Sokol Paja/
New York, 27 Korrik 2024 – Kryetari i Bashkisë Pukë z.Rrok Dodaj zhvilloi një vizitë zyrtare në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ai u prit nga kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha, anëtari i Këshillit të Vatrës z.Dritan Haxhia dhe editori i Diellit. Në fjalën e mirëseardhjes z.Berisha përgëzoi z.Dodaj për lidershipin dhe transformimet në zonën e Pukës dhe u ndal te kontributi historik i Federatës Vatra në dobi të çështjes kombëtare, lobimin në Uashington, angazhimin për të drejtat e shqiptarëve në trojet etnike, bashkëpunimin institucional me shtetin e Kosovës e Shqipërisë, zhvillimin e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vizioni për zhvillimin e Vatrës. Kryebashkiaku i Pukës z.Dodaj në fjalën e tij theksoi se Vatra që nga koha e pavarësisë iu gjend afër çështjes kombëtare, Vatra nxori në pah vlerat më të mira të kombit tonë ato të lirisë e demokracisë. Kryebashkiaku Dodaj foli ndër të tjera edhe rreth projekteve zhvillimore të Bashkisë së Pukës ku ndër më të rëndësishmit është turizmi, shkolla e Migjenit dhe rreth vlerave artistike, kulturore e kombëtare të trevës së Pukës. Anëtari i Këshillit të Vatrës z.Dritan Haxhia përgëzoi kryetarin Z.Dodaj për fushatën, menaxhimin dhe administrimin në Bashkinë e Pukës. Takimi vazhdoi me biseda miqësore rreth bashkëpunimit të vazhdueshëm në të ardhmen.