Qytetet e New York-ut regjistruan këtë shkallë infeksioni: 3.621 të infektuar në Queens, 3,494 në Brooklyn, 2.572 në Manhattan,1.829 në Bronx, 817 në Staten Island/
Shteti i New York-ut është cilësuar si epiqendra e krizës së Coronavirusit, ndërsa NYC ka regjistruar 60 përqind të të gjithë rasteve të shtetit duke regjistruar 12.300 të rasteve të infektimeve dhe 99 të vdekur. Ne, tha De Blasio, jemi epiqendra e krizës.
Kryetari Bill de Blasio përgatiti Njujorkezët gjatë ditës së hënë për atë që ai tha se do të jetë një “javë sfiduese” në luftën kundër shpërthimit të koronavirusit.
Gjatë konferencës së tij të përditshme me gazetarët, de Blasio u shpreh se është koha që banorët të mësohen të jetojnë në një mënyrë që është “absolutisht e paparë më parë në jetën tonë”.
Mjafton të themi, se tani të gjithë e kuptojmë plotësisht se çfarë po ndodh tha ai.
Ne jemi duke ndërmarrë çdo veprim të mundshëm si një qytet, duke punuar me qeverinë e shtetit , por edhe duke bashkëpunuar gjithnjë e më shumë me qeverinë federale për të adresuar këtë krizë. Po përpiqemi në çdo mënyrë për të ngadalësuar rritjen e kësaj sëmundjeje, për të ndihmuar të gjithë qytetarët në nevojë.
De Blasio tha se numri i rasteve pozitive në qytet e New York-ut kishte arritë në 12,339 deri në mëngjesin e së hënës, përfshirë 99 vdekje.
Përshkallëzimin e të infektuarëve sipas qyteteve, kryebashkiaku e paraqiti kështu:
3.621 të infektuar në Queens
3,494 në Brooklyn
2.572 në Manhattan
1.829 në Bronx
817 në Staten Island
Kryetari i bashkisë komentoi: Askush nuk e dëshiron këtë situatë, as edhe një prej nesh, por është e vërtetë që ne jemi epiqendra e kësaj krize, dhe kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për më shumë ndihmë, veçanërisht nga qeveria jonë federale, për ta kaluar krizën.
Kryetari i bashkisë theksoi edhe një herë rëndësinë e qëndrimit në shtëpi sa më shumë që të jetë e mundur dhe, nëse duhet të dilni jashtë, të jeni vigjilentë për distancimin shoqëror, porositi ai.
Ndërsa qyteti punon për të rritur numrin e shtretërve, de Blasio bëri një turne në Spitalin Coler në ishullin Roosevelt më herët të hënën. Ai tha se Coler do të jetë në gjendje të trajtojë 100 shtretër të rinj këtë javë dhe 240 javën e ardhshme.
De Blasio foli me optimizëm për një spital të ri fushor në Javits Center:”Kjo është diçka absolutisht e rëndësishme. Ne jemi duke bërë presion që qeveria federale të sjellë gjithçka që ata kanë, çdo formë mbështetjeje, dhe të gjithë e vlerësojmë punën e madhe të Korpusit të Inxhinierëve të Ushtrisë. Kjo do të thotë 1.000 shtretër të rinj. Do të jetë jashtëzakonisht e dobishme, “tha de Blasio.
Kryebashkiaku informoi gjithashtu për nevojën e madhe të qytetit për furnizime mjekësore. Ai tha se kishte folë me Presidentin Donald Trump dhe Zëvendës Presidentin Mike Pence të dielën në mbrëmje, duke theksuar realitetin e përditshëm të asaj që përballen punëtorët e kujdesit shëndetësor. Si rezultat i këtyre diskutimeve, de Blasio tha se 400 ventilatorë nga rezervat federale janë duke ardhur për në New York City.”Nevoja jonë për ventilatorë është me mijëra, por ne do të luftojmë çdo ditë në betejë për ta përballuar atë. Ne do të jemi në një garë të vështirë kundër kohës, kështu që edhe 400 ventilatorë janë një hap i madh përpara për të na ndihmuar të kalojmë këtë javë dhe në tjetrën, tha de Blasio, duke shtuar se ai ishte” shumë mirënjohës për ndihmën e dhënë nga qeveria federale.
De Blasio foli me optimizëm edhe për rolin e ushtrisë: “Shpresa ime është se roli ushtarak do të vazhdojë të zgjerohet në ditët në vazhdim,” tha de Blasio, duke iu referuar nevojave në të gjithë vendin.
Kryebashkiaku tha se qyteti ka qenë furnizues kryesor dhe po i dërgon materialet jetike në spitalet publike dhe private, duke përfshirë 200,000 maska N95, 2 milion maska kirurgjikale dhe 70,000 mbrojtëse të fytyrës. Ai tha se ndihma shtesë po vjen nga shteti federal, përfshi: 430,000 maska kirurgjikale, 170,000 maska N95, 175,000 palë doreza, 98,000 mbrojtëse të fytyrës dhe 72,000 unifoma kirurgjikale.
De Blasio falënderoi gjithashtu kompanitë private si ASO Corp të Floridas për dërgimin e 600,000 dorezave vinyl, American Express për 36,000 maska N95, Merc për 500,000 maska kirurgjikale dhe një pjesë të vogël të kompanive vendase që vazhdojnë të prodhojnë dhjetëra mijëra mburoja të fytyrës.
E Hëna ishte dita e parë e zbatimit të urdhrit të “qëndrimit në shtëpi”. Klasat rifilluan për studentët e shkollave publike të Nju Jorkut të hënën, plotësisht online.(Pergatiti:Dalip Greca)