende nuk ka bërë të ditur, se kur marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi mund të vihet në rendin e ditës për votim, për të parë nëse kjo marrëveshje ratifikohet nga deputetët apo jo. Për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit nevojiten 81 vota nga 120 deputetë që ka kuvendi i Kosovës. Qeveria dy ditë më parë e procedoi në kuvend për votim marrëveshjen së bashku me konstatimet e komisionit të ri për shënjimin e vijës kufitare i themeluar nga kryeministri Ramush Haradinaj. Por procedimi në kuvend i marrëveshjes ka njxerrë në pah dallimet e thella brenda koalicionit qeveritar, që përbëhet nga Partia Demokratike e Kosovës, (PDK) Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK) Nisma për Kosovën dhe lista Srpska. Vet kryeministri Ramush Haradinaj dhe partia e tij është kundër versionit aktual të demarkacionit dhe marrëveshja që ai e dërgoi për votim në kuvend është e qeverisë së kaluar të kryesuar nga ish-kryeministri Isa Mustafa.
Kundër ratifikimit të kësaj marrëveshjeje është edhe Nisma për Kosovën, por edhe partia opozitare Vetëvendosje, e cila ka 32 deputet.
Partneri më i madh i koalicionit aktual qeverisës, Kadri Veseli, kryetar i PDK-së, thotë se partia e tij do të votojë pro ratifikimit të marrëveshjes, sepse sipas tij, në këtë mënyrë forcohet sovraniteti i Republikës së Kosovës dhe kjo i hap rrugë liberalizimit të vizave.
“Qëndrimi im, por edhe i subjektit tim që përfaqësoj është i qartë. Marrëveshja me Malin e Zi duhet të ratifikohet. Marrëveshja duhet të kalojë dhe vota jonë është ‘pro’, siç e kemi thënë në vazhdimësi. Gjithësesi, unë besoj se duhet të ketë një konsensus të plotë për këtë marrëveshje”, shprehet Kadri Veseli, duke ritheksuar se Bashkimi Evropian duhet të veprojë shpejt dhe qartë sa i përket liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Është Bashkimi Evropian dhe përfaqësuesja e këtij mekanizmi në Kosovë, Natalya Apostolova, e cila u rikujton deputetëve të kuvendit të Kosovës, se çështja e shënjimit të kufirit me Malin e Zi duhet përfunduar, sepse është kusht për liberalizimin e vizave. Ajo thotë se “politikanët nuk duhet t’i mbajnë peng të rinjtë e Kosovës”.
“Dua t’u kujtoj edhe njëherë politikanëve që demarkacioni i kufirit me të vërtetë është thelbësor për t’u zgjidhur. Nuk dua që politikanët të mbajnë peng të rinjtë e Kosovës, një rini fantastike që meriton lëvizje të lirë, që ndoshta nuk iu kujtohet konflikti dhe duan të jenë pjesë e Evropës. Kërkoj nga të gjithë ata që do ta kenë rastin të votojnë të kenë këtë në mendje”, thotë Natalya Apostolova në një konferencë, ku u fol për integrimet e Kosovës.
Pro ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit është shprehur Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila madje akuzon qeverinë Haradinaj për izolim të qytetarëve të Kosovës duke bllokuar demarkacionin me Malin e Zi.
Komisioni për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi i themeluar nga kryeministri Ramush Haradinaj, dy ditë më parë prezantoi raportin me konstatimet e tij për kufirin. Ata thanë se komisioni i kaluar ka gabuar në shënjimin e kësaj vije dhe vazhdojnë të mbajnë qëndrimin se Kosova me marrëveshjen e vitit 2015 me Malin e Zi humbet territor. Por, është ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i cili raportin e komisionit të qeverisë Haradinaj për kufirin e quajti “një grumbull broçkullash të tyre”. Ai rikujtoi që ishin edhe ekspertët amerikanë nga State Departamenti, që në vitin 2016 e verifikuan marrëveshjen e demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi dhe konstatuan, se me këtë marrëveshje Kosova nuk humbet territor.
Sidoqoftë, analistët politikë thonë, se qeveria Haradinaj e ka të vështirë të vazhdojë qeverisjen me këtë ndarje që ka brenda koalicionit rreth çështjes së demarkacionit.
“Çështja e Demarkacionit nuk mund të mbetet pezull, duhet të ketë zgjidhje apo alternativa. Qeveria Haradinaj nuk guxon të thotë ne jemi kundër këtij formati të demarkacionit dhe në të njëjtën kohë ta dërgojë atë për miratim në kuvend”. Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj do të ketë probleme të mëdha edhe brenda koalicionit qeverisës, por edhe në raport me partnerët ndërkombëtarë, që ta arsyetojë vazhdimësinë e qeverisjes, nëse nuk ka ide se si të ballafaqohet me problemin e demarkacionit”, shprehet në një shkrim të tij, analisti Artan Muhaxheri.
Deputetët e kuvendit të Kosovës tashmë e kanë në dorë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi të nënshkruar në vitin 2015 nga qeveria e Isa Mustafës dhe po ashtu bashkangjitur edhe raportin e komisionit për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi të kryeministrit Haradinaj, me të gjeturat që e kundërshtojnë marrëveshjen e parë. Kryesia e kuvendit ende nuk ka rënë dakord, se kur do ta verë në votim marrëveshjen e demarkacionit, mirëpo, siç u tha kjo do të ndodhë shumë shpejtë.