Të shtunën, 11 Korrik 2020, në mesditë, në selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, u organizua ceremonia e themelimit të degës së re të Manhattanit.Një pjesë e anëtarëve, punojnë ose jetojnë në Manhattan, ishin të pranishëm në sallë. Shumica ishin të rinj në moshë dhe vinin nga shtresa e të përndjekurëve politik.
Të pranishmit i përshëndeti Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA z. Elmi Berisha. Ai i përgëzoi organizatorët e themelimit të degës, grupin nismëtar me në krye z. Agustin Mirakaj(anëtar i Kryesisë së Federatës), i ndihmuar dhe nga nënkryetari Ervin Dine. Z. Berisha tha se kjo ishte mbledhja e parë në mjediset e Vatrës pas 4 muaj izolim për shkak të Pandemisë së Koronavirusit dhe ishte një ditë e rëndësishme.Krijimi i degës, tha ai, ishte paralajmëruar prej kohësh pas Kuvendit të 19 Janarit 2020 dhe sot u bë fakt i kryer. Degë të tilla ne do të ngremë sapo të normalizohet situata e daljes nga Pandemia edhe në Teksas e shtete të tjera. Kryetari Berisha u uroi mirëseardhjen vatranëve të rinj.
-Ne do të vazhdojmë edhe në ardhmen procesin e krijimit të degëve të reja, por në përshtatje me Kushtetutën e VATRËS. Asnjëherë nuk do të lejojmë që individë të pa autorizuar, të veprojnë në kundërshtim me Kushtetutën e Vatrës dhe me ligjet e vendit ku jetojmë-,tha Berisha.
Më pas ka përshëndetur dhe Presidenti i nderit i Vatrës z. Agim Rexhaj, i cili pasi uroi organizatorët e krijimit të degës, e cilësoi 11 Korrikun 2020, si një ditë historike për Vatrën, e cila rikthehet në Manhattan pas tri dekadash, kur zyrat e Vatrës me kryetar të ndjerin Arshi Pipa ishin vendosur në ndërtesën ku punonte arkëtari i sotshëm i Vatrës, anëtari i Kryesisë Marjan Cubi,i cili përballoi me shpenzimet e veta dhe qeranë e zyrës.
Z. Rexhaj e falenderoi z. Agustin Mirakaj për nismën dhe i uroi vatranët e degës së re.
Krijuesi i degës, anëtari i Kryesisë së Vatrës z. Agustin Mirakaj, ka përshëndetur pjesmarrësit dhe mbështetësit dhe të gjithë ata që iu përgjigjën nismës së tij. Në fjalën përshëndetse Mirakaj ndër të tjera tha: Dallimi midis së kaluarës dhe së ardhmes nuk është gjë tjetër veçse një iluzion. Asgjë nuk është e shkëputur. Dje, sot dhe nesër nuk janë rastësi, ato janë të lidhura në një rreth pa mbarim. Gjithçka është e lidhur. Ne jemi vazhdimësia.Mendoj, tha ai, se ne që e duam Shqipërinë jemi shumë. Ne e krijojmë degën sepse duam Shqipërinë, duam Kombin dhe u shërbejmë atyre,ashtu si paraadhësit tanë. Detyra e degës më të re : VATRA MANHATTAN BRANCH është të çoi Misionin e Vatrës përpara, ashtu si e kërkon ajo, me dinjitet dhe përkushtim….Anija nuk rri në vend , ecën vetëm përpara. Detyra është të shkojë në destinacion. Në këtë pozicion jemi dhe ne, të gjithë bashkë, për ta çuar VATRËN përpara duke ndjekur vijën e saj të palëkundshme në mbrojtje të Shqipërisë Demokratike….Sot gjithçka ka të bëjë me angazhimin e të rinjve me potencial për ndryshimin. Për të shkuar përpara është e domosdoshme që udhëheqësit dhe stafi të përshtaten dhe të përfaqësohen në mënyrë të barabartë dhe efikase me një brez të ri profesionistësh dhe motivues. Kemi kohë që e kemi nisë procesin-po e bëjmë realitet ditën e sotme pas shumë pune e mundimesh.
Teknologjia është e ardhmja, ne mund ta përdorim atë me afikasitet për të ndërtuar të ardhmen e Vatrës.
Mirakaj raportoi: Një detyrë e rëndësishme e vënë nga Kryesia dhe Kryetari Elmi Berisha është hapja e website të Vatrës www.federatavatra.org
Ky website afron realitetin dhe përshpejton aftësinë për komunikim të drejtpërdrejt me vatranët dhe shqiptarët kudo ku jetojnë.
