-Javë veprimtarishë në Festën e Shën Nënë Terezës 2018 dhe të Vitit Mbarëkambëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut/
-Në Meshën solemne në Katedrale në kryeqytetin e Kosovës, si dhe në aktivitete tjera, përfshirë promovimin të enjten e 6 Shtatorit të dy librave – për Nënë Terezën dhe Gjergj Kastriotin, ishte i pranishëm edhe veprimtari veteran vatran Dr. Gjon Buçaj, ish-kryetar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/PRISHTINË, 9 Shtator 2018/ Kosova kaloi një javë veprimtarishë në Festën e Shën Nënë Terezës 2018 dhe të Vitit Mbarëkambëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.Në 5 Shtator, ditë e mërkurë, në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, që ishte edhe e 1 vjetorit të shugurimit, u mbajt Mesha solemne, e udhëhequr nga Delegati Apostolik për Kosovë, Monsinjor Juliusz Janusz dhe Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.
“Në festën e Shën Nënë Terezës, në 5 shtator 2018, në Katedralen e Shën Nënë Terezës në Prishtinë, për Kishën Katolike në Kosovë ishte gëzim dhe festë e dyfishtë, pasi Delegati Apostolik për Kosovë, Sh. T. Mon. Juliusz Janusz, e solli lajmin e gëzuar që Papa Françesku e ka lartësuar Kishën tonë në Dioqezë të re me emrin Prizren-Prishtinë”, u kumtua me këtë rast.
Në Meshën solemne në Katedrale në kryeqytetin e Kosovës, si dhe në aktivitete tjera, përfshirë promovimin të enjten e 6 Shtatorit të dy librave -për Nënë Terezën dhe Gjergj Kastriotin, ishte i pranishëm edhe veprimtari veteran vatran Dr. Gjon Buçaj, ish-kryetar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA. Të vlerësuar e falënderuar, shqiptarët nga Amerika – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me
Ipeshkvia e Kosovës, ka theksuar se sivjet, në mënyrë të veçantë do të kujtojmë 1 vjetorin e shugurimit të Katedrales dhe 90 vjetorin e nisjes së Gonxhe Bojaxhiut – Shën Nënë Terezës për misione në Kalkuta të Indisë.
Ditët e Nënë Terezës 2018 në Kosovë nisën në përvjetorin e ditëlindjes së saj në 26 Gusht të vitit 1910 për t’u përmbyllur në 5 Shtator – në ditën e përvjetorit të kalimit në amshim në vitin 1997, ndërsa kanë vijuar edhe veprimtari tjera në ditët në vijim.
Në ditën e parë vaprimtaria e parë ishte në mesditë në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, ku u bë promovimi i monografisë “Familjet katolike shqiptare në Shkup” – (dokumente, fotografi, dëshmi I), botues: Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Shkupit (2018), nga autorët: Skender Asani, Albert Ramaj, Natash Didenko.Me këtë rast, për këtë studim dhe botim folën ministri Pal Lekaj, në emër të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradianj, Skender Asani, Dr. Gjon Berisha, Anton Sereqi, Don Lush Gjergji e pjesëmarrës të tjerë. Pas promovimit u bë hapja e ekspozitës fotografike për periudhën, personalitetet dhe ngjarjet e Shkupit të atëhershëm.Të njëjtën ditë, në mbrëmje, në Shenjtëroren dhe Katedralen “Nëna Tereze” u mbajt Akademia kushtuar Shën Nënës Tereze në 90 vjetorin e nisjes së saj për misione në Indi, si dhe u hap ekspozita nga Fondi i Arkivit Shtetëror të Dubrovnikut lidhur me jetën dhe veprën madhore të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Programi ishte një gërshetim i bukur muzikor dhe poetik, me këndim të mrekullueshëm nga Adelina Paloja të këngëve për Nënë Terezën, recitime të shkëlqyera të poezive dhe uratave të Nënës Tereze nga aktorët Beslim Muçaj dhe Lumnie Sopi.Akademinë e përshëndeti Ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji. Pjesë e programit ishte edhe kumtesa e Don Lush Gjergjit mbi thirrjen rregulltare dhe misionare të Gonxhe Bojaxhiut. Një fjalë mbajti edhe Gjon Berisha, përgatitësi i ekspozitës, i cili shpalosi rëndësinë e këtij fondi të veçantë për periudhën e Gjergj Kastirotit – Skënderbeut.
Të enjtjen e 6 shtatorit, dy librat që u promovuan në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ishin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në pullat shqiptare 1913-2017” dhe “Nënë Tereza në pullat shqiptare”, të autorit Hysen Dizdari, koleksionistit të pasionuar dhe njohur të pullave postare shqiptare, vlerësuar në fjalët e rastit edhe nga redaktorja-profesoresha Flutura Xhabija dhe Don Lush Gjergji, në fjalimet e rastit. Në këtë aktivitet promovimi e raste tjera bashkë me Dr. Gjon Buçajn ishin edhe miqtë e tij në Kosovë, mjeku Dr. Sadri Bajraktari dhe piktori Blerim Luzha, të njohur kaherë, shokë shkolle e studimesh…