DOSIER/ Flet Violeta Baraku, e bija e Kristaq Pandukut: Në Rinas ka pritur nga Hrushovi dhe deri tek Zhukovi dhe shumë udhëheqës ushtarakë të vendeve të lindjes/
– Në Rinas ka pritur nga Hrushovi dhe deri tek Zhukovi dhe shumë udhëheqës ushtarakë të vendeve të lindjes/
– Hysni Kapo kujdesej për bandën dhe u thoshte kuzhinierëve, shikojeni pak Kristaqin se do na ikë nga duart/
– Më 11 janar 1946, kur u shpall Shqipëria Republikë, babai ka drejtuar 6 orë pa ndërprerje bandën frymore se do vinte Enver Hoxha/
-Në vitin 1967 kur parada s’po ecte mirë dhe Beqir Balluku dha urdhër: “shkoni dhe gjeni Kristaq Pandukun”/
-Në vitin 1924 u bë pjesë e Bandës Frymorë “Vatra” që ndihmoi Fan Nolin të vinte në Shqipëri/
-Pas përfundimit të shkollës në Boston atë e emëruan në punë aty, por u kthye në Shqipëri nga malli/
-Ilo Panduku, xhaxhai im, ishte një ndër 200 komunistët e parë që formuan PKSH
-Në vitin 1930, e caktuan zëvendësdrejtor të Bandës Mbretërore /
– Babai im ka jetuar pa nofullën e poshtme 40 vjet, pas një infeksion në një dhëmballë/
– Në Boston shkoi për studime me ndihmën e Nolit, i cili i tha se Shqipëria ka nevojë për muzikantë/
– Babai i ndihmoi të gjithë instrumentistët italianë të shpërndaheshin nëpër çetat partizane, që të mos i vrisnin gjermanët/
-Ai drejtoi bandën e Ushtrisë për 22 vjet me radhë, një record/
Shkruan: Albert Z. ZHOLI/
Një histori e vërtetë por e pabesueshme. Kristaq Panduku, Dirigjenti i Bandës së Fan Nolit, i Bandës së Mbretërisë dhe 24 vjet i bandës së Ushtrisë, në vitin 1930 ka incizuar me një specialist muzike nga Austria 9 këngë patriotike shqiptare të cilat janë lënë në heshtje si dhe vetë vepra e Pandukut. Dhe pse kishte mbaruar shkollën e muzikës shkëlqyeshëm në vitin 1930 në Boston, edhe pse e emëruan në një nga Bandat Frymore më të mira në një qytet bregdetar amerikan, ai më shumë preferoi të vinte dhe ta ushtronte profesionin në Shqipëri, pasi kishte shumë dashuri për të. Në vitin 1937, pas një infeksioni, atij i hiqet nofulla dhe jeta e tij u bë disi i tërhequr, por ai mbeti një profesionist elitar, i cili drejtoi Bandën Frymore Shqiptare për 26 vjet me radhë ndoshta një rekord ky. Në vitet 1944 deri në vitin 1966 ai priti në Rinas të gjithë personalitete e vendeve Lindore, njëkohësisht ishte dhe drejtuesi i bandës në tre parada ushtarake. Nuk mund të lihet mënjanë se Kristaq Panduku, ishte kryetari i parë i Jurisë së Festivalit të parë të këngës së muzikës së lehtë në RTSH.
Sa vjet e drejtoi Bandën e Ushtrisë babai juaj?
Plot 22 vjet, nga viti 1944 deri në vitin 1966 që doli në pension. Ndoshta është rekord, pasi ai nuk ju nda asnjë çast këtij profesioni dhe Bandës së Ushtrisë deri sa kishte mundësi të punonte.
Nga jeni me origjinë?
Ne jemi me origjinë nga Korça. Pra brenda korçarë. Babai im ka qenë i datëlindjes 1902.
Kur ka shkuar në Amerikë babai juaj?
