

Sokol Paja/
New York, 21 Shtator 2023- Kryeministri i Malit të Zi z.Dritan Abazoviç takoi diasporën shqiptare në Staten Island, New York. Nën organizimin e Shoqatës Ulqini dhe sponsorizimin e Shoqatave “Ana e Malit”, “Besi” dhe “Muriqi”, nën prezantimin dinjitoz të Edon Alibegut takimi i z.Abazoviç me diasporën shqiptare ishte shumë i përzemërt dhe entuziast. Pas fjalës së kryetarit të Shoqatës Ulqini Dzemal Lanica u ekzekutuan himnet kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë dhe Malit të Zi. Imam Tahir Kukaj komplimentoi kryeministrin Dritan Abazoviç për lidershipin dhe punën e jashtëzakonshme për lartësimin e shqiptarëve në Mal të Zi. Abazoviç theu një tabu, punoi shumë afër popullit të tij, theksoi Imam Kukaj. Imam Edin Gjoni në fjalën e tij falenderoi shoqatat organizatore dhe kryeministrin Abazoviç për punën e shkëlqyer në rritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe lidhjen me vendlindjen. Imam Gjoni theksoi se z.Abazoviç u karakterizua në qeverisje nga mbajtja e premtimit, hapja e një vizioni të ri për të ardhmen për të mirën e të gjithë qytetarëve, rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve, ruajtjen e kohezionit të vendit, dhe u lut që Zoti ta ndihmojë kryeministrin Abazoviç që të ndihmojë të integrojë qytetarët e Malit të Zi në familjen europiane. Kryeministri i Malit të Zi z.Dritan Abazoviç u nderua me tri mirënjohje nga Vito Fesella, Jessica Scarella -Spanton dhe Kamillah Hanks. Shoqata Ulqini i dhuroi një mirënjohje ambasadorit të Malit të Zi në Uashington z.Nebojsha Todoroviç dhe gjithashtu nderoi Kryeministrin Abazoviç me mirënjohje për arritje të jashtëzakonshme dhe rezultate të shkëlqyera në lidership dhe politikbërje për qytetarët e Malit të Zi. Në fjalën kryesore kryeministri z.Dritan Abazoviç u ndal para të pranishmëve rreth sukseseve të punës 1 vjeçare të qeverisjes së tij: rritja e rrogës mesatare, rritja e pensioneve, rritja e jashtëzakonshme ekonomike, transformimet turistike dhe urbane të Ulqinit etj. Takimi i përzemërt vazhdoi me pyetje nga diaspora rreth çështjeve që shqetësojnë shqiptarët, qytetarët e Malit të Zi dhe diasporën.