Dielli
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar Komisionerin për Fqinjësi e Zgjerim, z.Oliver Varhelyi, në margjina të Forumit Strategjik të Bledit, ku zyrtarë të Bashkimit Evropian, kryeministra e presidentë të shteteve të ndryshme, po diskutojnë për të ardhmen dhe mundësitë e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Në takim u diskutua gjendja me pandeminë COVID 19 dhe rëndësia që ka për popullin e Kosovës përkrahja nëpërmjet fondeve për përballimin e vështirësive dhe ringjalljen ekonomike. Kryeministri Kurti përsëriti kërkesën që shtetet anëtare brenda Këshillit të BE-së të marrin sa më parë vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ai falënderoi Komisionin për punën që po bën për të bindur vendet skepitike. Kryeministri Kurti e njoftoi z. Varhelyi për angazhimin dhe përkushtimin e Qeverisë për reforma dhe e vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian në finalizimin e këtij procesi.
Komisioneri Varhelyi theksoi mbështetjen që Bashkimi Evropian do të vazhdojë t’i japë Kosovës në procesin e reformave. Duke folur për zgjerimin e BE-së, kryeministri tha që shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të trajtohen si anëtarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar në Bled të Sllovenisë, Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel. Hezitimet politike të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, po mbajnë peng qytetarët e Kosovës, duke i privuar nga lëvizja e lirë brenda BE-së, tha kryeministri Kurti.Ai shprehu keqardhje edhe për faktin se marrëveshja e MSA -së, e nënshkruar ndërmjet BE -së dhe Kosovës, nuk po i jep efektet e dëshiruara, meqenëse për shkak të kufizimit të vizave, është e pamundur që bizneset kosovare të lëvizin lirshëm brenda BE -së. Kryeministri Kurti përsëriti qëndrimin se Kosova do të mbështesë Procesin e Berlinit dhe asnjë nismë tjetër e cila do të rrezikojë integrimin e saj në BE, apo nisma që janë vlerësuar si konkurrencë e pashëndetshme për integrimin evropian.U bisedua për dialogun me Serbinë, takimet e kaluara të mbajtura në Bruksel dhe përgatitjet për takimin e radhës. Po ashtu, u bisedua për sfidën e përbashkët me pandeminë COVID-19 dhe nevojën për përkrahje në përballimin e vështirësive të shkaktuara nga kjo krizë globale.