-Për kontribut të veçantë jetësor Çmimi “Post Mortem” ju dha vëllezërve Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi/
-Nga Prishtina-Forumi i studentëve dhe të rinjve të diasporës vazhdon në Tiranë/
PRISHTINË-Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, u përmbyll sonte manifestimi i Ditës së Diasporës dhe Mërgatës, që tradicionalisht organizohet nga Ministria e Diasporës për nder të bashkatdhetarëve tanë.
Në mesin e aktiviteteve të shumta si dhe debatit me krerët e institucioneve shtetërore e lokale të Kosovës dhe Shqipërisë, këtë vit u ndanë edhe Çmimet për “Mërgimtarin e Vitit” në 6 fusha, si dhe 4 çmime për gazetarin përkatësisht kronikën më të mirë të realizuar në promovimin e diasporës dhe sukseseve të personaliteteve që jetojnë dhe veprojnë jashtë kufijve të Kosovës.
Çmimet i ndanë ministri kosovar i Diasporës, Valon Murati, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nga qeveria e Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosi dhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Mërgimtari i vitit për kontribut të veçantë për shtetin e Kosovës apo diasporën dhe mërgatën u shpall artisti ynë i mirënjohur Shkelzen Doli;
Bejtullah Destani – për kontribut në arsim, shkencë apo teknologji;
Elina Duni – për kontribut në fushën e kulturës;
Shkelzen Gashi – për kontribut të veçantë në fushën e sportit;
Nazar Mehmeti – për kontribut të veçantë në fushën e biznesit;
Për kontribut të veçantë jetësor Çmimi “Post Mortem” ju dha vëllezërve Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi.
Ndërsa çmimet për gazetari të cilat Ministria e Diasporës i ndan për herë të parë u vlerësuan në dy kategori:
Çmimi i parë për kronikë televizive për promovimin e diasporës ju nda Lumira Kelmendit nga Radio Televizioni i Kosovës për reportazhin “Arbëreshet e Italisë”;
Çmimi i dytë në këtë kategori i takoni Zana Fetiut nga Klan Kosova për reportazhin “Skulptori Destan Gashi”;
Ndërsa dy çmimet për kontribut të veçantë në promovimin e diasporës dhe mërgatës në kontinuitet për punën e tyre u nderuan Demir Reshiti me emisionin Më Afër, dhe portali informativ “Albinfo.ch”.
Pas ndarjes së çmimeve u organizua një debat i hapur me qytetarët e mbledhur në Amfiteatrin e pishinës së Gërmisë dhe përfaqësuesve të ministrive, komunës dhe shoqatave të ndryshme, ku mes tjerash me prezencën e saj tubimin e nderoi edhe ikona e muzikës shqiptare Nexhmije Pagarusha.
Gjatë kësaj ceremonie, e cila është organizuar në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, dhe me kontribut të Postës së Kosovës, kryeshefi i Postës, Sejdi Hoxha, prezantoi edhe edicionin e veçantë të Pullës Postare me temën “Diaspora”, e cila si motiv ka logon e diasporës së përzgjedhur muaj më parë nga Ministria e Diasporës./b.j/
Prishtinë-Forumi i studentëve dhe të rinjve të diasporës vazhdon në Tiranë/
PRISHTINË, 2 Gusht 2015/-Forumi për krijimin e Unionit të Studentëve dhe të Rinjve të Diasporës, organizuar nga Ministria kosovare e Diasporës, sot në Prishtinë, do t’i vazhdojë punimet edhe më 4 gusht në Tiranë, për të përfunduar një ditë më pas me konkluzionet e nxjerra nga studentët.
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i Shqipërisë, Blendi Klosi, përshëndeti këtë iniciativë, duke thënë se ky forum është fillimi i ngjarjeve të përbashkëta.
“Tashmë është një gjeneratë e tretë, e katërt, e cila ka lindur, është rritur dhe po zhvillohet në Evropë, prandaj do të duhet të ketë shumë më tepër lidhje me vendin, duhet të ketë më tepër njohuri në administratën shqiptare dhe atë të Kosovës. Prandaj, padyshim, nuk mund të quhet më një ngjarje që një ministër i Shqipërisë dhe një ministër i Kosovës të bëjmë së bashku aktivitetet të këtij lloji”, citohet ministri Klosi në njoftimin e dërguar nga Ministria kosovare e Diasporës.
Në këtë forum me të rinjtë dhe studentët e diasporës nga vendet e ndryshme të Evropës, ishin edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ministri i Diasporës, Valon Murati, ambasadori shqiptar në Prishtinë, Qemal Minxhozi, zëvendësministrja kosovare e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Anila Statovci–Demaj, dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë.
Në forum pati diskutime lidhur me fushën e arsimit, por edhe për tema të tjera me interes për studentët pjesëmarrës