-Kryeministri Ramush Haradinaj: Në nderim të Heroit Kombëtar, simbolit të unitetit shqiptar dhe lidhjes sonë të përhershme me Perëndimin, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut/
-Shtatorja e Gjergj Kastriotit në kryeqytetin e Kosovës në 28 Nëntor 2001- Presidenti histrorik Rugova: Sot është një ditë e madhe për Kosovën, sepse po e përurojmë monumentin e Heroit Nacional të shqiptarëve në Prishtinë/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Per me shume fotografi shihni specialen ne Facebook-dielli vatra/
PRISHTINË, 17 Janar 2019/ Në Prishtinë zhvillohet sot në mbrëmje ceremonia e përmbylljes së aktiviteteve në Kosovë të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, ndërsa në mëngjes te shtatorja e Heroit Kombëtar bëri homazhe Kryeministri Ramush Haradinaj.
“Në nderim të Heroit Kombëtar, simbolit të unitetit shqiptar dhe lidhjes sonë të përhershme me Perëndimin, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”, është shprehur Kryeministri i Kosovës, Haradinaj.
“Njëkohësisht sot nderojmë të gjithë të rënët për liri, veçanërisht vëllezërit Gërvalla, Jusufin e Bardhoshin dhe Kadri Zekën që janë vrarë në këtë ditë, vite më përpara”, tha ai.
Në Kosovë nga Janari 2018 janë zhvilluar aktivitetetet e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, të nisura me orën e madhe letrare “Ora e Gjergjit” dhe me një ekspozitë 55 portretesh për 550-vjetorin.
Një nga aktivitetet drejt përmbylljes së Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut në 2018-tën ishte në prag të Festës së madhe të gjithë shqiptarëve 28 Nëntorit – zbulimi i pikturës së restauruar të Gjergj Kastriotit, e cila gjendet brenda Katedrales Zoja Ndihmëtare në Prizren, qytetin më të madh jugor të Kosovës afër kufirit me Shqipërinë.
Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit është shpallur në 28 Nëntor 2017 në Vlorë, në 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, pas mbledhjes së katërt një ditë më parë të dy qeverive – Shqipërisë e Kosovës, në Korçë.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 12 janarit 2018 formoi Komisionin ndërministror për vitin Mbarë-kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu. Kryetar i Komisionit është emëruar Jahja Lluka.
Në Prishtinë, Shtatorja e Heroit Kombatër Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është ngritur në 28 Nëntor të vitit 2001 në një ditë feste të madhe të përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të tretën në Kosovën e lirë.
SHTATORJA E GJERGJ KASTRIOTIT – SKËNDËRBEUT NË PRISHTINË NË 28 NËNTOR 2001-RUGOVA: DITË E MADHE PËR KOSOVËN
Shtatorja e Heroit Kombatër Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, në Prishtinë, kopje e monumentit në Krujë – vepër e skulptorit Janaq Paço, është ngritur në 28 Nëntor të vitit 2001 në një ditë feste të madhe të Pavarësisë së Shqipërisë, të tretën në Kosovën e lirë, të cilën presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova e vlerësonte ditë të madhe për Kosovën.
“Zonja dhe zotërinjë, qytetarë të nderuar të kryeqytetit, qytetarë të nderuar të Kosovës, mysafirë të nderuar nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e Presheva, të nderuar miq ndërkombëtarë dhe përfaqësues diplomatikë në Prishtinë. Sot është një ditë e madhe për Kosovën, sepse po e përurojmë monumentin e Heroit Nacional të shqiptarëve në Prishtinë”, tha në fjalën përuruese Rugova, duke folur para mijëra shqiptarëve nga trojet etnike e diaspora.
Ai vijoi se, shumë gjenerata të mëparshme si dhe gjenerata jonë e kemi ëndërruar këtë ditë.
“Gjeneratat e reja, fëmijët tanë do të rriten me Skënderbeun, do të rriten me Heroin e vet dhe me fat të rinjve të Kosovës”, theksoi Rugova.Më tej tha se, do të ndiehen edhe më të qetë edhe dëshmorët e shumë brezave dhe ata të luftës së fundit për liri dhe pavarësi të Kosovës.
“Sot Kosova është e lirë, e bënë të lirë nipat dhe miqtë e Skënderbeut. Gjergj Kastrioti ndihet i lumtur për lirinë e Kosovës, të Dardanisë antike. Ndihet i lumtur, sepse miqtë e tij janë në Kosovë dhe me Kosovën, se Kosova dhe shqiptarët po bashkohen e integrohen në botën perëndimore, aty ku e kanë vendin. Në atë botë që e mbrojti me dinjitet dhe i hapi perspektiva për shekujt e rinj evropianë e perëndimorë, për prosperitetin e civilizimit njerëzor”, u shpreh Rugova.
Shtoi se, shekuj me radhë Skënderbeu ishte simbol i lirisë dhe i pavarësisë për shqiptarët, ishte simbol i lirisë dhe i pavarësisë për Kosovën.
“Poashtu, shekuj me radhë Skënderbeu ishte simbol i lirisë dhe pavarësisë për shumë popuj evropianë dhe të botës. Ishte simbol edhe për lirinë dhe pavarësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai e vazhdon këtë mision edhe sot”, theksoi presidenti historik Rugova.Ai falënderoi profesor Mark Krasniqin për angazhimet për ta sjellë e ngitur në Prishtinë monumentin-shtatoren e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe për ta vendosur në monument i kishte sjellur “një ari natyral të kristaleve të Kosovës”.
“Me fat Prishtinë, me fat Kosovë, zoti e bekoftë Skënderbeun siç e ka bekuar. Zoti e bekoftë Kosovën, ju falenderit dhe urime për monumentin e Skënderbeut…Ju falendroj shumë juve qytetarë që keni ardhur ta ndani gëzimin së bashku këtu në Sheshin Skënderbe të kryeqytetit të Kosovës sonë të dashur. Me fat”, tha në përfundim të fjalës Ibrahim Rugova.Pastaj akademik Mark Krasniqi ia dorëzoi monumentin madhështor kryetarit të atëhershëm të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Salih Gashi, i cili u shpreh: “Më në fund erdhi edhe ky monument i shumëpritur dhe i lavdishëm për popullin tonë- ngritja e përmendores së Skënderbeut në Prishtinë”.
Në festën e ngritjes së shtatores së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Prishtinë folën edhe Namik Dokle, kryetar i atëhershëm i Parlamentit të Shqipërisë dhe ish-kryeministri në ekzil i Kosovës, Bujar Bukoshi.