Babai im ka shkuar në Amerikë në vitin 1926 dhe ka studiuar në Boston për muzikë për 4 vjet, për trombë. Ai ishte një student i shkëlqyer në këtë lëndë. Ai shkoi në Boston pasi kishte fituar përkrahjen dhe respektin e Fan Nolit. Mund të them se Fan Noli ishte ai që e kërkoi për studime dhe pse në SHB babai ka pasur dy vëllezër aty. Por babai nuk ju bë barrë pasi donte vetëm të mësonte dhe pastaj të kthehej në atdhe.
Ku u njoh babai juaj me Fan Nolin?
Babai im u njoh kur Fan Noli erdhi në Shqipëri dhe krijoi qeverinë e vitit 1924, qeverinë e qershorit. Për ta ndihmuar Nolin në këtë nismë demokratike, nga Amerika erdhi dhe banda Vatra, e cila e ndihmoi shumë Nolin në fillimet e tij të ndërtimit të shtetit të ri më demokratik.
D.m.th., babai juaj ju bashkëngjit Bandës së Shoqërisë “Vatra”?
Po, babai kishte mësuar në Liceun e Korçës. Ne rrjedhim nga një familje punëtorësh korçarë. Nuk kishim ndonjë pasuri, vetëm nëna e babit kishte njëfarë pasurie. Por megjithatë gjyshi im donte që fëmijët të mësonin, ndaj babanë e futi në Lice. Që aty ai filloi të mësonte veglat muzikore. Duke mësuar babai merrte pjesë në një Bandë të vogël muzikore të qytetit të Korçës. Kur erdhi Banda e Shoqërisë “Vatra” nga Amerika në mbështetje të Fan Nolit, babanë e thërrasin në këtë Bandë muzikore me shumë emër. Babai pranoi menjëherë dhe u bë pjesë e saj. Kur qeveria e Nolit u përmbys, ai i tha babait, është mirë të vish të studiosh në Amerikë për muzikë. Babai i tha do mundohem. Do kesh përkrahjen time në Boston i tha Noli i madh dhe babai e miratoi.
Babai shkoi dy vjet më vonë, pra në vitin 1926?
Po. Dy vjet më vonë. Në Boston e priti Fan Noli. Ai e adresoi se ku dhe si të konkurronte. Babai konkurroi dhe fitoi. Ishte shumë i talentuar. Mbaroi shkëlqyeshëm. Sa mbaroi shkollën, atë e caktuan si instrumentist në një nga qytetet më të mëdha bregdetare të Amerikës. Pra e emëruan në punë. Xhaxhait tim ju bë qejfi që vëllai i tij arriti rezultate të larta. Puno dhe fito i tha dhe vëllai dhe Noli. Por babai u tha të dyve se do të shkonte në Korçë njëherë se e kishte marrë malli për nënën. Ishte viti 1930. Pasi ndenji ca ditë në Korçë dhe u çmall me nënën, vjen në Tiranë të takojë shokët e Bandës. Pra atëherë ishte Banda Mbretërore. Ajo Bandë ishte vazhdim edhe e Qeverisë së Nolit (disa prej tyre). Drejtuesit e saj i thanë menjëherë të fillosh punë tek ne, pasi kemi shumë nevojë për instrumentist të shkolluar në Amerikë, aq më tepër që ke mbaruar shkëlqyer. Për Trombë babai ishte i padiskutueshëm në Shqipëri atë kohë. Drejtues i Bandës Mbretërore, (apo i orkestrës siç e quajmë ne), ishte një muzikant nga Çekia. Ai kishte vite aty dhe ishte një profesionist i mirë. Kështu filloi punë në bandën Mbretërore, pikërisht në vitin 1930. E caktuan zëvendës drejtor, apo zëvendës i Bandës Mbretërore.
Babai ka pasur një fatkeqësi?
