-Policia e Kosovës: Njësitet relevante në përcjellje të eskortës së Presidentit Thaçi në veri të Mitrovicës/
-Media serbe alarmon situatën, në Serbi gjendje e gatishmërisë më të lartë luftarake/
-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINW, 29 Shtator 2018 / Policia e Kosovës me njësitet e saja relevante sot ka qenë e angazhuar në përcjelljen e eskortës së Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e cila u realizua në veri të Mitrovicës.
Komunikata dërguar nga Policia e Kosovës bën të ditur se, njësitet policore janë kujdesur që të ofrojnë siguri gjatë gjithë kohës së vizitës së delegacionit në veri të Mitrovicës, vizitë kjo e cila u realizua konkretisht në Pikën Kufitare Bërnjak dhe tek Liqeni i Ujmanit.
Vlen të potencohet se Policia e Kosovës, është kujdesur në aspektin e sigurisë që kjo vizitë të kalojë e qetë dhe pa incidente, ashtu edhe si e tillë ka përfunduar.
Policia e Kosovës vazhdon të angazhohet dhe të jetë profesionale, në respektimin dhe zbatimin e ligjit, gjatë implementimit dhe realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, përfundon komunikata.
Ndërsa, media serbe ka alarmuar situatën, duke theksuar në tituj e raportime se pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës (ROSU) kanë “sulumar e zaptuar” liqenin e Ujëmanit (Gazivodën) në veri dhe se “Presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić ka urdhëruar vendosjen e kompel Ushtrisë së Serbisë në gjendjen e gatishmërisë më të lartë luftarake”.