Prishtinë, 17 Shkurt / B.Jashari/.-Në kuadër të shënimit të 6 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, sot, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, bëri homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
“Prekazi përmbledh gjithë sakrificën sublime të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Tashmë është obligim i të gjithëve që të punojmë për një ardhmëri dhe mirëqenie sa më të mirë të popullit dhe të Kosovës”, tha kryetari i Kuvendit kosovar, Krasniqi.
Pas homazheve, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, bëri një vizitë në familjen Jashari.