-Ambasadori Amerikan William Walker, në atë kohë shef i Misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, në vizitën në vendin e ngjarjes masakrën në Reçak e cilësoi krim kundër njerëzimit/
-Presidenti Thaçi: Para 20 vjetësh, Reçaku hyri në historinë e Kosovës si simbol i sakrificës dhe martirizimit për lirinë që e gëzojmë sot/-Kryeparlamentari Veseli: 20 vite më parë ne gjetëm forcë, që dhembjen ta kthejmë në mobilizim për ta vazhduar deri në fund rrugën e lirisë/-Kryeministri Haradinaj: Dy dekada më parë, një akt çnjerëzor tronditi ndjenjat e botës demokratike dhe mobilizoi Perëndimin, që me forcë ta ndalte shfarosjen e një populli të tërë/
-Ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama në 20 vjetorin e masakrës së Reçakut bënë homazhe në nderim të martirëve dhe dëshmorëve/
-Po para 20 viteve, pas masakrës së Reçakut, pas intensifikimit të përgatitjeve për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, në Kështjellën e Rambujesë, afër Parisit, në 6 shkurt 1999 filloi Konferenca e Rambujesë/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari(Per me Hume fotografi shihni ne Facebook dieci vatra)
REÇAK, 15 Janar 2019/ Përkujtohet sot në 20 vjetor masakra në Reçak, fshat i Kosovës në komunën e Shtimes. Dita përkujtimore organizohet nën patronatin e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa pjesëmarrës do jenë edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj.
Presidenti Thaçi deklaroi se, para 20 vjetësh, Reçaku hyri në historinë e Kosovës si simbol i sakrificës dhe martirizimit për lirinë që e gëzojmë sot.
“15 janari i vitit 1999 ishte një ditë shumë e rëndë për Reçakun dhe tërë Kosovën, por ishte edhe një kthesë e madhe në ndërkombëtarizimin e luftës së drejtë të popullit tonë. Pas gjenocidit të ushtruar nga forcat serbe në Reçak, u zgjua tërë bota demokratike dhe vuri në lëvizje gjithë diplomacinë ndërkombëtare.
Për krimet që forcat policore dhe ushtarake serbe i kanë kryer në Kosovë, një ditë do të japin përgjegjësi. Por, sot e përgjithmonë, ne i kujtojmë dhe nderojmë të gjithë martirët, dëshmorët dhe heronjtë e luftës sonë çlirimtare.
Martirët dhe dëshmorët e Reçakut janë themeli i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, u shpreh Presidenti Thaçi.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, tha se Reçaku është sinonim i vetë fatit tonë historik si komb, sinonim i çmimit të lirisë, pavarësisë dhe shtetit tonë.“20 vite më parë ne gjetëm forcë, që dhembjen ta kthejmë në mobilizim për ta vazhduar deri në fund rrugën e lirisë. Sot ne jemi po aq të përkushtuar ta jetojmë të sotmen, duke punuar për të ardhmen e sigurt dhe krenare të kombit tonë. Kemi për çka te ndihemi krenarë”, theksoi kryeparlamentari Veseli.Ai tha se sot mbi institucionet e Kosovës qëndron obligimi që reflekton sakrificat e të kaluarës dhe ëndrrat për të ardhmen, për ta ndërtuar një Kosovë, siç e deshën heronjtë e Reçakut, të Prekazit e të gjithë Kosovës, siç e duan fëmijët tanë, e kjo është Kosova me sundim të ligjit, me zhvillim ekonomik, me jetë cilësore të qytetarëve tanë, pa korrupsion dhe forma të diskriminimit, pa krime që cenojnë jetën e qytetarit, të policit apo ushtarit tonë.
“Sot mund të mos jemi ende në gjendje për të vënë para drejtësisë ata që bënë masakrën e Reçakut, të Mejes, Rezallës, Studimes, Krushës, Prekazit, Suharekës, e që adresë dhe strehë e kanë Serbinë. Por, sot kur po flasim për dialogun e shumëpërfolur të muajve të fundit, as në Beograd më nuk po flitet për idenë e rikthimit të Serbisë në Kosovë. Në Beograd tani po flitet për formën se si Serbia ta njoh shtetin e Kosovës. Serbia është dëbuar, për të mos u kthyer kurrë më në Kosovë dhe meritat për këtë i keni ju qytetarë të pathyeshëm të Reçakut, i ka Ushtria Çlirimtare e Kosovës, mbarë kombi ynë. Ndërsa, garancë, nga 15 dhjetori i vitit të kaluar është Ushtria e Kosovës”, tha Veseli.Kryeministri Ramush Haradinaj tha se dy dekada më parë, një akt çnjerëzor tronditi ndjenjat e botës demokratike dhe mobilizoi Perëndimin, që me forcë ta ndalte shfarosjen e një populli të tërë.“Masakra e Reçakut, dëshmia e krimit gjenocidal në Kosovë, shënoi momentin vendimtar të kthesës në luftën dhe përpjekjet tona për liri dhe pavarësi. Sot, në nderim të dëshmorëve e martirëve kam bërë homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak. Me pietet dhe respektin më të thellë, përjetë do t’i kujtojmë të gjithë martirët, dëshmorët dhe heronjtë, që me flijimin e tyre u bënë gurthemel i lirisë sonë”, u shpreh kreu i Qeverisë së Kosovës, Haradinaj.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, tha se është obligim për secilin prej nesh që jo vetëm të kujtohen, por edhe nderohen, çmohet vlera dhe ideali, për të cilin u flijuan dhe vetëm kështu, 15 janari i vitit 1999 do të mbetet dita e pavdekësisë historike për të gjithë ata që sot kujtohen.