Po, një fatkeqësi të madhe. Babai im ka jetuar pa nofullën e poshtme 40 vjet. Ai pati një infeksion në një dhëmballë. Shkoi për ta hequr nga dhimbja e madhe. Ishte viti 1937. I bënë një gjilpërë në Spitalin Ushtarak dhe ajo i bëri reaksion. Në mëngjes nuk i hapej goja. U detyruan e i thyen nofullën e poshtme, pasi ndryshe nuk mund të jetonte. Nofulla u thye dhe u detyrua pastaj të shkojë në Itali, në Bolonja. Aty ja rregulluan disi, por ai mbeti pa nofullën e poshtme dhe nuk mund të hante kurrë më gjëra të thata, vetëm të lëngshme. N.q.s., nuk do kishte shkuar në Bolonja jeta e tij ishte në dyshim.
Kur u kthye nga Bolonja (Itali) si veproi?
Sigurisht, filloi punë menjëherë, madje i ishin paguar dhe ato ditë pune. Në këtë moment drejtori çek i tha Mbretit se tani unë nuk kam pse rri më këtu, keni Kristaqin, ai është mjeshtër vetë. Pra ishte viti 1937, pranverë. Unë isha dy vjeç, ndërsa nëna ishte shtatzënë me motrën time. Mbreti e pranoi dhe babai u bë drejtori i Bandës Mbretërore, pra dirigjent njëkohësisht.
Po kur Shqipëria u pushtua nga Italia Fashiste çfarë bëri babai?
Banda në atë kohë nuk u prish. Autoritet u thanë që Banda të vazhdonte punën normale. Ata sollën shumë instrumentistë, por jo dirigjent. Pra edhe me pushtimin nga Italia babai vazhdonte të njëjtën punë. Dirigjent i Bandës frymore të Shqipërisë. Merrte pjesë në ceremoni të ndryshme dhe kurrë nuk e zëvendësuan. Deri në vitin 1943 babai vazhdoi këtë punë. Ndërsa me ardhjen e gjermanëve ndryshoi çdo gjë. Gjermanët jo vetëm nuk donin t’ia dinin për Bandën, por donin të arrestonin dhe shumë instrumentistë italianë që ishin me Bandën. Babai i ndihmoi të gjithë instrumentistët italianë të shpërndaheshin nëpër çetat partizane. Për këtë e ndihmoi vëllai i tij Ilo Panduku.
Kush është Ilo Panduku?
Ilua ishte xhaxhai im, vëllai i madh i babait, i cili ishte një ndër 200 komunistët e parë që formuan PKSH. Ishte një njeri i mirë dhe shumë aktivist. Ai njihej nga të gjithë udhëheqësit e Partisë Komuniste të asaj kohe.
Po babai ku u vendos?
U vendos në Priskë, afër Shtabit të Përgjithshëm. Aty i dhanë detyrë që të mbante listën dhe të ofronte të gjithë ish anëtarët e Bandës Frymore, për parakalimin në Tiranë. Madje që atë kohë i kishin të qarta punët e Bandës Frymore.
Ju si familje ku banonit në këtë kohë?
Para se të shkosh tek Medreseja është një rrugicë, e Kukjeve quhet. Përkarshi kësaj rruge rridhte një vijë uji, ku ishte ndërtuar një mulli. Vija e ujit me tunel kalonte poshtë rrugës automobilistike. Ai vend ishte shumë i mirë për tu fshehur. Partizanët kishin marrë vesh se aty në darkë do kalonte një autokolonë gjermane. Aty u fshehën shumë partizanë dhe në kohën kur po kalonte autokolona ata hodhën nëpër makina shumë bomba. Vendi gjëmoi sikur do përmbysej Tirana. Partizanët u futën në tunelin e vijës së ujit dhe u larguan pa marrë asnjë plagë. Gjermanët patën shumë makina të djegura ndaj u tërbuan. Menjëherë erdhën dhe na lajmëruan të largohemi nga shtëpitë se do jua djegin gjermanët. Ne ikëm në mesnatë. U vendosëm tek shtëpia e xhaxhait që e kishte në lindje të rrugës së Elbasanit. Babai u trondit shumë, pasi të nesërmen me të vërtetë gjermanët e dogjën një pjesë të lagjes.
