Ditën e shtune, me 17 Shtator 2016, Komuna e Andenne-it, në Belgjikë, përkujtoi 60 vjetorin e ardhjes me tren të 200 emigrantave të parë shqiptarë në stacionin e qytetit. Emigrantat kishin lanë atdheun për me shpëtue prej përndjekjes së pamëshirshme gjaksore komuniste. Disa prej tyne ishin pjesmarrësa të rrezistencës antikomuniste ndër malet e Shkodrës e rrethinat e saj, ose ishin përkrahësa aktivë të asaj rresistence. Të gjithë kishin rrezikue jetën e tyne në kalimin e kufinit shqiptar tue marrë rrugën e mërgimit për me shpëtue prej nji jete mizore, pa të drejta njerzore, pa Zot e pa shpresë.
Groupi Artistik “Rinija Vatrane”/
Në vjetin 1956, Belgjika, që kishte pësue humbje e damtime të randa në kohën e Luftës së Dytë Botnore, filloi bujarisht me pranue refugjatë prej shteteve që kishin ra nën këthetrat e komunizmit, ndër ta Shqipnia.
Ndër pjesmarrësa në ceremoninë përkujtimore ishin: Kyetari i Komunes, Z. Claude Erdekens, Ministre e Punsimit, Zoja Eliane Tillieux, Shoqata bamirse Caritas Belgjikë, Ambasadorja e Shqipnisë Zoja Suela Janina dhe Groupi Artistik “Rinia Vatra”, të veshun me kostume kombëtare, që dha nji shfaqje të shkurtë por shumë të bukur.
Ndër emigrantat që kishin ardhë me atë tren 60 vjet ma parë, ishte në prani Pjetër Kukaj prej katundit Rajë, i shoqnuem prej djalit Mark e vajzës Lule, me të cilët kishte qëndrue në kampin famëkeq të Gerovës (Kroaci) për disa vjet, para se me u pranue në Belgjikë.
Autoritetet belge mabjtën fjalimet e rastit në sallën ceremoniale të Komunes. Ndër të tjera, u përkujtue se me 1 Gusht 1956, nji tren me 200 refugjatë politikë shqiptarë, mberrijti në dëstinacionin e fundit: Andenne sur Mose, në Belgjikë. U vu në dukje se këta kishin lanë atdheun për me shpëtue prej diktaturës komuniste. Ambasadorja shiptare majti nji fjalim falënderues në piacën e pallatit komunal ku dhuroi nji plakë përkujtimore. Ishte nji ditë shumë e bukur dhe veshëmathjet kombëtare me ngjyrat kuq e zi e hijeshojshin aq ma tepër pamjen e rastit.
Ambasadorja Shqiptare falënderoi autoritetet e Komunës Andenne dhe të shtetit belg për përkrahjen që u kishin dhanë emigrantave dhe vuni në dukje marrëdhanjet miqësore që Shqipnia ka sot me Belgjikën.
Claude Erdekens, Zj. Eliane Tillieux, Z. Pjeter Kukaj
Mbasi kreu fjalimin e saj, Ambasadorja Janina ftoi Pjetër Kukajn, në moshën 91 vjeçare, për me ba përshëndetjen e tij. Pjetri kishte ardhë në Bekgjikë me nanën Rudë Ndonja, me të shoqen Drane Gecaj, me vajzen Lule e lindun në Shqipni dhe me dy djemët, Mark e Viktor që kishin lindë në kampin e Gerovës. Si disa të tjerë, Pjeter Kukaj kishte strehue dhe përkrahe me ushqime e veshmathje antarët e rrezistencës antikomuniste, posaçërisht Pal Bibë Mirakajn, i cili drejtonte çetën e krahinës së Pukës. Në përgjithsi, emigrantat që erdhën në Belgjikë në vitin 1956, nuk ishin politikanë, apo “zotnij të mëdhaj”, ose zyrtarë të ndonji qeverie te maparshme. Ishin të gjithë nierëz të thjeshtë, shumica malsorë, që ishin mësue me jetue në rrespektin e fesë, të zakoneve dhe të traditave të krahinave të ndryshme në Shqipni, tue mbajtë besën e nderin si virtyte themelore të shqiptarizmit. Komunizmi filloi me imponue ligjin marksist, me mohue lirinë e fjales, me zavendësue vlerat atnore të popullit me diktatin e partisë. Komunistat e imponuen sistemin marksist me dhunë e përndjekje, tue përdorë edhe ushqimin e punësimin si mjete indoktrinimi (shif “Vetvrasja e nji Kombi”, Kolë Bibë Mirakaj, Tirane 2014).
Mark Kukaj, Amb. Janina, Z. Pjeter Kukaj me vajzen dhe nji diplomat shqiptar.
Pjetri ishte i mbrami mbijetues në prani ndër burrat që kishin shkelë me kambë në tokën mirëpritse të Andenne-it para 60 vjetve. Ai, mbasi falënderoi shkurtimisht autoritetet dhe popullin Belg, ia kaloi fjalën vajzës Lule Kukaj-Daragjati që ishte rritë dhe shkollue në Belgjikë. Ajo, tue folë frangisht, ndër të tjera tha: “Falënderoj Belgjikën që na ka kujtue në këtë ditë të bukur. Populli Belg na priti bujarisht dhe na ndimoi, sidomos në fillim kur kishim ma shumë nevojë. Mos të harrojmë se vetë Jul Cesari e ka çmue popullin Belg si populli ma trim ndër të gjithë popujt kundra të cilëvet kishte luftue. Besoj se jemi të gjithë dakord me këtë vlerësim. Jemi të gëzuem dhe mirenjohës për lirinë dhe mundësitë e shumta që gjetëm në këtë vend bujar dhe kryenaltë. Na gjetëm këtu lirinë, rrespektin dhe mundësinë me jetue ndershmënisht dhe me përparue. Por mos të harrojmë njerzit tonë, familjet që u detyruem me lanë mbrapa në Shqipni, nën këthetrat e komunizmit antinjerzor. Prindët e mi kanë vuejtë shpirtnisht tanë jeten, tue mendue për të afërmit e tyne, me të cilët nuk kishin mundësi me komunikue as me u ndimue. Rrnoftë Belgjika, rrnoftë Ligji, rrnoftë Mbreti dhe Lirija e simbolizueme prej Flamurit të nderuem me ngjyrat kuq, gjelbërt dhe zi.”
