-Presidenti Hashim Thaçi dha sot dorëheqje pas konfirmimit të aktakuzës nga Specialja dhe para nisjes drejt Hagës. Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, po sot ka marrë zyrtarisht funksionin e ushtrueses së detyrës të Presidentes së Kosovës-
PRISHTINË, 5 Nëntor 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dha sot dorëheqje, pasi ishte informuar nga Zyra e Prokurorit të Dhomave të Specializuara se gjyqtari i procedurës paraprake ka konfirmuar aktakuzën kundër tij.
“Nuk do të lejojë që para gjyqit të dal si President prandaj për të mbrojtur integritetin e shtetit unë sot jap dorëheqje”, deklaroi Thaçi në konferencë shtypi, pas së cilës u nis drejt selisë në Prishtinë të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe pritet udhetimi edhe drejt Selisë së Gjyakëtës Speciale në Hagë.
Gjatë luftës në Kosovë të përfunduar në pranverën e lirisë 1999, nga viti 1997 Hashim Thaçi ishte udhëheqës i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa ishte edhe Kryeministër i Kosovës.
Në përputhje me obligimet kushtetuese, pas dorëheqjes së Presidentit Hashim Thaçi, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani, po sot ka marrë zyrtarisht funksionin e u.d. të Presidentes së Kosovës.
Ceremonia e pranim- dorëzimit është bërë në prezencën e stafit të Presidencës dhe kryetares së Kuvendit të Kosovës.
Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli njoftoi sot se, dje pasdite ishte informuar nga Zyra e Prokurorit të Dhomave të Specializuara se gjyqtari i procedurës paraprake ka konfirmuar aktakuzën kundër tij dhe se ka bërë aranzhimet e nevojshme për të udhëtuar vullnetarisht drejt Hagës në mënyrë që t’iu përgjigjem këtyre akuzave.
Dje, ish zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili pas luftës kishte edhe poste të larta politike si Kryeparlamentar e ushtrues i detyrës së Presidentit etj, u arrestua dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), në Hagë. Arrestimi u krye nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në bazë të një aktakuze të konfirmuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe në zbatim të fletarrestimit dhe urdhrit për transferim, të lëshuara nga gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Edhe deputeti Rexhep Selimi ka konfirmuar se ka marrë një njoftim nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale se ndaj tij ka një aktakuzë të konfirmuar dhe se të enjten do të udhëtojë në Hagë. Selimi ka qenë drejtor i Operacioneve pranë Shtabit të Përgjithshëm, ndërsa me vonë Inspektor i Përgjithshëm i UÇK-së.