Kush kujdesej më shumë në atë kohë në Prisk për bandën Frymore tek Shtabi i Përgjithshëm?
Kujdesej Hysni Kapo. Madje ai thoshte, ore shikojeni pak Kristaqin se do na ikë nga duart. U thoshte kujdes pasi babai nuk hante dot. Ai donte vetëm supa dhe kishte rënë nga shëndeti. Kur të therni ndonjë dele, jepni Kristaqit të hajë trutë, pasi e kemi problem shëndetin e tij. As mishin se hante dot. Hysniu u thoshte përgatisni pjesët që do ekzekutoni kur do çlirohet Shqipëria.
Çfarë kujton tjetër nga koha e luftës?
Kur ishin muajt e fundit të luftës, ne u zhvendosëm tek shtëpia e tezes e cila kishte një bodrum. Rrinim tërë frikë. Babin kishim disa muaj pa e parë. Kur ja ai vjen befas në bodrum. U habitëm por dhe u gëzuam shumë. Ishte dobësuar, ishte bërë kockë e lëkurë. Fillova të qaj. Nuk e shikoja dot në atë gjendje. Atë natë nuk ju ndava. Ai iku të nesërmen. Ne s’kishim më shtëpinë tonë. S’dinim ku të rrinim. Pa të ardhura, pa strehë, pa ndërresa. Nuk mund ta kuptoni se çfarë jete.
Po kur u çlirua Shqipëria?
Atë ditë u bë festë e madhe. Në Tiranë marshuan shumë partizanë. Babi me bandën u vendosën tek një ndërtesë tek Kryeministria. Unë shkoja aty çdo ditë. Përgatiteshin për të pritur qeverinë demokratike që vinte nga Berati. Kur erdhi qeveria, u bë një paradë e vogël ku Banda luajti pjesë të ndryshme, marshe. Banda u vendos aty ku sot është teatri Kombëtar. Aty ata luajtën disa pjesë për disa orë.
Ku u vendosët ju në këtë kohë?
Ne shkonim ku të mundnim tek të afërmit tanë. Pastaj Hysni Kapo i tha babait shiko gjë ndonjë shtëpi, se duhet ruajtur familja. Babai me disa të njohur shkoi dhe u vendos tek shtëpitë e ish oficerëve italianë që i kishin në Laprakë. Por bëri një gabim, zgjodhi një shtëpi të madhe me katër dhoma të cilën na e morën kur erdhën rusët.
Ku u emërua babai në këtë kohë?
U emërua drejtor i bandës së Ushtrisë, aty ku ishte por me emërim tjetër. Pra i thanë të ofronte të gjithë instrumentistët që ai njihte për të bërë sa më të plotë Bandën e Ushtrisë.
Kur e ka bërë drejtimin më interesantë të Bandës së Ushtrisë babai juaj?
Më 11 janar 1946 kur u shpall Shqipëria Republikë. Atëherë u bënë shumë manifestime dhe parakalime. Ato ditë babai ka qenë më i angazhuar se kurrë. Por mund të përmend dhe në Kongresin e parë që u zhvillua aty ku sot është teatri kombëtar se ende nuk qe ndërtuar teatri Operës, pa le më pastaj Pallati i Kongreseve. Pra dhe aty Banda ka qenë e pranishme.
Çfarë mban mend ndonjë ditë, apo bisedë të veçantë, të babait si drejtues i Bandës së Ushtrisë?
Kur babai ishte në vitin e parë të pensionit, në vitin 1967, nuk e di se çfarë parade u bë. Por nuk po gjendej harmonia midis bandës dhe parakaluesve. Beqir Balluku dha urdhër, shkoni dhe gjeni patjetër Kristaq Pandukun, ai i di mirë këto punë. Erdhën dhe i folën babait dhe ai shkoi menjëherë. Ishte i papërtuar. Duhet të dini se ai ishte veshur oficer. Por në pension doli në fillim të vitit 1967 pasi 8 muaj punoi si përgjegjës Kulture në Ministrinë e Mbrojtjes.
