
Sokol Paja/
Kombi në festë. Pas Shqipërisë fiton edhe Kosova. Dardanët shënuan një sukses të jashtëzakonshëm në futboll duke marrë 3 pikë të arta në Suedi. Ekipi i drejtuar mjeshtërisht nga Franco Foda arriti të përballonte me sukses sulmet dhe presionin e një prej skuadrave cilësore të Evropës në futboll. Me portjerin Muric të pakalueshëm, mbrojtjen e ngjeshur, mesfushën e organizuar dhe sulmin e shpejtë, Kosova jo vetëm shënoi sukses por dha një leksione të një ekipi të organizuar e disiplinuar në të gjitha repartet dhe drejtimet.
Pasimet e shkurtra e të shpejta, daljet e befasishme në sulm, shkatërrimi i aksioneve të kundërshtarit dhe përballimi i presionit në rritje, sollën një sukses më se të merituar. Fitorja në në Goteberg me golin e Fisnik Asllanit në minutën e 32’ e dërgoi Kosovën në kuotën e 7 pikëve, në vendin e dytë të grupit B.
Shpirti luftarak i djaloshit Gallapeni, fuqia e liderit Muriqi, inteligjenca e Avdullahut dhe forca e Vojvodës eklipsuan yjet e Suedisë. Kosova gëzon e frymëzon çdo shqiptar. Është mbresëlënëse fuqia dhe pjekuria me të cilën ekipi reagoi pas disfatës kundër Zvicrës.
Me këtë fitore Kosova ka hedhur një hap të fuqishëm drejt ëndrrës Botëror, ku do t’i mjaftojë vetëm një pikë në përballjen ndaj Sllovenisë për të siguruar Play-off. Është mbresëlënëse rritja e ekipit të Kosovës, transformimi dhe përzgjedhja e futbollistëve cilësorë çka e bëjnë një ekip dinjitoz e shumë premtues në garat në vijim.