*Opozita: Thirrja e seances së Kuvendit, provokim dhe papërgjegjëshmëri politike/
PRISHTINË, 20 Tetor 2015/ Mbledhja plenare e Kuvendit të Kosovës, e ndërprerë më 15 tetor, do të vazhdojë të premten, më 23 tetor, në orën 16:00.
Sias njoftimit të dërguar, kështu vendosi Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, në të cilën ishin prezentë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, kurse munguan ata të partive opozitare.
Në mbledhjen e së premtes, do të shqyrtohen dy projektligje dhe do të emërohen anëtarët e disa institucioneve të pavarura.
Po sot, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera që lidhen me aspekte të brendshme të punës së Kuvendit dhe të diplomacisë parlamentare. Kështu, Kryesia formalizoi krijimin e 45 grupeve të miqësisë me parlamentet e vendeve të tjera, të cilat do të shërbejnë për ndërtimin dhe kultivimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërparlamentare.
***
Opozita: Thirrja e seances së Kuvendit, provokim dhe papërgjegjëshmëri politike/
PRISHTINË, 20 Tetor 2015/ Thirrja e seancës së Kuvendit të Kosovës është provokim dhe papërgjegjëshmëri politike, deklaroi opozita kosovare, e cila bojkotoi edhe sot mbledhjen e Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare, ku u mor vendimi.
“Në kohën kur qeveria e Kosovës me marrëveshjet e veta, që e rrënojnë dhe falimentojnë republikën, e ka sjellur vendin në një situatë të jashtëzakonshme, insistimi i vazhdueshëm në mbajtjen e seancave të rregullta plenare nga Koalicioni është tentim kontrabandimi i normalizimit të ‘Zajednicës’ dhe faljes së tokave të Kosovës Malit të Zi. Thirrja e seancës dhe insistimi që ajo të mbahet do ta përshkallëzojë tutje situatën”, theksohet në deklaratën e opozitës së bashkuar, tw tre grupeve parlamentare – LVV, AAK dhe Nisma.
Sipas saj, “seanca e ardhme është caktuar të mbahet në mbrëmje, nga ora 16 të premten. Ky vendim i Kryesisë së Kuvendit më së miri e paraqet punën e koalicionit qeverisës, dhe e Kryetarit të Kuvendit: ata punojnë natën, sa më larg syve të publikut, në kundërshtim të plotë me praktikat e deritashme parlamentare. Ashtu siç i kanë arritur marrëveshjet fshehtas, tash po duan t’i përvjedhin ato me këto seancat të natës”.
Opozita paralajmëron se, “nuk do të ketë vazhdim të seancës për sa kohë që nuk ka tërheqje nga marrëveshjet”.
“Protestën nuk do ta ndalim pavarësisht se në çfarë ore mbahet seanca dhe sa kërcënuese është policia e pushtetit. Qeveria e ka sjellur këtë situatë jashtëzakonshmërie në Kosovë. Ne si deputetë të Opozitës as nuk do të zbrapsemi e as nuk do të pushojmë deri sa të tërhiqen marrëveshjet që e cungojnë Republikën dhe territorin e saj”, thuhet në deklaratën e dërguar. /b.j/