



Sokol Paja/
New York, 28 shtator 2025 – Kryeministri i Republikës së Kosovës z.Albin Kurti i shoqëruar nga zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës znj.Liza Gashi dhe Dr. Blerim Reka Shefi i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York zhvilluan një vizitë zyrtare në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ata u pritën nga kryetari Dr. Elmi Berisha, sekretari Dr. Pashko Camaj, arkëtari z.Besim Malota, vatranë e dhjetëra drejtues e anëtarë të shoqatave e organizatave patriotike që veprojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një takim mbresëlënës, atdhetar e shumë shpirtëror mbi çështje kryesore që shqetësojnë shqiptarët në Kosovë, shqiptarët në Ballkan, shqiptarët në diasporë e veçanërisht sfidat me të cilat përballet Republika e Kosovës. Në fjalën e mirëseardhjes kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha theksoi rolin gjithnjë e në rritje të Federatës Vatra në rritjen e bashkëpunim me Uashingtonin zyrtar e Departamentin e Shtetit Amerikan, Shtëpinë e Bardhë dhe institucionet amerikane.
Gjatë fjalës së tij Dr. Berisha ekspozoi bashkëpunimin e shkëlqyer me Parlamentin dhe institucionet e tjera të shtetit të Kosovës, përpjekjet për bashkëpunim me Tiranën zyrtare dhe ndjekjen e çështjes shqiptare te bashkombasit tanë në Mal të Zi, Luginë, Çamëri dhe Maqedoninë e Veriut, problematikat e tyre tashmë të deklaruara në Uashingtonin zyrtar, tha ndër të tjera Dr. Berisha. Kryetari i Vatrës përgëzoi kryeministrin Kurti për drejtimin me dinjitet, forcë dhe fuqinë më të cilën po udhëheq Kosovën. Dr. Berisha në fund të fjalës së tij i kërkoi haptazi në emër të Vatrës dhe komunitetit shqiptaro-amerikan kryeministrit Kurti që të ulë në tryezë partitë politike dhe faktorin politik në Kosovë për të tejkaluar ngërçin politik dhe institucional, ku Vatra është e gatshme tha Dr. Berisha të japë kontributin e saj. “Nuk duhet të humbim kohë z.Kryeministër. Kosova nuk ka kohë për të humbur” përfundoi fjalën e tij kryetari i Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha.
Në fjalën e tij kryeministri i Republikës së Kosovës z.Albin Kurti falenderoi Vatrën e komunitetin shqiptar për takimin e përzëmërt e pritjen mbresëlënëse. Ai theksoi se Vatra ishte ajo që e shpëtoi Shqipërinë falë ndikimit që Noli e Konica kishin te Presidenti Willson. Noli e Konica ishin korifejtë e çështjes sonë kombëtare dhe na kanë mësuar se kurrë nuk është mjaft për të punuar për kombin tënd dhe nuk duhet të kursehesh as nga vullneti, koha, dija dhe aftësitë. Pavarësia, liria, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial, janë tregues të rritjes ekonomike, demokracisë, zhvillimit e mirëqenies. Jemi shembull i madh i ndërhyrjes ushtarake humanitare amerikane dhe të NATO për të ndalë gjenocidin e Serbisë dhe së dyti jemi shembull i madh ku zhvillimi e progresi në njërën anë dhe demokracia e liritë në anën tjetër shkojnë së bashku në shtetin e Kosovës, tha z.Kurti.
Kryeministri Albin Kurti përgjatë bashkëbisedimit dhe pyetjeve direkt nga Efi Qeleshi, Dr. Skender Murtezani, Nuredin Seci, Gjon Ivezaj etj, preku çështje të bashkimit kombëtar, sundimit të ligjit në Kosovë, luftës kundër krimit të organizuar, bandave serbe në veri të Kosovës, investimeve në infrastrukturë dhe energji, transformimin e stadiumeve e terreneve sportive, modernizimin e pikave doganore që lidhin Kosovën me Shqipërinë, bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, situatën politike në Kosovë, kalimin e ngërçit institucional në Kosovë, investimet në sigurinë e Kosovës për të blerë dronë e prodhuar municion, raportin politik me fqinjët dhe aleatët evropianë e amerikanë ku i vetmi ndryshim tha Kurti është qasja ndaj regjimit gjenocidal të Serbisë. “Serbia është problem për Ballkanin. Serbia një Bjellorusi” tha ndër të tjera kryeministri Kurti. Ai deklaroi se sapo Gjykata Kushtetuese e Kosovës të japë verdiktin e saj, ai do të jetë i vullnetshëm për tu ulur me partitë e tjera politike në Kosovë për të tejkaluar situatën e krizës institucionale.
Foto: Dritan Haxhia