
Prof. Dr. Sylë Ukshini/
Isha i nderuar që sot të mbaja kumtesën shkencore “Reçaku dhe lufta e narrativave”, në tryezën shkencore të organizuar nga Forumi i Intelektualëve të Shtimes.
Në kumtesën time theksova se Masakra e Reçakut ishte pjesë përbërëse e doktrinës serbomadhe dhe e skenarit të planit të koduar ushtarak “Patkoi”, i cili, sipas studiuesit të njohur John Stoessinger, në veprën Why Nations Go to War, përbënte një strategji të mirëmenduar shtetërore që synonte, përmes vrasjeve masive dhe spastrimit etnik, krijimin e një Lebensraum-i (hapësire jetësore) për kolonët serbë. Sipas Stoessingerit, Adolf Eichmann, si arkitekt i krimeve naziste, do ta kishte vlerësuar lart shkallën e organizimit dhe efikasitetin e operacionit “Patkoi”.
Në nëntor të vitit 1998, gjatë një takimi zyrtar ku po diskutoheshin detajet e marrëveshjes Holbrooke–Milosheviq, e cila synonte ndaljen e dhunës në Kosovë, Slobodan Milosheviqit i tha gjeneralit amerikan Wesley Clark një fjali që nuk përbënte një kërcënim të çastit, por një përmbledhje të një doktrine shtetërore: “E di si të merrem me këta shqiptarë. I vrasim të gjithë.”
Kjo fjali nuk ishte metaforë dhe as retorikë politike. Ajo përfaqësonte një program veprimi. Dy muaj më vonë, në një mëngjes të ftohtë janari, kjo doktrinë u materializua tragjikisht në Reçak. Gjenerali gjerman Klaus Naumann, gjatë një takimi më 2 dhjetor 2024, më deklaroi se në këtë kontekst Miloševiqi kishte përdorur edhe një formulim tjetër që e kishte tronditur thellë atë si gjerman: nevojën për një “zgjidhje përfundimtare” në Kosovë. Ky formulim përkujton drejtpërdrejt terminologjinë naziste të “zgjidhjes përfundimtare”, e cila shërbente si emërtim kod për shfarosjen sistematike të hebrenjve evropianë nga regjimi hitlerian.
Në këtë këndvështrim, Masakra e Reçakut nuk ishte një akt i izoluar, por krim kundërnjerëzimit dhe pjesë e një doktrine të vjetër shtetërore serbe, gjeneza e së cilës duhet kërkuar që në shekullin XIX, te Naçertania, dhe më pas te elaboratet raciste të Vaso Çubriloviqit.
Për rrjedhojë, lufta mohuese e Serbisë, si dhe veprimtaria e Gjykatës Speciale të BE-së në Hagë, po kontribuojnë në ndërtimin e një kundër-narrative, përmes së cilës imazhi i qartë “bardh e zi” i agresorit dhe viktimës zëvendësohet me një imazh “gri”, ku pretendohet se ka pasur viktima dhe fajtorë nga të gjitha palët. Kjo qasje, e sponsorizuar nga Serbia dhe Rusia, si dhe nga disa qarqe radikale të së djathtës evropiane dhe bashkëmendimtarë të ideologjisë jugosllaviste në Kosovë, synon rishkrimin manipulues të historisë dhe amnistimin e Serbisë për krimet dhe spastrimin etnik në Kosovë.