“Sot, të kaluarën e hidhur nuk mund ta ndryshojmë, por e ardhmja e këtij vendi dhe e gjeneratave të reja, për të cilat ne detyrohemi, mund të ndryshohet, që krimet duhet të dënohen e viktimat duan drejtësi”, tha kryetari Ismajli
Në axhendë sot në Reçak janë homazhet gjatë ditës, aktiviteti “Pëllumbat e paqes” paradite, ora përkujtimore në mesditë dhe ndezja e kandilëve në platonë e Kompleksit Përkujtimor në mbrëmje.
Në Reçak në 15 janarin e vitit 1999 forcat serbe rrëmbyen nga shtëpitë e tyre dhe ekzekutuan mbi 40 banorë civilë, shqiptarë. Ambasadori Amerikan William Walker, në atë kohë shef i Misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, në vizitën në vendin e ngjarjes masakrën në Reçak e cilësoi krim kundër njerëzimit.
Ambasadorit Amerikan Walker, në praninë e tij, para një dy vitesh iu zbulua shtatorja në fshatin Reçak dhe iu nda një pllakat-falënderimi e
Në Kompleksin Përkujtimor Masakra e Reçakut, në Murin e Përkushtimit janë skalitur në mermer fotografitë e 44 martirëve-dëshmorëve.
Masakra e Reçakut është një nga dëshmitë rrënqethëse të krimeve në luftën e përfunduar në qershorin e para 20 viteve në Kosovë, gjatë së cilës forcat serbe vranë e masakruan më shumë se 12 mijë shqiptarë e mëse 6 mijë rezultonin të zhdukur, derisa në fushatën e gjenocidit e
Po para 20 viteve, pas masakrës së Reçakut, pas intensifikimit të përgatitjeve për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, në Kështjellën e Rambujesë, afër Parisit, në 6 shkurt 1999 filloi Konferenca e Rambujesë. Kosova përfaqësohej nga i gjithë spektri politik e ushtarak.
Në mes të marsit përfaqësuesit e Kosovs nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë/
Periudha në mes të dy takimeve të Rambujesë dhe Parisit u shfrytëzua nga regjimi i Beogradit për të dërguar në Kosovë trupa dhe pajisje të mëdha ushtarake shtesë. Numri i forcave serbe, në kulmin e luftës, sipas vlerësimeve të kohës, mund të ketë arritur në 130.000.
Në 24 mars filloi fushata ajrore e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, pas së cilës nga mengjesi i 12 qershorit 1999 frcat paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s nisën të hynin në Kosovë.
