Partitë e kanë kthyer në pronë të tyre private KQZ dhe e kanë kthyer drejtësinë në një derivat të pushtetit të tyre. Në Shqipëri nuk njihet formula „të gjithë të barabartë përpara ligjit“ – sepse kush ka në dorë pushtet politik është i privilegjuar, pasi e bën ai vetë ligjin. Prandaj në Shqipëri shteti i së drejtës është një iluzion. Për shembull, Ilirjan Celibashi ish kryetar i këtij Komisioni, sot është kandidat për deputet i PS, dhe kështu me rradhë edhe nga krahu tjetër! /
Nga Elida Bucpapaj/
Prej dje po dëgjojmë që faktori ndërkombëtar po e vë theksin se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të jetë apolitik dhe i paanshëm! Natyrisht ashtu duhet të jetë!
Po ku kemi qenë ne këta 22 vjet? Po partitë ku kanë qënë? Që të jetë apolitik dhe i paanshëm do të duhej që anëtarët e tij përfshi kreun të jenë figura me një integritet të pacënushëm prej influencës e jashtë ndikimit e të mos u thonë lepe peqe me përulje urdhërave të kryetarëve të partive!
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri është thellësisht politik dhe i anshëm, sepse ky Komision zgjidhet pikërisht nga partitë, të cilat përzgjedhin aty njerëzit më luajalë, jo ndaj ligjit, por ndaj kreut të partisë, ku kreu i partisë përkthehet me atë sentencën aq të njohur të Luigjit të XIV se “Ligji jam Unë”, ndërsa Kushtetuta është copë letër.
Dhe kjo formulë, i zgjedhur prej partive, e ka kompromentuar Komisionin Qendror Zgjedhor, i ka hequr besueshmërinë. Opozita nuk i beson a priori vendimet që merr shumica në këtë Komision, sepse ka parasysh se si vepronte ky Komision kur opozita kishte maxhorancën. Dhe vice versa. Prandaj rezultatet kontestohen gjithnjë nga humbësit.
Asnjë parti në Shqipëri këta 22 vjet, përjashto zgjedhjet e 22 marsit 1992, nuk e ka respektuar formatin e KQZ si një institucioni demokratik, që KQZ të jetë apolitik, i paanshëm dhe i pavarur nga partitë!
Ndërkohë KQZ ka patur rol kryesor sa i përket të gjitha proceseve zgjedhore që janë mbajtur në Shqipëri.
Më 1996 fitorja e PD do të ishte normale sepse shqiptarët posa ishin ndarë nga një regjim kriminal dhe sistemi piramidave kishte krijuar një farë prosperiteti ekonomik, por kjo fitore u komprometua nga një rezultat që shkoi mbi 90%, pra ishte e qartë se pati manipulim. Zgjedhjet e 1997 u zhvilluan pas shembjes të shtetit për pasojë të krizës së piramidave nën terrorin e bandave kriminale të Zani Çaushit dhe shokëve të tij, ku e majta u kthye në pushtet me dhunë. Natyrisht që fitorja e PS ishte e manipuluar, sikur u manipulua edhe rezultati i referendumit të Mbretit Leka Zog, ku populli votoi për Monarkinë. Edhe zgjedhjet e 2001 u manipuluan nga PS dhe provat e manipulimit ishin aq flagrante sa faktori ndërkombëtar e detyroi PS që zgjedhja e presidentit të Republikës së Shqipërisë të bëhej nga PD, ku Berisha zgjodhi për President Alfred Moisiun, një gjeneral dhe bir gjenerali të Enver Hoxhës, me të cilin pastaj pati marrëdhënie shumë të acaruara. Edhe e zgjodhi vetë, edhe pastaj nuk e suportonte po ai vetë. Rotacioni i PD më 2005 ishte shumë legjitim pasi qeverisja e majtë kishte dështuar plotësisht, por ky rotacion u bë e mundur vetëm në sajë të Fatos Nanos, paçka se atij kjo i kushtoi karrierën politike, sepse Ruçi me kompani kërkonin me çdo kusht fitoren dhe e kontestuan rezultatin e 2005. Fatos Nano, si kryetar i PS-së kishte qënë edhe kritikues i ashpër i qeverisjes nga Ilir Meta dhe shkak i largimit të tij sepse e kishte denoncuar Metën për afera korruptive sepse vendi ishte gërryer nga trafiqet, mafia dhe keqqeverisja.
