-Kryeministri Kurti në Bruksel: Njohja e pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet e BE-së e kthen perspektivën e saj në integrim evropian/
BRUKSEL, 18 Maj 2021 – Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Polikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë sot në Bruksel mori pjesë në darkën tradicionale me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Para darkës së përbashkët kryeministri Kurti u takua me Përfaqësuesin e Lartë, Borrell, gjatë të cilit takimi ai konfirmoi interesimin dhe gatishmërinë e Republikës së Kosovës për të përparuar drejt integrimit evropian.
Në një adresim të shkurtër para fillimit të darkës, kryeministri Kurti tha se Bashkimi Evropian është projekti më i rëndësishëm i paqes dhe progresit që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe se ai duhet të mbrohet me çdo kusht. Ai shtoi se me miqtë dhe kolegët tanë në Bruksel, duhet të diskutojmë për zbatimin e reformave në vendin tonë dhe në anën tjetër për nevojën për njohjen e Republikës së Kosovës nga pesë shtetet mosnjohëse, ashtu që perspektiva evropiane të kthehet në integrim evropian.
Kurse pas darkës, kryeministri Kurti në deklarimin e tij para medieve tha se theksi i diskutimit ishte te raporti i Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian dhe nevojën e afateve për avancimin sa më të shpejtë të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian. Kurse theksi i tij ishte te nevoja për liberalizim të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe investimeve në ekonomi, të cilat e zvogëlojnë emigrimin dhe e rrisin punësimin posaçërisht të të rinjve.
Darka tradicionale me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor bëhet nën organizimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, dhe shërben si mundësi e mirë për diskutim të përbashkët mbi zhvillimet në rajon, bashkëpunimin bileteral me BE-në dhe rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian, thekson njoftimi i dërguar nga Zyra për Komunikim Publik – Zyra e Kryeministrit të Kosovës.