
Akri Çipa/
Fokusi studimor dhe përpjekja skrupuloze e Dr. Spahos për të hulumtuar mbi vecoritë stilistikore, larmishmërinë tematike, veçanësitë e trajtimit të subjekteve dhe identitetin e krijimtarisë së Floqit, është një përpjekje serioze për ta zhbërë dukurinë negative të harresës së figurave të rëndësishme në historiografinë shqiptare. Me rëndësi, kjo realizohet duke e pozicionuar kontributin e Kristo Floqit në tërësinë e rrafsheve publike në të cilat ai ka qënë i aktiv brenda harkut kohor të jetës së tij.
Figurat poliedrike, shpeshherë janë bërë viktima të vetë natyrës së aktiviteteve të tyre të gjera, ku zakonisht protagonizmi në një fushë ka lënë në hijë ose ka paragjykuar kontributet në arealet e tjera të jetës publike. Për fat të keq, në vend që të kishim tashmë studime të shumta dhe një tablo të qartë për një nga figurat me një veprimtari jashtëzakonisht të ngjeshur, ne kemi një vakuum.
Kjo është mjaft ironiike në vetvete. Në një hark kohor prej disa dekadash, emri dhe figura e Kristo Floqit do të ndërlidhet, në një mënyrë ose në tjetrën, me aktivitete të panumërta patriotike, shërbim publik në një sërë funksionesh nga më të rëndësishmet në shtetin rishtar shqiptar dhe me disa nga zhvillimet kryesore politike në vend.
Largimi i tij nga Greqia dhe vendosja në Vlorë ndodh pikërisht pak kohë përpara shpalljes së pavarësisë dhe në fillimin e zinxhirit të asaj historie në të cilin ai do të ishte i shpesh-pranishëm. Kjo zanafillon me pjesëmarrjen, koordinimin dhe organizimin e palodhur të tij në klubet patriotike dhe organet e shtypit të kohës – në Shqipëri, por edhe në SHBA.
Kristo Floqi ndërton një profil të lakmueshëm që do të përfshinte aktivitetin e tij privat e publik në fushën e jurisprudencës, për të kaluar, me qartësimin e fatit të Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore, në poste qeveritare dhe të përfaqësimit politik. Megjithë rikthimet ciklike në profesionin e tij si jurist, angazhimi i Floqit në politikë mbetet tashmë konstante e pandryshuar.
Shkëmbimet e tij me personalitetet më të rëndësishme të kohës e pozicionojnë edhe më shumë Kristo Floqin në qendër të proceseve politike të kohës. Herë nën petkun e përfaqësuesit të zgjedhur, herë me pozicione nga më të lartat në hierarkinë shtetërore, herë në rolin e ndërmjetësuesit politik ndërmjet palëve ballafaquese, herë në modelin e emisarit të deleguar, Floqi shndërrohet në një nga zërat dhe figurat tejet të spiktatura në Shqipërinë e viteve ‘20 e ‘30.
Përgjatë këtyre viteve, ai do të shërbejë si Ministër i Arsimit, në një moment kur arsimi shqiptar lëngonte një prapambetje dhe mungesë zhvillimi të jashtëzakonshëm. Do të jetë përfaqësues i zgjedhur në parlament i Dibrës dhe i Korçës. Do të emërohet anëtar i Këshillit të Shtetit e nënkryetar i tij. Përtej këtyre, si prokuror, gjyqtar dhe një nga mendjet më të artikuluara ligjore të atyre viteve, ai do të ketë një kontribut në sendërtimin e shtetit ligjor, duke nisur që nga qeveria e Ismail Qemalit dhe deri në pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste.
Në vrullin e këtyre viteve, përpara një periudhë brishtësie politike për vendin, si dhe boshllëku e prapambetjeje institucionale të shtetit, vendimmarrja në postet e rëndësishme, si dhe reformat ligjore dhe administrative të mbështetura prej Floqit duhen parë me një sy të vëmendshëm për impaktin e tyre në proceset themelore të shtetformimit dhe shtetforcimit.
Një shembull që vlen të përmendet brenda këtij konteksti është fakti se Floqi ishte një nga promovuesit dhe mbështetësit kryesorë të krijimit të një kodi civil në Shqipëri, në përputhje me legjislacionet moderne të kohës. Nuk mund të nënvlerësohet nevoja e atëhershme për një vepër të tillë në arritjen e një normaliteti funksional ligjor konform kërkesave të atëhershme të vendit.
Sikurse është e udhës në gjykimin e figurave historike, veprimtaria dhe angazhimi i tyre gëzon elementin e kompleksitetit, veçanërisht duke marrë parasysh konditat e kohës kur ata jetojnë dhe situatën e mjedisin në të cilin veprojnë. Në rastin e Floqit, mund të shikohet një qartësi dhe vijimësi parimore në mendimin politik të tij, shpeshherë në kundërshtim me ato që mund të ishin interesa pragmatike ose lëshime të karakterit politik.
Shembulli më domëthënës në këtë aspekt është qëndrimi konsekuent në kundërshtimin e vendimit për ndryshimin e formës së regjimit në Shqipëri. Kjo është tejet interesante, mbi të gjitha nëse merret parasysh marrëdhënia e tij në atë periudhë me Ahmet Zogun. Afërsia ndërmjet tyre, e provuar në shkëmbimet dhe bashkëpunimet e vazhdueshme, dëshmohet dhe nga autorësia e mëhershme e Floqit e himnit të Ahmet Zogut, një fakt për të cilin ai do të anatemohet padrejtësisht. Pavarësisht kësaj afërsie dhe vlerësimi reciprok, Floqi pati vendosmërinë morale, guximin e artikulimin politik për ta kundërshtuar publikisht dhe me kritika substanciale kalimin e vendit në monarki.
Për t’u kthyer aty ku e nisëm, në librin e saj, Dr. Spaho shpreh besimin se koha do të vërë në pah vlerat dhe meritat reale të Kristo Floqit dhe kontributin e tij ndaj çëshjes dhe kulturës kombëtare, duke theksuar se – dhe po citoj këtu – “studimet tona në këtë fushë sapo kanë filluar.”
Si veprimtar në një periudhë historike tejet kaotike për Shqipërinë dhe Ballkanin, Kristo Floqi lundroi, së bashku, me shumë patriotë dhe aktivistë të tjerë, në mes të sfidave të cilat ishin përcaktuese për zhvillimet e ditës, por të cilat marrin një konotacion shumë më domethënës për të gjithë ne që i shqyrtojmë ato nisur nga valenca historike. Vlerësimi real i tyre do kërkojë kohën, dëshirën dhe përkushtimin e duhur nga studiuesit.