Altin Gjeta/
Libri i diplomatit Arben Çejku “Sovraniteti versus Integriteti: Prapaskenat e dialogut dhe sfidat e pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë (2005-2020)” ka gjetur dritën e botimit këtë muaj në gjuhën angleze nga UET Press.
Përkthimi në anglisht vjen në një moment kur progresi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka ngecur. Ringjallja e revalitetit gjeopolitik mes Perëndimit dhe Rusisë apo Kinës pas konfliktit në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme e ka bërë më të pasigurt procesin e paqes në Kosovë dhe rajon.
Në këtë kontekst, botimi në anglisht i librit përbën një kontribut të vyer për çështjen e forcimit të shtetit të Kosovës si një garant i paqes dhe sigurisë në Ballkan. Kancelaritë perëndimore, mbështetëset kryesore të pavarësisë së Kosovës, bota akademike dhe media ndërkombëtare, diplomatët dhe analistët që merren me problemet e sigurisë në Ballkan, do të kenë mundësi të kuptojnë më mirë kompleksitetin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Versioni i librit në anglisht ka kaluar në darën e një redaktimi profesional nga studiues të njohur të marrëdhënieve ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara. Njëkohësisht, botimi shoqërohet edhe me një parathënie të shkurter nga autori i cili reflekton mbi sfidat e dialogut prej vitit 2020 kur libri u botua për herë të parë, duke nënvizuar mungesën e progresit dhe rëndësinë e arritjes së një paqeje të qëndrueshme si garante e shtetësisë së Kosovës dhe interesit kombëtar shqiptar në Ballkan.
Arben Çejku nuk ka shkurar në libër vere, por një studim skrupuloz, të mbështetur në burime të pasura të dorës së parë, reflektime personale nga vëzhgimet e tij në procesin e shtetndërtimit të Kosovës duke filluar me negociatat e Vjenës, deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Në këtë kuptim, libri është një studim etnografik i sofistikuar i të gjitha proceseve dhe aktorëve që vulosën e fatin e Kosovës mes viteve 2005-2009.
Megjithatë, ambasadori Çejku nuk ndalet vetëm në ngjarjet e para-pavarësisë, por shkon më tej dhe e vendos në një kontekst historik të gjithë procesin e shtetndërtimit në Kosovë duke ofruar një qasje analitike të mprehtë të vështirësive me të cilat është përballuar Kosova në konsolidimin e mëtejshëm të shtetit në arenën ndërkombëtare dhe në dimensionin e brendshëm në periudhën e pas pavarësisë.
Pikërisht aspekti i brendshëm i shtetësisë së Kosovës, pamundësia për të shtrirë autoritetin e në komunat me shumicë serbe në veri të vendit është edhe prokupimi kryesor i librit.
Ambasadori Çejku nuk heziton të hedh dritë mbi progresin e limituar apo dështimet e faktorëve politik shqiptar dhe ndërkombëtar për ta përmbylluar shtetësinë e Kosovës me një marrëveshje finale paqeje me Serbinë. Ai nxjerr në pah disa nga arsyet dhe mekanizmat operues në Serbi dhe politikën ndërkombëtare që kanë vonuar arritjen e një epilogu të suksesshëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Mbi të gjitha, libri në versionin anglisht iluminon dilemat me të cilat përballet Kosova dhe Perëndimi përballë zgjedhjes mes sovranitetit dhe integritetit. Arben Çejku nuk ofron formula të gatshme, por analiza e tij komplekse gjeneron zgjidhje të mundshme për forcimin e mëtejshëm të shtetit të Kosovës duke vendosur theksin tek largpamësia dhe lidershipi përtej interesave politike të ditës.
Së fundi, botimi në anglisht i librit “Sovraniteti versus Integriteti”, plotëson një boshllëk në praktikën diplomatike në zgjidhjen e konflikteve. Studiuesit e huaj që shkruajnë për Kosovën dhe Ballkanit përgjithësisht neglizhojnë dijen lokale dhe kompleksitetin e konflikteve në rajon.
Ndërsa studimeve shqiptare shpesh herë iu mungon qartësia, thellësia e analizës dhe qasja kritike për shkak të etheve politike të ditës – Arben Çejku ka shkrirë në këtë libër praktikën diplomatike, publicistikën dhe thellësinë analitike.
Botimi në anglisht do të vetëdijësojë vendimarrësit politik dhe rrethet akademike në botë rreth nevojës për një qasje më të vendosur ndaj projekteve destabilizuese të Serbisë në Ballkan dhe mbështetjes për një Kosovë sovrane dhe me integritet të plotë territorial.