Mandati i parë i PD-së e nxori Shqipërinë nga listat e zeza. Rruga e Kombit dhe hyrja në NATO ishin kartat e fitores për një mandat të dytë më 2009, paçka se pala humbëse nuk e njohu rezultatin, por pas zgjedhjeve të 2009 Sali Berisha në vend që t’i përkushtohej ruajtjes të profilit politik të PD, si parti e qendrës së djathtë, jo vetëm që hyri në aleancë me Ilir Metën, por i braktisi idealet e dhjetorit dhe e degjeneroi PD në një parti të majtë, pasi i humbi lidhjet me ish-të përndjekurit, me ish-pronarët dhe me njerëzit që e mbështetën, të cilit nuk kishin patur skeletë nëpër dollapë gjatë diktaturës. Qeverisja ndërkohë u gërrye nga militantizmi arrogant, nga nepotizmi dhe hipokrizia e lidërshipit.
Partitë ndërkohë e kanë kthyer në pronë të tyre private KQZ dhe e kanë kthyer drejtësinë në një derivat të pushtetit të tyre. Në Shqipëri nuk njihet formula „të gjithë të barabartë përpara ligjit“ – sepse kush ka në dorë pushtet politik është i privilegjuar, pasi e bën ai vetë ligjin. Prandaj në Shqipëri shteti i së drejtës është një iluzion. Për shembull, Ilirjan Celibashi ish kryetar i këtij Komisioni, sot është kandidat për deputet i PS, dhe kështu me rradhë edhe nga krahu tjetër!
Nëse do të ishte apolitik ky Komision, dhe ashtu do të duhej të ishte, dhe po të ishte ashtu, partitë politike, por edhe shqiptarët do ta bënin gjumin e qetë, se integriteti i votës të tyre, dmth vota e Sovranit do të mbetej e pacënuar.
Po sot e shihni si shqetësohen aq shumë të gjitha palët? Po çmenden, po kalojnë në çmendi. Sepse pushteti politik në Shqipëri nuk e njeh pavarësinë e institucioneve! Në një sistem demokratik pushtetet janë të pavarura, mediat po ashtu. Në Shqipëri, jo, të katër pushtetet janë të varura dhe ndërvarura nga partitë! Kështu edhe institucioni i KQZ.
Dhe sipas logjikës të absolutizmit të pushtetit politik në Shqipëri, kryetarët e partive ngjajnë si feudalë anadollakë dhe deputetët bujkrobër qyqarë.
Me daljen nga koalicioni me PD, largimi i anëtarit të LSI-së nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është ugual me largimin e ministrave, nënministrave, drejtorët e drejtorive dhe nënkryetarit të Bashkisë të Tiranës! Kjo është logjika. Logjika e Ed Ramës, e Sali Berishës dhe e Ilir Metës, të cilit Berisha me katër deputetë prej 2009 deri në prill 2013, pra pothuaj për katër vjet rresht, i dha në tabaka 40% të posteve më të larta dhe administratës publike! Sot Ilir Meta po e akuzon Berishën si diversant! Nuk e di se si do t’i përgjigjet nesër Sali Berisha.
Ky është realiteti i hidhur dhe i turpshëm, se pushteti politik i partive ka 22 vjet që e ka cënuar integritetin e KQZ dhe e ka shndërruar në një institucion, të cilit nuk i zë besë asnjëra palë kur kalon në opozitë. Prandaj sot shqetësohen aq shumë kryetarët e partive, sepse KQZ është 100% i politizuar dhe një instrument politik në duart e tyre.
Çfarë mund të bëhet? Po të kishin patur minimumin e vullnetit politik, kryetarët e partive kishin votuar në mënyrë unanime një KQZ të përbërë nga njerëz të ndershëm dhe me integritet, të cilëve pak u interesojnë partitë, kur venë në balancë interesat e vendit të tyre. Dhe Shqiptarë të tillë ka. Por kryetarët e partive pëlqejnë zakonisht njerëzit e njollosur që ata t’i përdorin si marioneta.
Sa i përket formatit që ka sot, ky Komision nuk ka më kredibilitet dhe si i tillë nuk mund t’i mbijetojë sistemit të vlerave të demokracisë. Zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë të kontestuara. Sepse kontestimin e prodhon pikërisht politizimi i tej skajshëm që ka KQZ, çka do të thotë se ky Komision nuk është as apolitik dhe as i paanshëm. Kështu e kanë katandisur politikanët, të cilët kanë shkelur me këmbë Kushtetutën! Po, po, kryetarët e partive kanë shkelur me të dy këmbët Kushtetutën e Shqipërisë! Dhe shkelësit e Kushtetutës dihet se ku e kanë vendin!