
Veri Talushllari/
Edhe sot, pas 85 vitesh, kur tregon atë ngjarje, Qemane Kadiasi-Hajdarasit i dridhet zëri dhe herë herë i shkojnë lotë. Qemaneja është tezja ime, motra më e vogël e nënës sime, Parizes, dhe unë dhe ime motër, Egla, që kemi ardhur nga Amerika ta takojmë, i kërkojmë t’na tregojë për tragjedinë e familjes së nënës sonë siç e ka dëgjuar dhe përjetuar. Ajo vetë ishte vetëm disa muajshe kur ndodhi ngjarja, dhe plagën reale dhe atë shpirtërore i ka mbartur në trup e në shpirt tërë jetën e saj. Kur e goditi copa e predhës ishte në djep, dhe askush nuk u kujtua të merej me të në atë llahtarë, ndërsa gjaku i rridhte nëpër oborrin e shtëpisë. Të mëdhenjtë që i shpëtuan goditjes vrapuan pas më të rriturve të vrarë e të plagosur, të përhapur nëpër shtëpi. Por si i thonë, jetëgjata nuk bëhet jetëshkurtër, dhe tezja ime e mirë, me një kujtesë të mrekullueshme, e rrethuar me një tufë djem e vajza, nipër e mbesa, është ulur e tregon:
-Po ç’të të them more bir. Ishte janar atë ditë. Janar i ’41së. Mesditë. Kishim ngrënë drekë dhe sejcili merej me diçka. Babai, Izeti, po rregullonte opingat ulur në mes të odës, nënia, Pemja, lante rrobat në oborr me një sy mbi mua në djep, mamaja juaj, Parizja, dy vjeç e ca fëmijë, luante, Perifani, vëllai, 12 vjeç djalë ishte në odën tjetër e të tjerët aty përreth. Kishim shtëpi të mirë, të madhe për atë kohë, dykatëshe. Faqen që shikonte nga Mali i Tomorrit e kishin lyer me gëlqere. Nga që dukej së largu, grekët e morën në shenjë.
-Po grekët ku ishin?- e pyes.
-Grekët mor bir ishin ca te Hani i Xhipe Shahinit në Kodovjat të Gramshit, por kishte dhe në Ermënj… Shtëpinë tonë e morën si shenjë, se ta thashë, dallohej që larg. Goditën dhe në Çorrotat, u vra e ëma e Njazi Çorrotatit mu në vatër. Vetë Njaziu mbeti sakat, me një krah të prerë. Pasi goditën në Çorrotat, ata qenër ju kthyen fshatit tonë, Zhepës. Ra predha drejt e mbi çatinë e shtëpisë sonë or të keqen tezja, për atë tmerr e llahtarë që s’ka gojë ta rrëfejë. Baba Izeti vdiq në vend, mbase më shumë nga tymi e pluhuri, se trupi nuk ju prish. Vëllait, Perifanit i ra copa e predhës në kokë, po nuk vdiq aty. Edhe unë e motra, mamaja juaj, u gjakosëm, unë në ije,Parizja në pulpën e këmbës. Të tjerët, nëna Peme, dy vëllezërit, Avniu dhe Iljazi, xhaxha Selmani me hallo Xheken dhe djemtë, shpëtuan.
-Po të këqiat nuk mbaruan aty mor bir-vazhdon tezja mes lotësh. -Babain nuk mund ta varrosnin në varrezat e fshatit, se grekët, po të shikonin grumbull njerëzish, u a hidhnin predhën pa një pa dy. Kishin frikë kur shihnin shumë njerëz bashkë, se mos i sulmonin. Po edhe për terror, donin ta frikësonin popullin, ta bënin vendin pjesë të Greqisë. Prandaj babain e varrosën si mundën. Tani halli ishte të shpëtonin djalin, Perifanin. Spitali ushtarak grek ishte matanë malit, përtej Gurit të Prerë, në Rosover. Halli të çon edhe te hasmi or të keqen, dhe nënia me djalin në krah vajti, por doktorët grekë nuk ishin njerëz, ishin katilë, nuk kishin zemër., nuk e mjekuan djalin. U ngjitën në Qafën e Gjarpërit dhe zbritën në Kovaçanj, ku ishte spitali tjetër i ushtrisë greke. Po edhe aty doktorët më katilë. Njëri tha që “Nuk e zë me dorë pa ardhur e ëma te unë!”.
-Po pse, ç’e donte Neken?!- pyeti me naivitet njëri nga të vegjlit. Neke i thoshim gjyshes ne dhe fëmijêt tanë.
-Po ishte e re, e bukur more bij. Asaj ditëzezës i luante mëndja e kokës nga hallet që i ranë, burrin të sapo varrosur, djali po i vdiste, në shtëpi kish lënë një tufë fëmijë në qiell të hapur, dy vajzat e vogla të plagosura, ai maskara e kish mëndjen te qejfi. Dhe e la djalin të vdiste. Aty, në Kovaçanj dhe e varrosën,. Vonë, pas lufte e morëm.
Por ishte grua e fortë gjyshja dhe stërgjyshja juaj. Jo çdo njeri bën atë që bëri ajo. Vetë burrë vetë grua, si i thonë fjalës, i vuri shpatullat shtëpisë, na rriti dhe na martoi me nder e sakrifica. Por në ato vite kishim dhe xhaxhain, Selmanin, ishim një zjarr, një vatër, një magje, kafshitën bashkë e ndanim. Kishte vëllazëri, kishte njerëzillëk në ato kohra.
– Po më tej?- e shtyjmë bisedën ne më të mëdhenjtë, që sigurisht kemi dëgjuar për këto ngjarje të dhimbshme, por nuk i kemi askund të shkruara apo të regjistruara.
-Nënes sonë nuk ju mbyllën ato ditë hallet or ju paça! Se lufta vazhdonte. Vëllai ynë i madh, Avniu, nuk mund të ndahej nga shokët, u lidh me partizanët, e një natë, ndërsa furnizonin çetat me municion, u vra. Pas lufte u shpall dëshmor i Atdheut, por nënes dhe gjithë shtëpisë ju shtua dhe një vdekje, një dhimbje, po ju pre dhe një krah pune, atëherë kur shtëpia kish aq nevojë për të. Po prapë nëna Peme nuk e uli kokën, nuk u dorëzua.
I dashur lexues. Këto ngjarje kanë ndodhur 85 vjet më parë, por plagët e atyre krimeve që grekët kanë bërë mbi tokën tonë, mbi popullin tonë.