-Të shtunën e 30 Tetorit 2021 në Zym të Hasit, zonë e kufirit ndërshqiptar Kosovë-Shqipëri, mbahen në edicionin e 50-të jubilar “Takimet e Gjeçovit”, manifestim tradicional letrar, kulturor e shkencor, me pjesëmarrës nga të gjitha hapësirat e kombit dhe diaspora shqiptare/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 25 Tetor 2021/ Në Zym të Hasit, zonë kufitare e Kosovës me Shqipërinë në rajonin e Prizrenit, të shtunën e 30 Tetorit 2021 mbahen “Takimet e Gjeçovit”, në edicionin e 50-të jubilar të këtij manifestimi tradicional letrar, kulturor e shkencor, me pjesëmarrës nga të gjitha hapësirat e kombit dhe diaspora shqiptare.
Manifestimi i sivjetmë mbahet nën patronatin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa mysafir pritet të jetë edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, bëhet e ditur në ftesën e dërguar sot nga Këshilli Organizativ.
Në ftesën e dërguar nga Frrok Kristaj theksohet se, në manifestim marrin pjesë shumë shkrimtarë, shkencëtarë, etnografë, arkeologë, historianë, pedagogë, artistë të teatrit, të filmit, të muzikës, të artit figurativ, pastaj veprimtarë të aktiviteteve kulturore dhe të tjerë nga mbarë viset etnike shqiptare dhe nga diaspora.
Manifestimin “Takimet e Gjeçovit” e organizon Klubi Letrar “Shtjefën Gjeçovi” në Zym në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit të Republikës së Kosovës.
Pjesë e manifestimit do jetë ora letrare “Anton Pashku” – me emrin shkrimtarit të lindur në fshatin Grazhdanik të Hasit të Thatë, afër Prizrenit, ku lexojnë 15 poetë nga viset etnike shqiptare.
Në tre ekspozita prezantohen veprat letrare, shkencore e publicistike të autorëve hasianë, Llesh N. Biba nga kryeqyteti shqiptar Tirana me drugëdhendje dhe Luan Rr. Çoçaj nga Gjonaj – fshat i Hasit me eksponate etnografike.
Para se të përmbyllen “Takimet e Gjeçovit” me programin kulturo-artistik të Ansamblit Etno-Kulturor “Katarina Josipi” të Zymit dhe me Mikpritjen Zymjane bëhet ndarja e katër çmimeve tradicionale: “Unaza e Katit (Katarina Josipit)”, Plaketa “Pena e Pjetër Bogdanit”, Plaketa “Pena e Shtjefën Gjeçovit” dhe Plaketa “Pena e Anton Pashkut”.
Manifestimi “Takimet e Gjeçovit” nis mbrëmjen e të premtes së 29 Tetor 2021 me promovimin e tre veprave të Atë Ndue Kajtazit: “Ai vetë është Drita” (Përsiatje përshpirtshmërie) – vëllimi I, “Çështje të identitetit të krishterë” – vëllimi II dhe “Biseda si mundësi njohje dhe komunikimi”- vëllimi III (Botues “Faik Konica” dhe Kuvendi Françeskan i Gjakovës 2020). Vazhdohet me promovimin e monografisë “Buka e Zymit” të Frrok Kristajt si dhe me prezantimin e disa personaliteteve zymjane që veprojnë në botë.
“Takimet e Gjeçovit” mbahen çdo tetor. Në Zym të Hasit të Thatë, në 14 Tetor të vitit 1929, nga okupatorët serbë u vra prifti i devotshem, arkeologu, etnografi, shkrimtari, dramaturgu, speleologu, përkthyesi, pedagogu e atdhetari i spikatur Atë Shtjefën Konstantin Gjeçovi – Kryeziu, të cilin zymjanët e varrosën në oborrin e Kishës së Shën Prenës në fshatin Shëngjergj të Hasit. Kjo figurë poliedrike la mbi 75 vepra, duke filluar nga “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (e mblodhi dhe e kodifikoi Gjeçovi), “Agimi i Gjydetnis”, “Trashegime thrrako-ilirijane” e shumë të tjera, prej të cilave deri më tash i janë botuar rreth 25.
Në një nga “Takimet e Gjeçovit”, akademik Mark Krasniqi theksonte se “Zymi dhe në përgjithësi Hasi i kanë dhënë njerëz të mëdhenj kombit, kurse Gjeçovi, pas Ungjillit, në rend të ditës kishte çështjen kombëtare, duke marrë pjesë edhe vetë si luftëtar me armë në dorë në luftën e Vlorës më 1920”.