VESELI: REÇAKU ËSHTË SINONIM I ÇMIMIT TË LIRISË, PAVARËSISË DHE SHTETIT TONË
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot në 20-vjetorin e masakrës së Reçakut, të kryer nga forcat serbe, bëri homazhe dhe vendosi lule në Kompleksin Memorial në këtë fshat, në nderim të viktimave të 15 janarit 1999.Më pas, në Akademinë Përkujtimore të mbajtur në kujtim të kësaj dite, kryeparlamentari Veseli tha se Reçaku është sinonim i vetë fatit tonë historik si komb, sinonim i çmimit të lirisë, pavarësisë dhe shtetit tonë.“20 vite më parë ne gjetëm forcë, që dhembjen ta kthejmë në mobilizim për ta vazhduar deri në fund rrugën e lirisë. Sot ne jemi po aq të përkushtuar ta jetojmë të sotmen, duke punuar për të ardhmen e sigurt dhe krenare të kombit tonë. Kemi për çka te ndihemi krenarë”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Ai tha se sot mbi institucionet e Kosovës qëndron obligimi që reflekton sakrificat e të kaluarës dhe ëndrrat për të ardhmen, për ta ndërtuar një Kosovë, siç e deshën heronjtë e Reçakut, të Prekazit e të gjithë Kosovës, siç e duan fëmijët tanë, e kjo është Kosova me sundim të ligjit, me zhvillim ekonomik, me jetë cilësore të qytetarëve tanë, pa korrupsion dhe forma të diskriminimit, pa krime që cenojnë jetën e qytetarit, të policit apo ushtarit tonë.“Sot mund të mos jemi ende në gjendje për të vënë para drejtësisë ata që bënë masakrën e Reçakut, të Mejes, Rezallës, Studimes, Krushës, Prekazit, Suharekës, e që adresë dhe strehë e kanë Serbinë. Por, sot kur po flasim për dialogun e shumëpërfolur të muajve të fundit, as në Beograd më nuk po flitet për idenë e rikthimit të Serbisë në Kosovë. Në Beograd tani po flitet për formën se si Serbia ta njoh shtetin e Kosovës. Serbia është dëbuar, për të mos u kthyer kurrë më në Kosovë dhe meritat për këtë i keni ju qytetarë të pathyeshëm të Reçakut, i ka Ushtria Çlirimtare e Kosovës, mbarë kombi ynë. Ndërsa, garancë, nga 15 dhjetori i vitit të kaluar është Ushtria e Kosovës”, tha Veseli.
Duke folur për dialogun me Serbinë, ai tha se sfida e këtij ballafaqimi kërkon bashkim të spektrit politik të Kosovës.
“Sovraniteti i shtetit, integriteti territorial dhe institucional janë vlera të shenjta për ne, prandaj edhe të paprekshme. Ne hyjmë në dialog për ta finalizuar shtetndërtimin ndërkombëtar të Kosovës, për ta marrë njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, tha Veseli.Po ashtu Veseli foli edhe për fillimin e punës së Gjykatës Speciale, duke vlerësuar se obligimi ndaj të ardhmes së vendit, ka bërë që sot shumë bashkëluftëtarë, në vend se të ishin këtu, u duhet të ballafaqohen me kërkesat e drejtësisë selektive, e cila vë në dyshim drejtësinë e luftës çlirimtare.“Ne nuk kemi frikë nga ky ballafaqim. As nuk ikim prej tij. Ne do ta paguajmë edhe këtë çmim dhe si gjithmonë kemi me dalë faqebardhë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë, është e do të mbetet krenaria më e madhe e popullit tonë”, tha kryeparlamentari Veseli.
KRYEMINISTRI HARADINAJ: NDERIM I PËRJETSHËM PËR TË RËNËT E REÇAKUT
“Për gjithë popullin e Kosovës, gjithë liridashësit, sot është një ditë respekti, ditë nderimi për të rënët në Reçak” kështu tha Kryeministri Haradinaj, pasi bëri homazhe dhe vuri kurora lulesh në Kompleksin Memorial në Reçak, në shënimin e përvjetorit të masakrës së Reçakut.“Janë njerëzit, që në shtëpitë e tyre janë vrarë në mënyrën më mizore dhe rëndësia e nderimit këtu, është e përjetshme, e cila ka një porosi, të cilën e tha Ambasadori Wolker, duke i treguar botës se çfarë po ndodhë me Kosovën”, tha kryeministri Haradinaj.Pas homazheve, kryeministri Haradinaj mori pjesë në Orën Përkujtimore që u organizua nën Patronatin e Presidentit të Kosovës, në 20-vjetorin e masakrës së Reçakut.Pas dokumentarit të shfaqur mbi masakrën e kryer nga forcat serbe, në fshatin Reçak më 15 janar 1999, kryeministri Haradinaj, para të pranishmëve të shumtë, përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, familjarë të të vrarëve dhe personalitet të tjera të jetës shoqërore, tha se, me taksën ndaj Serbisë, ne kemi vendosur një të drejtë për Kosovën.“Kjo taksë është vendosur ndaj Serbisë, ndaj Serbisë që u pa në dokumentarin e shfaqur, por edhe të një Serbie që ende ka ide se si të pengojë Kosovën. 