
Kastriot Fetahu/
Fëmijëria ime ishte pa Krishtlindje, me altarë të djegur dhe katedrale të shkishëruara.
Fantazitë, si shtretër të thellë deti me mistikën e fundit të tyre, si melodrama të Verdit, një rrugë e gjatë pafund me bredha të lartë, gjithmonë me ngjyrë epike, ku një emision në radio “Feja, opium për popullin” më ngjallte përherë një frikë konstante, ndërsa dashuria e munguar më dukej gjëja më abstrakte në botë.
E nisa sot ditën e Krishtlindjeve me kujtimet për nënën time dhe me përsiatjen e kauzës së kësaj feste, ku njerëzimi pushon luftën dhe bashkon zemrat. Zanafilla e kësaj feste është në Betlehem, një qytet në Bregun Perëndimor të Palestinës, i vendosur rreth dhjetë kilometra në jug të Jeruzalemit. Turizmi lulëzon gjatë periudhës së Krishtlindjes, kur të krishterët nisin një pelegrinazh në Kishën e Lindjes, e cila nderohet si vendlindja e Jezusit.
Një përmendje e parë e mundshme e Betlehemit është në korrespondencën Amarna të Egjiptit të lashtë, e datuar në vitet 1350–1330 p.e.s. Në Biblën Hebraike përshkruhet periudha e izraelitëve; ajo e identifikon Betlehemin si vendlindjen e Davidit.
Në vitin 529, Kisha e Lindjes së Krishtit u dëmtua rëndë nga samaritanët dhe u rindërtua nga Justiniani I. Edhe në kohët e sotme, lufta në Lindjen e Mesme i ka rrënjët në këtë konflikt historik. E kalova në heshtjen time historinë në këtë ditë të veçantë, kur ajo është ngjyra e paqes që dua. Dita e Krishtlindjeve është hyjnore, është art, është biznes. Dëgjova në heshtje disa herë “Stille Nacht”, “Merry Christmas” dhe “Jingle Bells”. Nuk harrova të dëgjoja këngë për Krishtlindje edhe nga kantautorja amerikane Mariah Carey.
Nga albumi i saj, “All I Want for Christmas Is You” u bë një nga këngët më të shitura të të gjitha kohërave dhe zileja më e shitur e Krishtlindjeve në Shtetet e Bashkuara.
Dreka është shenja kryesore me të cilën festoj këtë ditë, ku bredhi “i gjallë” më qëndron karshi, me ato dritat për të cilat Kafka shkruan magjinë në poezinë e tij të Krishtlindjes.
Shampanja ka hijen e vërtetë të festës dhe mendimi im shkon te njerëzit në nevojë. Krishtlindja nuk është luks i shoqërisë, por thirrje drejtuar vetes për të hedhur sytë nga njerëzit për të cilët u flijua Jezusi.
Më pas dëgjova fjalimin e mbretit të Komonuelthit britanik. Gjithmonë më kujtohet një personazh nga Mallakastra, xhandar në kohën e Zogut. Në kohën e diktaturës, kur e pyesnin se çfarë mendimi kishte për konfliktin “X”, ai u përgjigjej: “Po Inglitera çfarë thotë?”
Para se mbreti Charles III të mbante fjalimin, kori i fëmijëve këndoi në një katedrale protestante himnin e mbretëreshës. E dëgjoj atë himn shpesh edhe kur udhëtoj. Mua më pëlqen monarkia me rregullat e saj, të cilat bazohen në edukatën njerëzore me kualitetin konservativ familjar. I jap të drejtë Senekës. Seneka u persekutua nga dy perandorë, Kaligula dhe Neroni, dhe përsëri kërkoi Republikën. Kjo na tregon se, që në kohën e Krishtit, diktatorët janë luftuar nga mendjet e ndritura. Seneka vdiq 68 vjet pas vdekjes së Krishtit.
Mbreti, një nga të paktët mbretër të moshës së tij me universitet, foli për paqen, për lënien pas të konflikteve në botë dhe për forcimin e humanitetit. Solidariteti njerëzor është çelësi i vetëm për të zvogëluar problemet ekzistenciale të shoqërisë njerëzore. Si një njeri që më pëlqen kultura anglosaksone, kujtova mbretëreshën Elisabeta, monarkja që, kur shkonte në Afrikë, fiset “kanibale” ndërprisnin luftën nën autoritetin njerëzor të saj. Ndërkohë mu kujtua kundërshtimi ndaj mbretit Charles III në Australi dhe Zelandën e Re. Pasi mbreti mbaroi fjalimin, dëgjova korin që i dedikoi një këngë Ukrainës. Ka gjithmonë një anë të bukur mbretëria për të respektuar paqen e popujve. Ndaj kjo këngë iu dedikua atij populli në luftë.
Nuk dua të jetoj me konkluzionet e Niçes:
“Ndërtojini qytetet tuaja në shpatet e Vezuvit,
dërgojini anijet tuaja në dete të paeksploruara.
Jetoni në luftë me të tjerët dhe veten!”
Më pas ndoqa me kërshëri Mary Berry-n, kuzhinieren profesoreshë 90-vjeçare, e cila demonstroi receta në kështjellat më të mira anglikane. Mary, me sytë blu, më përcjell aq shumë paqe duke gatuar gjërat më të veçanta për Krishtlindje. Bashkë me të demonstronte artin e kulinarisë edhe anglezi Andy Murray, ish-tenisti nr. 1 në botë.
Kujtova Albana Mançjen, në rolin e Mary Berry-t tonë.
Paradite, një kafe në “Tradesman” të Bostonit më ndihmoi të shkruaja një poezi me titullin “Modern”.
Kohën më pas e mbusha me lexime librash, poezish dhe filma për Krishtlindje. Dita e Krishtlindjes është shenjtëria e paqes që kërkoj. Mos harroni të vërtetën e shprehjes: “Nuk kam para, por ndiej se vlej më shumë se kurrë”. Ndjehuni të tillë. Njeriu është “vetëbesim dhe aksion mbi shtratin e dashurisë”.
Ndaj ju përcolla këto shënime për të sjellë tek ju ditën e paqtë të Krishtlindjes si thirrje për t’i besuar dashurisë njerëzore.
Gëzuar, miqtë e mi!