Zoja Lulë vazhdoi në gjuhën shqipe tue iu drejtue të rijve në prani: “Falënderoj babën e nanën e të ndjerën gjyshe, që na kanë folë gjithmone për Shqipninë, tue na i mësue traditat, zakonet e gjuhën. Këto nuk duhet ti harrojmë por ti mbajmë gjallë me krenari, brez mbas brezi. Rrnoftë Shqipnija, rrnoftë populli shqiptar”.
Fjalët e thjeshta e të prekëshme të Zojës Lula Kukaj-Daragjati u pritën me duertrokitje të shpeshta.
Zj. Lule Kukaj- Daragjati tue mbajtë fjalimin
Duhet të reflektojmë ma gjanësisht në kuptimin e kësaj dite. Për ne emigrantat që kemi lanë atdheun për me shpëtue jetën, me ruejtë besimin dhe tradita e zakonet shqiptare, por sidomos për me mprojtë besimin në lirine dhe në demokracinë, kjo dite na duket si nji fitore e pa mohueshme e lirisë. Fitorja e Demokracisë ende nuk asht mbërritë në nivelin e duhun në Atdhe, por me 17 Shtator 2016, në Belgjikë, u celebrue simbolikisht fitorja e shpresës kundra dëshprimit, e lirisë kundra robnimit, e atdhedashtunisë kundra ideologjisë që e vuni atdheun në sherbim të interesave të hueja marksiste. Celebrohet fitorja e besimin në Zotin kundër materializmit të institucionalizuem, fitorja e vlerës së njeriut të lirë kundra aberracioneve shnjerzuese që e shfryzojnë njeriun si viktimë që sakrifikohet në shërbim të nji ideologjie panslaviste. Pranija dhe pjesmarrja e Ambasadores Shqiptare në këtë përkujtim, thekson kontrastin ndërmjet qeverisë përdhunuese Enveriste prej të cilës emigrantat ishin largue, dhe qeverisë së Shqipnisë së lirë ku demokracia e brishtë asht në rrugën e konsolidimit. Kjo pra asht nji fitore e pamohushme e emigrantavet antikomunista.
Vulnetaret e Caritas – Belgjike ofrojne ndimen e pare. 1956 – Fototeka Fran Kukaj
Gjashtëdhetë vjet lirije, por edhe 60 vjet përmallimesh, ndamjesh familjare, sakrificash dhe pune të përditshme me shpërblim shpeshherë tepër modest. Njeriu jeton e punon ndershmënisht e me dignitet me mbajtë familjen në shoqninë ku gjindet. Por kur shoqnia asht e hueja dhe kontaktet me familjen në atdhe janë të mohume, ndërsa shoket e mërgimit janë edhe ata të mërzitun e me të njajtat halle, pyetemi se si e gjetën emigrantat kurrajon e vendosmëninë me jetue ditë për ditë pa humbë shpresën?
Traditat shqiptare të bujarisë të besës ndimuen shumë. Larg prej atdheut, shqiptarët e thjeshtë që nuk kanë ambicie përsonale, afrohen me njani tjetrin pa dallim dhe formojnë nji rreth solidar ku qajnë hallet, flasin për familjet që kanë lanë mbrapa në Shqipni, në mbështetje të njani-tjetrit, tue ushqye shpresën se nji ditë do të ribashkohen në liri.
Megjithëse shumë prej emigrantave antikomunista mjerisht nuk janë ma me ne për të gëzue Shqipnine e lirë, duhet të ja u dijmë për nderë sakrificat e tyne kur festohen 60 Vjet Lirie. Diaspora shqiptare ta mbajë në mend se baza ma e fortë e emigracionit shqiptar në botën e lirë, sot bota ma e zhvillueme, asht besimi në lirinë me demokraci. Nuk mjafton me e gëzue at liri jashta Shqipnisë por duhet me u përpjekë qe të forcohet në të njajtin nivel edhe në atdhe, tue zhdukë korrupcionin, kriminalitetin, interesat egoiste ekonomike e partiake të teprueme dhe tue krijue mundësi jetese për të gjith popullin. Njizetekatër vjet mbas rrëzimit të murit të Berlinit nuk ka kuptim që afër 20 për qind të popullit e kanë lanë atdheun për mos me u këthye ma dhe akoma rritet numri i mërgimtarve.
Marrëdhanjet kulturore, ekonomike e financjare të diasporës me Shqipninë duhet të forcojnë pjesmarrjen politike dhe ekonomike të popullit në ndërtimin e Atdheut e, sidomos, të vlersohet kontributi i rinisë që ende sot detyrohet me u largue prej vendlindjes, për arsye se premtimet për nji të ardhme nuk janë optimiste.
Duhet t’i jemi thellësisht mirnjohës Belgjikës që e ka vlerësue, ndimue dhe nderue emigracionin shqiptar në menyrë aq të lavdueshme.
Vulnetaret e Caritas Belgjike ofrojnë ndimen e pare. 1956 – Fototeka Fran Kukaj
Ferhat Ymeraga says
Ju faleminderit shume per kete shkrim kaq te mrekullueshem!