-Kosovë-Serbi, presidentët e kryeministrat sot takim në Bruksel, pas tensioneve e retorikave/
PRISHTINË, 24 Janar 2017-Behlul Jashari/ Në Bruksel ka nisur sonte raundi më i ri i takimeve në nivel të lartë Kosovë-Serbi, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, ku për herë të parë, pas 30 raundeve kryeministrore, janë edhe presidentët, Hashim Thaçi e Tomislav Nikoliç, bashkë me krerët e qeverive, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, fillimisht takoi delegacionin e Serbisë e më pas delegacionin e Kosovës, ndërsa vazhdohet me takimin e përbashkët trilateral. Sipas pritjeve dhe paralajmërimeve, në fokus është dhënia fund situatave tensionuese dhe realizimi i marrëveshjeve.
Ka kaluar një vit pa takime në nivel të lartë, pas të fundit e të vetëmit të 2016-tës të zhvilluar në 27 janar, ndërsa raundi më i ri i dialogut mbahet ndërkohë që kohëve të fundit kishte tre ngjarje të vlerësuara nga Prishtina zyrtare zhvillime provokuese dhe axhenda të rrezikshme: Serbët ndërtuan një mur ndarje afër urës në Mitrovicën Verore, u hodh një bombë natën drejt zyrave qeveritare kosovare në veri pak ditë pasi u përuruan dhe një tren ilegal dhe me mbishkrimin “Kosova është Serbi” u nis nga Beogradi për të hyrë në veri të Kosovës pa lejen e autoriteteve, por u ndal para se të arrijë te kufiri, ku për ta ndaluar ishte dërguar njësia speciale e Policisë kosovare.Pas këtyre ngjarjeve, që u pasuan edhe me retorika, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, javën e kaluar i ka ftuar palët për takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve ndërmjet Beogradit e Prishtinës, për sot në në Bruksel.
“Zhvillimet gjatë ditëve të kaluara e theksojnë nevojën për përkushtim të shtuar dhe angazhim të të dy palëve nëpërmjet dialogut”, thuhej në kumtesen e javes së kaluar të BE-së dhe shtohej se “progresi në normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet i rëndësisë së lartë për të dy palët, për Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor si të tërë”.
Takimi i sotëm në Bruksel i presidentëve të Kosovës e Serbisë është i pari bashkë me kryeministrat, por është i dyti pas atij të 6 shkurtit 2013, kur është zhvilluar takimi i përbashkët me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, i presidentes kosovare Atifetje Jahjaga në atë kohë dhe presidentit serb, Tomislav Nikoliç, pas takimeve të ndara që Baronesha zhvilloi me dy presidentët.
“Takim për normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore, paqen e stabilitetin në rajon dhe drejt integrimeve evropiane”, e vlerësonte Jahjaga takimin me Nikoliç, duke theksuar se ishte i pari takim i presidentëve të Kosovës dhe Serbisë.
Në Bruksel, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, takimi i parë në nivel të lartë kryeministror është mbajtur në 19 tetor 2012.
Në 19 prill 2013 është nënshkruar Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e vlerësuar historike, e parafuar nga kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, si dhe ndërmjetësuesja, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton.
Deri tash, 23 takimet kryeministrore Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.
Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tash ministre e Dialogut.