20 vjet ia kemi dhënë shansin e vetëdijesimit, të përfundojnë disa punë që s’kanë përfunduar dhe pas 20 viteve ne ndodhemi kështu, jemi detyruar edhe njëherë të kthehemi kah vetja”, tha kryeministri Haradinaj, duke e cilësuar si të drejtë mbrojtjen e vetes, duke shtuar se mbi këtë të drejtë të popullit është formuar edhe ushtria, për të drejtën për tu mbrojtur, në bazë të së drejtës ndërkombëtare.Kryeministri Haradinaj tha më tutje se nëse qëndron tek vetja, të respekton miku, por edhe tjetri e din me kënd ka punë, por nëse shprehen dyshime tek vetvetja, duke u lëkundur dhe duke mos besuar as vet që kemi pasur të drejtë më 15 janar, atëherë nuk do të të besojë askush.“Duhet të kthehemi kah vetja, t’i besojmë dhe ta forcojmë atë, sepse nëse vazhdojmë ta forcojmë Kosovën me institucione, qeverisje, me vlera, ju siguroj që miqtë e kanë shumë lehtë të na përkrahin”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Serbia dëshiron që të bëhet anëtare e BE-së edhe tri vite dhe edhe këto tri vite ajo do ta mbajë Kosovën kështu, por kur të vijë koha që ajo dëshiron të hyjë në BE, është mirë që atëherë ne të mos pajtohemi dhe të mos pranojmë njohjen reciproke, duke i thënë se edhe Kosova tani i ka disa vjet.“Kosovës, asnjë të dhënë nuk ia ka dhënë askush për të vrarët, të cilët i kanë marrë, si i kanë marrë, si i kanë vrarë, asnjë sqarim, asnjë certifikatë dhe, ende ka trupa të njerëzve të vrarë në Serbi”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se është dashur të ngrihet një gjykatë, për diçka më monstruoze që ka ndodhur ndonjëherë në histori të njerëzimit.“Vraju në luftë, torturohu edhe më tutje dhe në fund, edhe një copë tokë Serbisë, por le t’ia jep kush të guxojë t’ia japë, le t’ia japë tokën e Kosovës dikujt ai që guxon dhe le ta shohë se si do t’i dalë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Kosova nuk i ka borxh askujt dhe nuk është nën turp.Kryeministri Haradinaj premtoi se deri sa të është në krye të Qeverisë do të vazhdojë rrugën e drejtë dhe nderit të popullit të tij, duke mos u ndalur asnjëherë.“Lavdi e përjetshme të rënëve të Reçakut dhe të gjithë të rënëve për liri”, tha kryeministri Haradinaj.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, tha se është obligim për secilin prej nesh që jo vetëm të kujtohen, por edhe nderohen, çmohet vlera dhe ideali, për të cilin u flijuan dhe vetëm kështu, 15 janari i vitit 1999 do të mbetet dita e pavdekësisë historike për të gjithë ata që sot kujtohen.
“Sot, të kaluarën e hidhur nuk mund ta ndryshojmë, por e ardhmja e këtij vendi dhe e gjeneratave të reja, për të cilat ne detyrohemi, mund të ndryshohet, që krimet duhet të dënohen e viktimat duan drejtësi”, tha kryetari Ismajl.Në këtë Orë Përkujtimore, me nga një fjalë rasti, folën edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli dhe ish-komandanti i Zonës Operative të Nerodimes, Shukri Buja.Në ketë përvjetor përkujtimi, Kryeministri Haradinaj shoqërohej edhe nga Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj.
MINISTRI I MBROJTJES DHE KOMANDANTI I FSK-së NË 20 VJETORIN E MASAKRËS SË REÇAKUT BËNË HOMAZHE NË NDERIM TË MARTIRËVE DHE DËSHMORËVE
Sot, ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, së bashku me stafin e lartë të MFSK/FSK-së,në 20-të vjetorin e masakrës së Reçakut,bënë homazhe te varrezat duke nderuar të gjithë martirët dhe të rënët për Liri.
Me këtë rast, ministri Berisha tha se: „Masakra e Reçakut e ndodhur 20 vite më parë tmerroi botën, e cilësuar nga heroi i atyre ditëve, ambasadori William Walker, si krim kundër njerëzimit, do të njihet si një nga ngjarjet kryesore që ka shënuar një kthesë të madhe në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë e asaj kohe dhe Kosovën, duke i paraprirë të gjitha ngjarjeve të mëvonshme, deri te liria dhe shteti i pavarur i Kosovës.
Reçaku është gurthemeli i shtetit të Kosovës dhe fundi i një epoke të rëndë hegjemoniste. Sot, fal gjakut të heronjve, dëshmorëve dhe viktimave të gjenocidit hegjemonist serb, kemi edhe Ushtrinë e Kosovës e cila ashtu si dikur Ushtria Çlirimtareve Kosovës, do të jetë gjithmonë mbrojtësi i vendit, i popullit të Kosovës dhe garantuesi i paqes“.
Ministri Berisha dhe komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, gjatë vizitës në Kompleksin Përkujtimor takuan qytetarët e pranishëm të Raçakut, të cilëve ju shprehën ngushëllimet dhe njëkohësisht edhe krenarinë për familjarët e tyre, duke çmuar lartë sakrificën e të rënëve të Reçakut, për Lirinë e Kosovës.