-Ndërpritet seanca e Kuvendit të Kosovës edhe sot për herë të dytë, arrestohen tre deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje/
PRISHTINË, 24 Nëntor 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kuvendi i Kosovës nisi sot seancën plenare të ndërprerë dje pas deklarimeve jashtë rendit të ditës, me të cilat niste axhenda 23 pikëshe, por përsëri u ndërpre për herë të dytë në dy ditë.
Dje pasdite, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit dhe kryetarëve të grupeve parlamentare, me shumicë votash u vendos që mbledhja plenare e Kuvendit të vazhdojë sot në në orën 10:00. Në shenjë mospajtimi me këtë vendim grupi palamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës braktisi sot seancën, ku nuk ishte as grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, tre deputetë të së cilës, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu u arrestuan nga policia derisa po hynin në objektin e Kuvendit para vijimit të seancës sot, në bazë të urdhërarrestit për mungesa në seanca gjyqësore në procesin për gazin lotsjellës të hedhur në Kuvend vitin e kaluar në kundërshtim të marrëveshjeve për asociacionin e komunave me shumicë serbe e demarkacionin me Malin e Zi.Seanca e Kuvendit sot vijoi me “koha për pyetje parlamentare”, të dytën nga 22 pikat e mbetura të axhendës, ku nuk pati disa pyetje e përgjigje meqë mungonin deputetë e ministra.
Pika e tretë ishte miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme, por kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, konstatoi se në sallë ishin vetëm 43 deputetë dhe në mungesë kuorumi seanca nuk mund të vzhdonte, ndërsa bëri të ditur se se shtyhet për javën e ardhshme – të mërkurën në orën 10:00.
Në axhendën e seancës ishin të paralajmëruara për shqyrtim të parë 12 projektligje, një prej të cilave për kryeqytetin – Prshtinën.
Dy projktligje tjara janë për ndryshimin e plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë dhe për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Presidentin e Republikës.
Në axhendë janë edhe tre raporte për vitin 2016: për Bankën Qendrore, për Buxhetin e Republikës së Kosovës dhe për Funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm të financave publike në sektorin publik të vendit.
Kuvendi i Kosovës u mblodh dje në seancë plenare, e cila nisi me njoftimin e kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, se deputetët e këtij grupi do ta lëshojnë këtë seancë, duke shprehur indinjatën dhe shqetësimin në lidhje me raportimet e fundit në media, që flasin, siç tha ai, për një qasje diskriminuese dhe paragjykuese nga zyrtarët e EULEX-it ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së, të cilët janë gjykuar në procese të ndryshme nga prokurorët dhe gjyqtarët e këtij misioni.
“Ish-kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, ka deklaruar zyrtarisht dhe publikisht se gjykatës të EULEX-it kanë pasur qasje manipulative në rastet që ndërlidhen me ish-ushtarët e UÇK-së. Për më tepër, në dëshmitë e tij ai ka përfshirë edhe gjykatësin kryesor të rastit ‘Drenica 2′, Dariusz Sielicki, për të cilin ka deklaruar se të akuzuarit i ka fyer vazhdimisht duke i quajtur edhe ‘kafshë’. Kjo është më shumë se e turpshme dhe ofenduese për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha Krasniqi.
Ai kërkoi nga udhëheqësit e EULEX-it që t’i ofrojnë Kuvendit dhe institucioneve tjera të Kosovës një përgjigje zyrtare dhe të detajuar në lidhje me këto pretendime.
Deputeti Krasniqi, në emër të grupit parlamentar të PDK-së, propozoi që seanca të vazhdojë sot, në orën 10:00.
Pas fjalës së tij, deputetët e grupeve parlamentare të maxhorancës – PDK-së, të AAK-së dhe të Nismës, lëshuan mbledhjen.
Seanca e Kuvendit, udhëhequr nga nënkryetarja Aida Dërguti, vazhdoi punimet me deputetët e mbetur, me deklarime jashtë rendit të ditës, që ishte pika e parë e axhendës.
Me pikën e dytë “koha për pyetje parlamentare” nuk u vijua pasi pati vetëm ndonjë deklaratë të deputetëve të opozitës të cilët e quajtën maxhorancën “të papërgjegjshme”, edhe për mungesën e anëtarëve të qeverisë për t’iu përgjur pyetjeve të deputetëve, e më pas nga kryesuesja u ndërpre seanca e Kuvendit, me aprovimin e gurpeve parlamentare opozitare të Vetëvendosjes dhe LDK-së.
Lëvizja Vetëvendosje propozoi që seanca të vijojë javën e ardhshme, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës propozoi ditën e hënë në orën 10:00.
Kuvendi i Kosovës 120 anëtarësh në përbërjen aktuale eshtë konstituar në 7 shtator, afër tre muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit 2017, të gjashtave në liri e të tretave në pavarësi.
VV: JEMI TË VENDOSUR FUQISHËM KUNDËR MARRËVESHJEVE TË DËMSHME
Lëvizja Vetëvendosje deklaroi se “deputetët Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi janë arrestuar në hyrje të Kuvendit të Kosovës, teksa po shkonin për të marrë pjesë në seancën e rregullt parlamentare. Arrestimi i tyre është bërë në mënyrë të dhunshme, me ç’rast është përdorur edhe sprej, nga çfarë kanë mbetur të lënduar deputetë e aktivistë”.
Në deklaratën e Lëvizjes Vetëvendosje thuhet, mes tjerash, edhe se, “deputetët Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Donika Kadaj-Bujupi duhet të lirohen sa më parë dhe procesi politik ndaj tyre të marrë fund” dhe se, “ne jemi të vendosur fuqishëm kundër marrëveshjeve të dëmshme për vendin tonë, dhe kushdo që tenton që këto marrëveshje t’i ringjallë sërish, ka për të hasur në rezistencë edhe më të fuqishme qytetare”.