
-Kryesia vendosi: Afati përfundimtar i dorëzimit të kuotave të anëtarësisë dhe listave është data 31 Dhjetor 2019./
Në datën 25 Shtator 2019 u mblodh Kryesia e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, e cila mori në shqyrtim disa cështje. Në mbledhje, ishte ftuar edhe Komisioni i Garancive të Kanunores, trup i pavarur i mandatuar nga Këshilli i Vatrës, si edhe këshilltarët e Federatës.
1. Degët dhe Pagesat e kuotave
Kryesia e Federatës VATRA ka nisur prej kohësh përgatitjet për Kuvendin e rradhës. Ky proces zhvillohet ngushtësisht me degët, të cilat përbëjnë shtyllën e kuvendeve të Vatrës. Prandaj, Kryesia e Federatës prej disa muajsh kërkon nga degët të dorëzojnë pagesat e anëtarësisë së bashku me listat përkatëse, me qëllim që në zbatim të Kanunores, Kryesia të bëjë të mundur thirrjen e Kuvendit. Kryesia ka botuar njoftimet e saj vazhdimisht në gazetën Dielli, si edhe ka kontaktuar me kryetarët e degëve lidhur me pagesat e pjesshme ose mospagesat e anëtarësisë dhe listat përfundimtare të anëtarësisë.
Shumica e degëve kanë paraqitur kërkesën për shtyrjen e afatit të dorëzimit të kuotave dhe listave përkatëse, të cilat janë materiali bazë për përgatitjen e kuvendit të rradhës. Kryesia u bën thirrje degëve që periudhën e mbetur ta shfrytëzojnë për shtimin e anëtarëve dhe hapjen e degëve me individë të rinj, të cilët të mund të sjellin energji dhe më shumë vitalitet në Federatën tonë. Kujtojmë se edhe Kuvendi 2017 u shty më kërkesën e degëve për të njëjtat arsye.
Sa më sipër Kryesia vendosi: Afati përfundimtar i dorëzimit të kuotave të anëtarësisë dhe listave është data 31 Dhjetor 2019. Gjithashtu kërkohet të paguajnë kuotat e anëtarësisë edhe anëtarët e Qendrës që nuk kanë përmbushur këtë detyrim. Pas kësaj date nuk do të pranohet asnjë pagesë kuotë anëtarësie dhe përllogaritja e numrit të delegatëve për secilën degë dhe për Qendrën për kuvendin e rradhës do të llogatitet mbi kuotat e dorëzuara deri në 31 Dhjetor 2019.
2. Fondacioni VATRA
Kryesia konstaton se megjithë interesimin e saj, nuk është zbatuar vendimi i Këshillit të Vatrës, dt. 3 Mars 2018, për emërimin e z. Besim Malota dhe z. Elmi Berisha si anëtarë të Bordit të këtij Fondacioni. Gjithashtu, megjithë kërkesat e Kryesisë nuk është depozituar akoma pranë federatës VATRA asnjë dokument i veprimeve financiare të tij. Në përsëritje të njoftimeve në gazetë, këto materiale duhen depozituar pranë Qendrës.
3. Kandidatura e z. Marko Kepi, për Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut.
Anëtari i Federatës sonë, njëkohësisht këshilltar i saj, z. Marko Kepi ka shpallur kandidaturën brenda Partisë Republikane si kandidat për Asamblenë e Shtetit të NY. Kryesia vendosi që Federata jonë, ndonëse jopolitike të ndihmojë bashkëatdhetarin tonë me të gjitha format e lejuara ligjore për arritjen e këtij qëllimi madhor, përmbushja e të cilit është krejtësisht e mundur nga statura dhe kapaciteti i z. Marko Kepi.
Gjithashtu Kryetari Dritan Mishto informoi kryesinë mbi takimin më të fundit në Departamentin e Shtetit, i cili takim kishte si temë kryesore zhvillimet më të fundit në Shqipëri.