Ai e mbylli fjalimin e vet përshëndetës me fjalët: Dita po vjen, VATRA do të lulëzojë!
Z. Mirakaj u duartrokit dhe u përshëndet gjatë nga pjesmarrësit.
Në emër të kryesisë së re përshëndeti Viktor Vorfi, i cili tha se VATRA është e shenjtët për shqiptarët dhe krijimi i degës së re sot është vazhdimësi e punës së paraardhëse dhe çuarja më tej e saj prej nesh. Ai kërkoi duartrokitje për secilin të propozuar për në kryesinë e degës.
U duartrokitën: Agustin Mirakaj-Kryetar i degës; Eduard Aranitasi-Nënkryetar; Ilirjan Blloshmi-Sekretar, Viktor Vorfi –anëtar i Kryesisë, Muharrem Bajraktari-anëtar i Kryesisë, Mikel Ndoci-anëtar i Kryesisë, Damian Previzi-anëtar i Kryesisë, avokat Hasan Metuku-anëtar i Kryesisë.
Dega e nisi funksionimin me 26 anëtarë, me pikësyimimi që së shpejti do të regjistrohen edhe anëtarë të rinj, me synimin që brenda vitit numri i të anëtarësuarve ta kalojë shifrën 60.
Kryesia e re propozoi që z. Agim Rexhaj, të jetë anëtar Nderi i saj. Propozimi u miratua me duartrokitje.
Në emër të kryesisë të sapo miratuar përshëndeti sekretari Ilirjan Blloshmi.
Kryetari Elmi Berisha, duke përshëndetur kryesinë e re të degës tha: Kjo degë e re paralajmëron shtimin e degëve të tjera në hartën e Vatrës.Unë mendoj se Ju do na sillni në Vatër risi të reja, ide të reja, duke ruajtur të shenjtë Frymën Kombëtare të VATRËS.
Z. Berisha, edhe njëherë tërhoqi vëmendjen për inisiativën antiligjore të një grupi të vogël ish vatranësh, që pretendojën se kanë ngritur një degë në Staten Island. Askush nuk mund të ngrejë degë pa marrë autorizimin e Kryetarit dhe kryesisë së Vatrës. Dega e njoftuar në facebook është jashtë çdo baze ligjore, duke e shqyrtuar aktin në përballje me Kushtetutën e VATRËS dhe me Ligjet e këtij vendi.
Presidenti i Nderit z. Agim Rexhaj kërkoi një qëndrim të ashpër ndaj shkelsëve të Kushtetutës së Vatrës. Edhe z. Ibrahim Kolari,anëtar i Kryesisë, kërkoi qëndrim ndaj këtij veprimi.
Sekretarja e Vatrës znj. Nazo Veliu uroi degën e re, kryesinë e saj dhe shprehu besimin se askush nuk do të ketë sukses në përçarjen e Federatës VATRA apo në tentativën e një grupi të jashtligjshëm që synon shkatërrimin e saj.
Kryeredaktori i Diellit, pasi uroi krijimin e degës dhe kryesinë e re, informoi për përpjekjet maksimale të redaksisë së Diellit në kohën e Pandemisë, që Dielli online, Dielli fb të funksiononin pa ndërprerje. Ai evidentoi punën e mrekullushme, të palodhur dhe profesioniste të gazetarit Sokol Paja,i cili gjatë këtyre katër muajëve të Pandemisë, ka bashkuar rreth DIELLIT mendjet e mençura shqiptare të shpërndara në Botë, mjekëve,infermiereve,studiuesve,shkencëtarëve, gati në të gjithë kontinentet. Sjellja e tyre në faqet e Dillit ka rritur praninë e Vatrës dhe të vetë Diellit në shumë shtete. Pjesmarrësit e shpërblyen me duartrokitje gazetarin Sokol Paja.
Nënkryetari i Vatrës Ervin Dine pasi uroi degën e re, kryetarin Mirakaj dhe kryesinë e sapozgjedhur, falenderoi të gjithë të anëtarësuarit në degën e re.
Sipas Kushtetutës së Vatrës, dega e re u pajis me librin e protokollit dhe blloqet e pagesave. Veprimtaria u filmua nag Radio Televizioni 21 nga gazetari Halil Mula.
Takimin e ka mbyllë kryetari Berisha.(Dielli)