Çfarë personalitetesh ka pritur babai në Rinas?
Të gjithë personalitetet deri në vitin 1966 ai i ka pritur. Mund të veçoj Hrushovin, Zhukovin dhe shumë personalitete të vendeve të Lindjes. Më vjen keq që si kam shënuar, pasi babai ishte shumë neglizhent në këtë drejtim.
Kishte me ndonjë nga Ministrat miqësi babai?
Babai rrinte larg ministrave, rrinte dhe larg miqësisë. Shikonte vetëm punën e tij. Ai e vuante shumë dëmtimin e nofullës, pasi nuk fliste mirë dhe nuk mund të hante çdo gjë. Kjo kishte bërë që ai të mos hapej në shoqëri dhe të mos merrte pjesë në shumë gëzime miqësore dhe familjare. Një herë më tha që kam frikë të përkëdhel fëmijët, pasi mendoj se mund t’i tremb. Pra e vuante shumë mungesën e nofullës.
Çfarë eventi tjetër ka qenë babai si drejtues, apo profesionist i mirë?
Babai ka qenë kryetar i Jurisë së Festivalit të parë në RTSH. Kur i thanë për këtë detyrë edhe u trondit. Nuk donte të bënte jetë publike. Rrinte i tërhequr. Ka qenë dhe në Jurinë e Festivalit të dytë. Më vonë u tërhoq. Në Festivalin e parë ka qenë dhe Marije Kraja, por më vonë u tërhoq pasi thoshte se nuk jam shumë specialist për muzikën e lehtë.
Pasditeve nuk dilte?
Jo, kurrë. Sa vinte në shtëpi vishte pizhamet dhe vetëm lexonte. Më shumë lexonte për gjeografinë dhe historinë. Me ato libra i kalonte pasditet.
Sistemi, duke qenë se ka qenë dhe dirigjent i Bandës Mbretërore, nuk e ka ngacmuar?
Jo, nuk e kanë ngacmuar pasi ai s’merrej me politikë. Por frikën e kishte, edhe pse një vëlla e kishte nga 200 komunistët e parë.
Nga vinte kjo frikë?
Vinte pasi dy tezet e mia, motrat e tij, ishin martuar me italianë. Ato ikën me familjet e tyre në Itali në vitin 1949 dhe në shumë letra që ato dërgonin hapeshin. Kështu babai i preu fare lidhjet. Por vëllai i tij kishte lidhje me Qemal Stafën, Xhorxhi Martinin, etj. Babai ahere i ndihmonte me rroba.
Po në shkollë a vinte të interesohej babai dhe kur je ndjerë keq para tij?
Jo, kurrë. Ai interesohej vetëm në shtëpi. Na pyeste për mësimet, na pyeste për mbarëvajtjen. Na kishte nën kujdes dhe ashtu të heshtur unë e doja shumë. Kishte vlera në heshtjen e tij. Ai ishte njeri i heshtur, i tërhequr. Ne fëmijët e dëgjonim në heshtje. Fjala e tij ishte ligj. Ne i tregonim vetë çdo gjë. S’kishte nevojë të na pyeste. Kurrë nuk na ka qëlluar. Por njëherë jam ndjerë keq. Mos gaboj ishte viti 1948. Kur erdha nga shkolla në shtëpi, e gjej nënën duke qarë. Çfarë ke i them? Çfarë të kem, në shtëpi kemi vetëm bukë misri! Çfarë do hajë babai, ai se kapërdin dot bukën e misrit?
Juve ju nxorën probleme për studimet?
Jo! Unë kisha rezultate të mira. Mbarova shkollën për Inxhinieri Elektronike të rrymave të dobëta dhe kur mbarova shkollën më caktuan inxhiniere në Radio Tirana. Radio atëherë ishte e vetme dhe kishte një emër të madh. Aty kam mësuar shumë, bëra një shkollë të dytë.
Kjo ishte puna e parë që bëje?
