Nga Arben LLALLA/
Ashtu siç pritej, Ministri i jashtëm i Greqisë z. Nikos Kotzias vizitoi edhe “kryebariun” e shqiptarëve, kryepeshkop Anastasin në selinë e tij. Kështu, ministri grek, nuk bëri asgjë më tepër nga çdo të kishte bërë çdo zyrtar i lartë i Greqisë, nëse do të vizitonte kishat helenofone të botës. Me këtë praktikë, shteti grek tregon haptazi se e konsideron dhe e trajton KOASH-in, ashtu si Patrikanat e tjera greko-ortodokse. Në MPJ greke, ekziston zyra e çështjeve kishtare (EE), që koordinon politikat dhe lëvron fondet për kishat greke të botës, me anë të të cilave arrihet edhe e ashtuquajtura diplomacia kishtare, për përhapjen e helenizmit në botë. Këtë gjë, pra që KOASH është mjet diplomatik i Greqisë, Kotziasi ia tha natyrshëm Janullatosit kur e vizitoi, dhe bëri gjënë më tëkuptueshme, sepse shteti grek, me këtë sy i sheh kishat autoqefale grekofone.
Që të kuptohet më mirë këtë iden, ortodoksia botërore konsiston në një organizatë federative prej 14 kishash autoqefale, të cilat ndajnë të njëjtën doktrinë dhe jetë religjioze. Brenda kësaj “konfederate” kishash, ka disa kisha greke, pastaj ruse, rumune, bullgare, serbe, arabe, gjeorgjiane, etj. Si çdo organizatë që ndikon në disa dhjetëra milionë njerëzish, është normale që brenda të lëvizin qëllimshmëri politike. Dy janë polet kryesore që duan të ndikojnë mbi politikat kishtare ortodokse. Poli grek, me në krye Fanarin, por që varet direkt nga shteti grek, dhe poli rus, me në krye Patrikanën e Moskës, sigurisht nën ndikimin e Kremlinit. Kishat e tjera, janë satelitë të këtyre dy poleve, pak a shumë si shtetet e vogla, që janë o me perëndimin o me lindjen, kur votojnë në OKB.
Për më shumë se 50 vjet, këto 14 kisha po përpiqeshin të mblidheshin në një forum të përbashkët botëror, i quajtur Sinod i Madh, siç mblidheshin dikur në koncilet ekumenike, por pa rezultat, pasi përplasjet e brendshme dhe debatet se kush është i pari e kush i fundit ua bënin të pamundur këtë akt. Më së fundi, u vendos që në fund të qershorit të mblidhen në Kretë, por ditët e fundit, disa kisha, e Serbisë, e Bullgarisë, e Gjeorgjisë dhe Patrikana e Antiokisë, dhe nuk dihet nëse më vonë ndonjë tjetër, po deklarojnë bojkotimin e këtij sinodi. Si pasojë, shqetësim i madh është krijuar brenda lobit grek që po lufton me thonj për të mbajtur primacinë brenda këtij forumi religjiozo-politik, pasi bëhet qesharak autoriteti i Fanarit që e shpall veten si froni i parë i ortodoksisë dhe që kur thërret sinod panortodoks, gati 1/3 e kishave e injorojnë me bojkot. Këtë panik, e ka ndarë këto ditë edhe Anastas Janullatosi, ku në një deklaratë zyrtare të KOASH, e dt. 8 qershor 2016, e quan mbledhjen e këtij sinodi të domosdoshëm dhe kritikon kishat e tjera, (ato jo greke sigurisht), se po luajnë politikisht, dhe i quan madje ato “palë”, thua sikur i konsideron kundërshtarë, duke harruar që u flet kishave simotra, për të përdorur terminologjinë kishtare. Por Athina i dha urdhër dhe duhet t’i bindet. Me këtë veprim, ai përligj më së miri, pritshmëritë e Fanarit dhe shtetit grek, që KOASH, sa herë të ketë debate brenda ortodoksisë, të rreshtohet kah kishave grekofone. Për herë të parë në historinë e kishës, mblidhet një sinod, ku harrohet modeli i lashtë kishtar, ai i votimit prej të gjithë peshkopëve, dhe imitohet modeli i OKB, ku çdo kishë disponon një votë, ndaj shqetësimi i politikës së jashtme greke, është të pushtojë dhe të ketë sa më shumë frone me orientim grekoman, brenda konfederatës prej 14 kishave. Në këtë mënyrë, lobi grek, me dinakëri odiseane imponohet me vota fronesh, pasi ka më shumë frone grekofone, edhe pse ka më pak besimtarë grekë sesa sllavë apo rumunë në botën ortodokse. Gjeniale, këtu grekët duhen lavdëruar për strategji të hollë. Por qëpo u kuptohet dhe po u hidhet në erë nga rrymat kishtare që nuk preferojnë të jenë në ombrellën e tyre.
