-Presidenti historik Rugova: Së bashku me Profesor Aganin i vendosëm themelet e shtetit të pavarur të Kosovës dhe funksionimin e tij/
-Presidenti Thaçi: Vrasja e profesor Aganit ishte humbje e madhe/
-Kryeministri Haradinaj: Fehmi Agani i dha dritë vizionit tonë për shtet/
-Dr. Fehmi Agani në vitin 1994: Serbia – agresioni dhe agresori nuk duhet shpërblyer/
-LDK: Mençuria, intelektualiteti, largpamësia dhe vizioni i Profesor Aganit i duhen edhe sot Kosovës/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 6 Maj 2018/ Në Kosovë sot nderohet e përkujtohet akademik Fehmi Agani, i vrarë 19 vjet më parë, në 6 maj 1999, nga forcat serbe derisa po udhëtonte drejt Maqedonisë mes shqiptarëve të dëbuar nga vatrat e veta.
Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova,
me një dekret të veçantë ka dekoruar bashkëpunëtorin më të afërt akademik Fehmi Aganin me Urdhrin Hero i Kosovës, për vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Duke e shpallur këtë vendim në 6 maj 2004, Presidenti Rugova theksonte, se “së bashku me Profesor Aganin i vendosëm themelet e shtetit të pavarur të Kosovës dhe funksionimin e tij”.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përkujton se, “para nëntëmbëdhjetë vitesh forcat policore serbe vranë akademik Fehmi Aganin, njërin nga intelektualët më të shquar dhe politikanin ndër më mprehtë të Kosovës”.
“Vrasja e profesor Aganit ishte humbje e madhe, sepse ai kishte një bagazh të madh përvoje jetësore, dije sociologjike dhe sens politik që u dëshmua veçanërisht gjatë dekadës së fundit të shekullit njëzet”, shprehet Thaçi.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shkruar sot:Fehmi Aganin do ta kujtojmë si pishtarin që i dha dritë vizionit tonë për shtet.
Me penën e tij, urtësinë e guximin Agani shkroi historinë e Kosovës, të pavarur e demokratike, Kosovës euro-atlantike për të cilën ai jetoi dhe u flijua.
Agani u bë gur, i themeleve të Kosovës se pamvarur!
DR. FEHMI AGANI NË VITIN 1994: SERBIA – AGRESIONI DHE AGRESORI NUK DUHET SHPËRBLYER
Serbia – agresioni dhe agresori nuk duhet shpërblyer, theksonte para 24 viteve akademik Fehmi Agani në deklaratën e dhënë, që e kam të botuar në gazetën e rezistencës, të lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, “Bujku” në 26 shtator 1994, ku kam të botuar edhe intervistën ekzluzive, që më ka dhënë Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, me titull “Politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”. Ajo intervistë e parë e një presidenti të Kosovës për ATSH-në zhvillohej në kohë të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova, në intervistën ku fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, derisa bisedonim gjatë ditën e enjëte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës.
Gazeta “Bujku” në 26 shtator 1994:
DEKLARATË E DR. FEHMI AGANIT LIDHUR ME ZBUTJEN E SANKSIONEVE NDAJ SERBISË AGRESORI NUK DUHET SHPËRBLYER
-Sanksionet kryesore ekonomiko-financiare dhe bojkotimi ndërkombëtar i Serbisë nuk do të mund të suspendohen pa zgjidhjen e çështjes së Kosovës/
I pyetur lidhur me qëndrimin rreth vendimit të Këshillit të Sugurimit për zbutjen e sanksioneve ndaj Serbisë e Malit të Zi, nënkryetari i LDK-së dr. Fehmi Agani dje deklaroi:Edhe pse përkrahim të gjitha përpjekjet për arritjen sa më të shpejtë të një marrëveshje për Bosnjën në bazë të propozimit të Grupit të Kontaktit, megjithatë lajmi për zbutjen e sanksioneve ndaj Serbisë, edhe pse është fjala për një zbutje të përkohshme e të kufizuar, në Kosovë nuk është për t’iu gëzuar.Pikërisht, në kohën kur Serbia po pret zbutjen e sanksioneve ndaj saj, në Kosovë me brutalitet po zbaton sanksionet që ajo u imponoi Kosovës dhe shqiptarëve.
Megjithatë, shpresojmë se, siç është deklaruar shpesh nga instanca të ndryshme ndërkombëtare, sanksionet kryesore ekonomiko-financiare dhe bojkotimi ndërkombëtar i Serbisë nuk do të mund të suspendohen pa zgjidhjen e problemit të mdh të Kosovës, si dhe problemit të Krainës dhe problemeve tjera të ish-Jugosllavisë. Përndryshe, do të ishte kjo një shpërblim i agresionit dhe i agresorit, përfundoi dr. Fahmi Agani. B.J.
LDK PËRKUJTON AKADEMIK FEHMI AGANIN
Përkujtohet profesori, veprimtari, ish nënkryetari shumëvjeçar i LDK-së dhe Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës , Akademik Fehmi Agani.Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës së bashku me familjarët e profesorit të ndjerë Fehmi Agani, kanë bërë sot homazhe dhe nderime në 19 vjetorin e vrasjes së tij.“Ne sot, si Kryesi e LDK-së së bashku me familjarët jemi këtu në nderim të jetës dhe veprës së profesorit dhe akademikut, njeriut të shkencës dhe politikës e të institucioneve, profesor Fehmi Aganit.
Në përkujtim të punës së tij të madhe, në 19 vjetorin e vrasjes së tij nga bandat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe, çdo vit padyshim që po ndihet mungesa e profesor Aganit.Mençuria e tij, intelektualiteti, largpamësia dhe vizioni i tij si kurrë më parë i duhen edhe sot Kosovës”, u shpreh me këtë rast në emer të Kryesisë së LDK-së , Sekretari i përgjithshëm, Ismet Beqiri.Ndërsa Mentor Agani, djali i profesor Aganit pasi falenderojë Kryesinë e LDK-së për homazhet dhe respektin për profesor Aganin, ai tha “Na mungon të gjithëve, thjeshtë na mungon të gjithëve ”.