-Festohet Dita e Evropës 9 Maji/
-Dita e Evropës 9 Maji është festë zyrtare, përcakton Ligji për festat zyrtare në Republikën e Kosovës i miratuar në Kuvend në 21 maj 2008/
PRISHTINË, 8 Maj 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ditët e Mësimit të Bashkimit Evropian në Kosovë fillojnë sot me një orë mësimi në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë. Shefja e Zyrës së BE-së/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, hap serinë e Ditëve të Mësimit për BE-në me një ligjëratë së bashku me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi.
Zyra e BE-së/PSBE në Kosovë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës si dhe drejtoritë komunale të arsimit, po organizojnë një sërë bisedash me nxënës të shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës. Për një muaj me radhë, ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së do të mbajnë “orë mësimi” në shkolla të ndryshme në gjithë Kosovën. Projekti është mbajtur me sukses çdo vit që prej vitit 2009 dhe është mundësi për nxënësit e shkollave të Kosovës që të takojnë diplomatë të BE-së dhe përfaqësues nga institucionet e BE-së, si dhe që të mësojnë për BE-në dhe mundësitë dhe sfidat e procesit të integrimit evropian. Prezantimet nga ambasadorët do të përfshijnë përvoja nga vendet e tyre përkatëse, për sa i përket procesit të integrimit evropian, derisa edhe shpjegojnë para nxënësve se çfarë do të thotë perspektiva evropiane për Kosovën.
Duke marrë parasysh që këtë vit, Ditët e Mësimit për BE-në qëllojnë në muajin e Fushatës së Zyrës së BE-së për Arsim Cilësor, ambasadorët e BE-së do të përqendrohen posaçërisht tek rëndësia e shkollimit të mirë për zhvillimin personal, por edhe për zhvillimin socio-ekonomik të vendeve përkatëse, si dhe se çfarë do të thotë përparim i Kosovës në rrugën e saj evropiane.
Në Kosovë kanë nisur dje një sërë aktivitetesh treditëshe edukative dhe kulturore për shënimin e Ditës së Evropës – 9 Majit.
Aktivitetet nisën në mesditë në Mitrovicë me Lançimin e fushatës për arsimin cilësor në Kampusin e Kolegjit të Biznesit Ndërkombëtar (IBCM) në jug të qytetit dhe me hapjen e lokaleve të reja të Zyrës Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian (EUICC) në veri, ku zhvillohet edhe ceremonia e dhënies së çmimit për posterin më të mirë për arsimin cilësor. Ceremonia e dhënies së çmimit për posterin më të mirë për arsimin cilësor është zhvilluar edhe në ambientet e EUICC në Prishtinë.
Në 8 maj pasdite Konferenca për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë mbahet në Parkun Arkeologjik të Ulpianës, organizuar nga Aleanca Franceze (në bashkëpunim me ambasadën franceze). Në mbrëmje, në Amfiteatrin e Bibliotekës së Universitetit të Prishtinës,një Koncert i posaçëm me piano mbahet nga Ramë Lahaj, tenor, i cili paradite mban një konferencë shtypi në ambientet e EUICC.Në Ditën e Evropës, 9 Maj, në mesditë hapet Panairi i arsimit me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, në EUICC në Prishtinë.Aktivitetet, që vijojnë edhe pasdite, përmbyllen në mbrëmje me Prezantimin e çmimit Evropiani i Vitit gjatë pritjes për Ditën e Evropës, në një nga hotelet e kryeqytetit të Kosovës. Dita e Evropës 9 Maji është festë zyrtare, përcakton Ligji për festat zyrtare në Republikën e Kosovës i miratuar në Kuvend në 21 maj 2008.Dekretimi, nga Presidenti i Republikës, i këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, e cila është miratuar nga Kuvendi para 10 vitesh në 9 prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurtin historik 2008.
DITA KUR DO T’I BASHKOHEMI FAMILJES EVROPIANE, NUK ËSHTË E LARGËT
“Të rinjtë e Kosovës duhet të dinë që ne do t’i takojmë familjes së madhe evropiane, familjes qindra milionëshe. Tërë popujt që kanë bindje, perspektiva, vlera, ne do të jemi pjesë e tyre. Dhe kjo ditë nuk është e largët, këtë duhet ta dini. Koha po shkon shpejt, dhe besojmë se këtë vit do ta marrim lajmin e drejtë dhe të merituar për liberalizimin e vizave, por nuk duhet të shkoj në pakufi edhe pozicioni i Kosovës për t’u bërë anëtarë i BE-së, sepse këtë e meritojmë dhe është e drejtë e jona”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj në bashkëbisedimin me të rinjtë, me temën “Ardhmëri-Zhvillim-Perspektivë”, “Çka nënkupton integrimi evropian për të rinjtë e Kosovës”, që u organizua nga Ministria e Integrimit Evropian në shënim të ditës së Evropës.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se Evropa është pak skeptike në zgjerim, pra nuk është aq entuziaste në zgjerim, por këtë skepticizëm nuk e ka të lidhur me Kosovën, por për shkak të proceseve të veta të brendshme.
“Njëkohësisht, Kosovën nuk e ka njohur Serbia dhe pesë vendet e BE-së dhe për këtë arsye për Brukselin është më i vështirë partneriteti me Kosovën. Megjithatë, edhe pse ka pasur një lodhje vitin që shkoi në marrëdhëniet Kosovë-BE, mendoj se e kemi rikthyer dinamikën Kosovë-BE , dhe raporti i fundit i progresit për vendin është konfirmim se Kosova është në hartë, është pjesë e vendeve të Ballkanit dhe rinia e Kosovës nuk janë të pabarabartë. Në fakt jemi më të vonuar, por jo të pabarabartë, dhe ne tash jemi në një etapë kur dikur kanë qenë vendet tjera, Shqipëria, Mali i Zi apo Maqedonia”, tha kryeministri Haradinaj.
Duke folur për proceset avancuese të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, kryeministri Haradinaj tha se kur sot flasim për liberalizimin e vizave, nesër do të flasim për statusin kandidat, për hapjen e negociatave me Kosovën, e më vonë edhe për kapitujt veç e veç, dhe theksoi se gjithë kjo është ligë që Kosova duhet të kualifikohet, për të vazhduar garën mes popujve, ekonomive, e vendeve, edhe atëherë kur jemi anëtarë të BE-së.
Po ashtu, kryeministri Haradinaj u tha të rinjve, se edhe pas marrjes së liberalizimit të vizave, nuk duhet të gabojmë me veprime të cilat do të mund të ndikonin tek BE-ja, në ndaljen e vizave, pra duhet të jemi shumë të kujdesshëm në udhëtime dhe veprimet tona.
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha tha se e ardhmja jonë është në BE, por e ardhmja jonë nënkupton se duhet të bëjmë shumë punë që Kosovën të bëjmë vend ku të gjithë të kemi të ardhme të ndritur dhe secili nga ne e ka këtë rol.Në këtë debat nga një fjalë para të rinjve, e kanë mbajtur edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe shefja e Zyrës së BE-së/përfaqësuese speciale e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.Në këtë debat kryeministri u përgjigj në shumë pyetje që u adresuan nga të rinjtë për proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon vendi, me theks të veçantë proceset integruese euro-atlantike.Debati u organizua nga Ministria e Integrimit Evropian në kuadër të 9 Majit, Ditës së Evropës.