-Përgatitet koncerti në vigjilje të Shenjtërimit të Nënës Terezë në Vatikan/
-Koncerti do të mbahet në Bazilikën papale të Shën Palit në Romë me pjesëmarrjen e disa prej emrave më të shquar të muzikës lirike shqiptare nën përcjelljen e Korit dhe Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës/
PRISHTINË, 28 Gusht 2016-B.Jashari/ Në Kosovë zhvillohen përgatitjet përfundimtare të koncertit “Himni i Nënë Terezës” të paralajmëruar për 3 shtator në Vatikan, në vigjilje të Shenjtërimit të Nënës Terezë.
Koncerti do të mbahet në Bazilikën papale të Shën Palit në Romë me pjesëmarrjen e disa prej emrave më të shquar të muzikës lirike shqiptare nën përcjelljen e Korit dhe Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, e cila dërgoi këtë njoftim dhe për nesër ka ftuar një konferencë shtypi lidhur me përgatitjet.
E njohur në botë si Nënë Tereza, si edhe laureate e Çmimit Nobel për Paqe, për ndihmën të varfërve, shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu e lindur në 26 gusht 1910 në Shkup, do të shpallet e shenjtë nga Papa Françesku në 4 shtator 2016, në Vatikan.
“Kisha katolike do të shtegtojë në Vatikan me një numër të konsiderueshëm, për të marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme për ne. Do të mbahet Koncerti për Nënë Terezën në Vatikan, në 3 shtator 2016”, ka deklaruar Don Fatmir Koliqi, zëdhënës i Ipeshkvisë së Kosovës, në një konfrencë shtypi në fillim të këtij muaji.
Duke folur për idenë e koncertit në Vatikan në vigjiljen e shenjtërimit të Nënë Terezës, ai tha se në vitin 2015, në 5 shtator, në Katedralen në Prishtinë është mbajtur Koncerti për Nënë Terezën, i ideuar nga producenjta Diana Toska, i realizuar nga artistë të mirënjohur shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, i cili ishte një realizim i mrekullueshëm.
“Nga këtu lindi ideja që i njëjti koncert të ekzekutohet në ambientet e Vatikanit. Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ia ngarkoi vetës detyrën për të kërkuar nga Selia e Shenjtë që të na mirëpret me këtë koncert, pikërisht në vigjiljen e Shenjtërimit të Nënë Terezës, me idenë për të falënderuar Zotin bashkë me Kishën Katolike universale për këtë Nënë të madhe të botës, që ka dhënë Kisha jonë.Pas kërkesës së Ipeshkvit të Kosovë, Selia e Shenjtë me kënaqësi e ka pranuar dhe është bërë mikpritëse e kësaj ngjarje kulturore dhe artistike”, është shprehur Don Koliqi.
Ai ka theksuar se, këtij organizimi të Kishës Katolike në Kosovë i është bashkangjitur edhe Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë, Argjipeshkvia e Tivarit dhe Ipeshkvia e Shkupit.
“Vendi ku ka përcaktuar Selia e Shenjtë, që të na pret për ta mbajtur këtë koncert, është njëra ndër Bazilikat madhështore Papnore: Bazilika Papnore e Shën Palit”, ka shtuar zëdhënësi.
Është paralajmëruar se në koncert do marrin pjesë artistë të mirënjohur, Inva Mula, Ermonela Jaho, Rita Ora, Shkelzen Doli, Saimir Pirgu, Ramë Laja, Gëzim Mushketa etj, ndërsa recituesit e vjershave/uratave të Nënë Terezës do jenë Don Lush Gjergji, Lorik Cana, Majlinda Kelmendi dhe dy artistët e rinj të filmit “Shok” Andi dhe Lumi.
Për koncertin hyrja do të jetë falas, porse nevojitet të sigurohen biletat e rezervimit të vendeve.