Jo. Unë në punë jam futur 15 vjeç. Jam futur në kohën kur babai u sëmur dhe duhej të mbahej familja. Lashë shkollën e mesme dhe u futa në shkollë në Postë Telegraf, si teknike, pasi isha e mirë në fizikë. Shkollën e lartë e bëra më vonë pa shkëputje nga 25-deri në 30 vjeç. Në radio vazhdova deri në vitin 1990 kur dola në pension. Njëherë donin të më largonin nga puna gjoja se kisha thënë pse nuk erdhën llambat e aparateve nga Kina. Pra ishte thjesht spiunim pasi nuk e kisha thënë kurrë. Pasi ne filluam të merrnim aparatura nga Hungaria kur u prishëm me kinezët. Ah si kam shpëtuar, por e drejta triumfoi.
A ishte vlerësuar babai juaj në atë sistem?
Pas çdo parade ai merrte medalje si “Naim Frashëri” etj. Ka marrë shumë Fletë-lavdërime, por nuk ka marrë asnjë Titull si “Artist i Merituar” apo “Mjeshtër i Madh”. Besoj se i takon. Sot, më tepër se kurrë, ai duhet ët marrë atë çka dhënë për Shqipërinë. Pe të mos marrë dhe ai titullin “Mjeshtër i madh|?
Kë do të veçosh nga puna e babait tuaj si muzikant?
Babai im ishte nacionalist. Ai iku nga Amerika se e donte shumë Shqipërinë, madje muzika vinte e dyta. U grind me vëllain që kishte në Amerikë. Ja, po veçoj një rast. Babai më tregonte se në vitet 1930 kishte ardhur një specialist muzike nga Austria, i cili kërkoi të incizonte disa nga këngët karakteristike shqiptare. Atë e pozicionuan pranë Bandës. Ai pyeti babanë se çfarë këngësh mund të incizonin. Babai i tha që këngët më të bukura janë ato patriotike. Dakord, tha specialisti, por ku ti incizojmë? Pastaj i thotë a ke ndonjë dhomë tënden? Po i thotë babai, kam një dhomë poshtë kinema “17 Nëntorit”. Aty bashkë me 7 shokë i vunë dritares së vetme një batanije që të krijonte akustikë dhe të mbyte zhurmët e jashtme dhe aty kanë incizuar 9 këngë patriotike, që unë i kam ruajtur dhe shumëfishuar deri më sot. Janë këngë shumë të bukura, të cilat janë dhënë në radio Tirana me dhjetëra vjet me radhë. Sot unë e kam shumëfishuar. Por nga ana tjetër dua të theksoj se babai im ka dhënë me qindra koncerte të ndryshme në regjimin e Zogut, në periudhën e pushtimit fashist por më shumë në sistemin komunist. Ato nuk mund të numërohen që nga koncertet tek Pallati sportit “Asllan Rusi”, tek ambientet koncertale tek Rr. Elbasanit, tek një dhomë pas Përmendores së Skënderbeut dhe deri tek SHQUP. Unë do të doja që ai të vlerësohej, të merrte sa gjysma e asaj që i takon.
Çfarë vlerësimi të marrë?
Ka shumë vlerësime, por më e pakta që i takon është Artist i Merituar, pse jo dhe Mjeshtër. I ka dhënë shumë muzikës shqiptare. Nuk mund të numërohen koncertet e tij. Në vitin 2007 SHQUP më kërkoi CV e tij për t’i vënë emrin e tij Dhomës së Bandës së Ushtrisë, por se di si kaloi ajo kërkesë. Në vitin 2013, sërishmi më kërkuan dokumentacionin për ta bërë Mjeshtër të Madh, por sërishmi asnjë përgjigje të saktë nuk mora. Kam besim absolut tek Ministrja Mimi Kodheli e cila po sjell frymë të re në Ushtri. Ajo me performancën, me sjelljen dhe përkushtimin në punë, besoj se do të bëjë diçka. Kam besim tek inteligjenca dhe vlerësimi që ajo u bën intelektualëve. Mbetem me shpresë tek kjo ministre konkrete dhe fjalëpakë.