Ndaj, shteti grek, me anë të Janullatosit, e ka arritur më së miri këtë qëllim, duke shfrytëzuar më së miri verbërinë dhe indiferencën e politikës shqiptare që u shkon shumë për shtat. Kur dikur, politika shqiptare veproi me efikasitet, e arriti marrjen e plotë të autoqefalisë. Ndërsa kur sot, ajo merret me vogëlsira dhe interesa të ditës, shteti grek, me anë të ministrit të jashtëm Kotzias, na e thotë në mes të Tiranës se Janullatosi ka bërë punë të mirë, pasi jo vetëm që ka bërë çfarë ka dashur me kishën shqiptare, që vetëm shqiptare nuk ka mbetur më, jo vetëm që greqizoi çdo ambient ortodoks të gjallësh e të vdekurish, por tani është edhe kartë e hapur dhe votë e fuqishme progreke, sa herë që forumi ortodoks botëror do të mblidhet në sinod.
Burimet e mia më thonë se Anastas Janullatosi ka përgatitur edhe një spektakël PR-i të lezetshëm, për të na hedhur hi syve, pasi ai është mjeshtër i komunikimit publik. Ai do të meshojë në shqip në Kretë, shoqëruar edhe nga kori kishtar shqiptar, si për të na thënë, që ja, ju më akuzoni për predikime greqisht, e unë jua çoj shqipen në zemër të ortodoksisë, por harron hirësia e tij, se shqiptarët janë aq të mençur sa të shohin përtej skenës, deri tek regjia matanë kufirit, që e drejton atë në misionin e tij antishqiptar për çerek shekulli. Këtë spektakël mund ta përdorë sigurisht, vetëm për konsum të brendshëm, pasi aty i duhet, ngaqë me veprimtarinë e tij politike dhe antikishtare, ka arritur ta zbresë anëtarësinë ortodokse në minimume historike.
Dy gjëra bëjnë njerëzit kur ndihen të ofenduar dhe të papërfaqësuar fetarisht, ose ndërrojnë fe, ose e lënë fenë. Por lobit grek, të dyja këto alternativa i interesojnë, pasi një kishë e vogël, pa besimtarë, që nuk protestojnë, është me e lehtë për t’u kontrolluar. Shteti shqiptar duhet të kuptojë, që i pëlqen apo jo, KOASH në Shqipëri do të jetë sa të jetë vetë shteti. A dëshiron politika jonë t’ia lërë fronin shqiptar, dhe votën që ne disponojmë në forumin e 14 kishave autoqefale ortodokse, grekëve, duke e dorëzuar KOASH-in pa kushte? Apo do të ishte më mirë, që këtë votë, këtë zë, këtë ndikim sado të vogël në ortodoksinë botërore, t’ua kthejmë sërish shqiptarëve?
Për të mos thënë, a do ta lërë akoma shteti shqiptar KOASH, si vegël e diplomacisë greke, sipas deklaratës së hapur të Kotziasit në mes të Tiranës, si mjet greqizimi të shqiptarëve ortodoksë, apo do përpiqet ta kthejë në natyralitetin e saj, si përhapëse të krishtërimit ortodoks dhe të atdhedashurisë për Shqipërinë?
Këto i shkruaj, që të mos më thotë dikush nesër justifikimin e famshëm: “Po si nuk na i the këto gjëra, se ne nuk i dinim…”. Tani përgjegjësia ju takon juve që më lexuat.